Magjistratja Fildize Hafizi që u sulmua me armë nga ish-bashkëshorti, ka dëshmuar para oficerëve të Policisë për ngjarjen që ndodhi në plazhin e Golemit.
Në dëshminë paraprake që ajo ka dhënë në postën policore të Golemit, 37-vjeçarja ka deklaruar se ish-burri e kishte kërcënuar edhe më parë me pistoletë, duke i shkuar në shtëpi.
Ndërsa pasi e kishte denoncuar dhe kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje, ajo ishte tërhequr nga padia për shkak të fëmijëve.
Hafizi ka deklaruar po ashtu se i shoqi pinte dhe luante bixhoz dhe konsumonte alkool dhe për këtë arsye kishte vendosur të divorcohej me të, duke fituar vetë kujdestarinë e fëmijëve.
Ndërsa ka treguar me detaje ngjarjen e djeshme, duke thënë se ish-bashkëshorti e ka sulmuar menjëherë, pa folur asnjë fjalë me të, duke e goditur me grusht në fytyrë, në sy të djalit të tyre të mitur. Duke qenë e bindur se ai ishte i armatosur, ajo ka arritur t’i heqë nga duart çantën ku ai mbante pistoletën dhe ka kërkuar ndihmën e pushuesve të tjerë që ndodheshin në plazh.
Si ndodhi ngjarja?
Ai erdhi te çadra ku ishim ne dhe pa thënë asnjë fjalë më goditi me grusht. Në atë moment pashë që donte të nxirrte nga çanta diçka dhe ia tërhoqa me forcë duke ia marrë nga duart. E dija që aty mund të kishte armë.
Nga e dinit, mban zakonisht armë me vete ai?
Nuk e di nëse e mban gjithmonë, por edhe një herë më ka kërcënuar me pistoletë. Më ka ardhur te shtëpia, afër “Xhamllikut”, në Tiranë, pasi aty afër banon edhe ai, dhe më ka kërcënuar.
Kur ka ndodhur kjo?
Ka disa muaj.
Ju e kishit denoncuar këtë rast?
Po e denoncova, madje kërkova edhe urdhër mbrojtjeje.
Jeni me urdhër mbrojtjeje momentalisht?
Jo, nuk jam, pasi u tërhoqa. Për hatrin e fëmijëve e tërhoqa denoncimin dhe nuk u paraqita në gjyq kur ishte seanca e urdhrit të mbrojtjes.
Jeni të divorcuar?
Po, që nga muaji mars jam divorcuar. Kam fituar edhe kujdestarinë e fëmijëve.
Pse vendosët të divorcoheshit?
Nuk mund të jetoja më një jetë të qetë me të, pasi ai pinte dhe luante vazhdimisht bixhoz.
A ishin të pranishëm fëmijët kur ndodhi ngjarja?
Djali ishte aty, ndërsa vajza erdhi pasi ai më kishte goditur.
Çfarë bënë fëmijët, nuk arritën të flasin me të para ngjarjes?
Fëmijët u tmerruan. Ai nuk i dha mundësi askujt që të fliste me të, pasi më goditi sapo u afrua te çadra. Më pas fëmijët filluan t’i luteshin që të ndalonte, por ai tentoi të nxirrte armën nga çanta.
Po pushuesit e tjerë e panë këtë skenë?
Po sigurisht që e panë. Disa burra u afruan që ta neutralizonin në momentin që unë i rrëmbeva çantën nga dora dhe nisa të vrapoja për të kërkuar ndihmë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/