Deputetja e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Mesila Doda ka paralajmëruar votë kundër për draftin e reformës në drejtësi. Shkak për këtë qëndrim – që Doda tha se do të jetë kundër edhe nga deputetët e tjerë të PDIUsë – janë ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë martesave të të njëjtit seks.
“Sot jam këtu për të folur në lidhje me një çështje thelbësore, me ndryshimet kushtetuese që po bëhen në kuadër të reformës në drejtësi. Brenda kësaj pakete pa kurrfarë diskutimi, ka hyrë edhe shtegu që të çon në martesat homoseksuale. Tani po pyes zotin Fatmir Xhafa, drejtuesin e komisionit të reformës dhe kreun e shumicës në qeveri, Edi Rama:
Përse dëshironi që votën time dhe votat e grupit të deputetëve të PDIU-së të jenë kundër? Përse na provokoni dhe përse kaq rëndë? Familja është bërthama e shoqërisë së sotme shqiptare. Nëse keni ndër mend të shpikni një rend të ri shoqëror në këtë vend, ne nuk na keni me vete. Përse more zotërinj duhet të na çoni tek muri për një gjë që shqiptarët në mënyrë dërrmuese e kundërshtojnë?
Ju, Ledi Shamku që shkoni në meshë të djelën do e votonit këtë qorrsokak ku duan të fusin familjen shqiptare këta?
Ju, Fidel Ylli që shkon në teqenë e Baba Tomorrit do e votoni këtë ndryshim?
Ju, Esmeralda Shkjau që shkon në xhami të xhuma dhe që mbani Ramazan do votoni që të martohen dy burra?
Ju, Monika Kryemadhi që ke ndarë me mua Krishtlindje e Pashkë do të votoni të martohen dy gra?
Ju, Mimi Kodheli do qëndroni në këtë qeveri dhe parti që kërkon të ç’bëjë familjen? E di që nuk ke votë, por ke zë zonjë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj që i vuri kurorë pastori e që i përket ungjillorëve do u vërë të njëjtën kurorë homoseksualëve?
Nëse doni të dilni mbi Zotin tuaj bëjeni, por kur të ketë Pashkë e Bajram mos uroni më, mos bëni shënime. Nëse e keni shpirtin në mëkat mos kërkoni falje, sepse një Zot të ri po shpikni, por që për mua dhe shumicën dërrmuese të shqiptarëve është AntiZoti!
Po i drejtohem personalisht tani Edi Ramës:
Besimi nuk është sport, as hajmali dhe as lajm i rubrikës rozë. Di që kujton shpesh pagëzimin tënd të fshehtë dhe që dërgove djalin të bekohej nga Papa, sot ke përpara një zgjedhje, por që nuk e kalon dot kësaj here si shakator.
Po ju drejtohem atyre që besojnë pak, ose aspak, që janë jo praktikantë apo laikë. Ky ndryshim kushtetues që po na e imponojnë do snobë që aplikojnë për projekte hedh në erë familjen dhe familjet e tjera që dalin nga kjo familje, hedh në erë shoqërinë e natyrisht atë që ne e konceptojmë Atdhe. Nuk ka kjo lidhje me reformën, aspak, por është një tjetër eksperiment pionier që do të bëhet mbi shqiptarët. Ju kanë zgjedhur si projekt pilot. Familjet tuaja si kavje.
tha Doda.





