Prokuroria e Krimeve të rënda, ka zbardhur skemën si u zbulua transferua e mbi 1 milion euro nga Belgjika drejt dy qytetarëve të Durrësit, ndërsa ka shpjeguar edhe kërkesën e argumentuar për sekuestrimin e 850 mijë euro, të mbetura në llogaritë bankare të dy personave nga Durrësi.
Ka qenë Prokuroria për Krime të Rënda e cila kërkoi konfiskimin e mbi 850 mijë eurove në llogaritë bankare të shtetases Rovena Kalemi, pa arsim, dhe shtetasit Bledar Coraj, shuma të cilat kanë kaluar në llogarinë e saj bankare nga shtetasi belg, Eric Nyssens, me profesion infermier në Bruksel. Nga hetimi rezulton se këta shtetas nuk e justifikojnë burimin e kësaj shume parash.
Zbulimi i transfertave dhe vendosja e sekuestros
Prokuroria për Krime të Rënda, e cila është struktura përgjegjëse për zbatimin e ligjit të njohur si “Antimafia”, ka marrë informacionin nga ana e Prokurorisë së Durrësit se në llogaritë e shtetasve shqiptarë Kalemi dhe Cokaj, gjatë vitit 2014, janë kryer disa transferta, të cilat shkonin mbi 1 milion euro. Ky informacion kishte mbërritur në Prokurorinë e Durrësit nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut. Sapo është marrë ky informacion, Prokuroria e Durrësit ka marrë miratimin në gjykatë për sekuestron preventive, pasi kjo shumë parash kishte burim të dyshimtë në momentin e parë.
Në momentin e vendosjes së sekuestros, rezultoi se shtetasja Kalemi ka tërhequr rreth 300 mijë euro dhe në llogaritë e saj gjendeshin rreth 850 mijë euro, të cilat u bllokuan.
Pas vendosjes së sekuestros dhe mungesës së shpjegimit të burimit të ligjshëm të këtyre parave, Prokuroria e Durrësit e kaloi për kompetencë çështjen në Prokurorinë për Krime të Rënda, e cila kërkon konfiskimin e sasisë së parave.
Hetimet dhe pyetja për origjinën e parave
Pas vendosjes së sekuestros së shumave bankare në bankë, janë paraqitur më datë 05. 11. 2014 dhe 06. 11. 2014 në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Durrës shtetasit Rovena Kalemi dhe shtetasi belg Eric Marie Nyssens, të cilët kanë dhënë deklarime lidhur me rastin e transfertave në fjalë. Të dy këta shtetas kanë pohuar se janë bashkëjetues me njëri-tjetrin në një banesë në Bruksel dhe se më datë 07. 11. 2014 do të martohen në Zyrën e Gjendjes Civile, Komuna Xhafzotaj, Shqipëri.
Ata kanë shpjeguar se njihen midis tyre që prej një viti dhe arsyeja e transfertave nga Eric drejt shtetases Rovena Kalemi ka qenë pikërisht për faktin e bashkëjetesës midis tyre dhe me qëllim të blerjes nga Rovena të një shtëpie të mirë dhe hapur një biznes si restorant apo ndonjë supermarket.
Të pyetur në lidhje me faktin e sigurimit të shumave të tilla, ata kanë shpjeguar se Eriku i ka përfituar nga shitja e aksioneve që ai ka pasur në disa shoqëri në Bruksel, të cilat kanë si objekt veprimtarie – telekomunikacionin, supermarket, farmaci, etj. Këto aksione shtetasi Erik i ka trashëguar nga prindërit e tij.
Shtetasi Eric Nyssens ka shpjeguar gjithashtu se ai është në profesion infermier pranë azilit të pleqve që quajtur “Home Saint Joseph” me adresë në Bruksel.
Në lidhje me transfertën prej 465,000 euro të transferuar nga shtetasi belg Eric Nyssens drejt shtetases Rovena Kalemi nëpërmjet shtetasit Bledar Coraj, nga deklarimet e shtetases Rovena ka rezultuar se kjo është bërë për shkak se nuk kishte llogari të hapur. Shtetasin Bledar Coraj, shtetësja Rovena ka deklaruar se e ka shokun e ish-të dashurit që nuk jeton më.
Dokumentet nuk justifikojnë pretendimet
Shtetasi Eric Nyssens, nëpërmjet një avokati ka paraqitur në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Durrës, një kopje të dokumentit që tregon transfertën e kryer më datë 07. 08. 2014 nga llogaria e tij në Belgjikë drejt llogarisë së shtetasit Bledar Coraj në Shqipëri të shumës prej 300,000 euro dhe të transfertës së kryer më datë 16. 09. 2014 nga llogaria e Eric Nyssens në llogarinë e shtetases Rovena Kalemi të shumës prej 800,000 euro. Nga të dy këto dokumente rezulton se transferimi është kryer nga llogaria e shtetasit Eric Nyssens në bankën BNP. Gjithashtu shtetasi Eric Nyssens ka sjellë edhe një kopje të disa kërkesave dhe mandateve burse të vlerave të ndryshme të datës 09. 09 .2014, për llogarinë në emër të shtetasit Eric Nyssens.
Gjatë kohës që këto llogari bankare kanë qenë nën sekuestro, shtetasit Rovena Kalemi dhe Eric Nyssens nuk kanë paraqitur asnjë provë dokumentare për të provuar ligjshmërinë e burimit të këtyre parave. Në bazë të ligjit “Antimafia”, barra e provës për pasuritë e krijuara u takon personave të dyshuar për “pastrim parash”. Në këtë kuadër, Prokuroria e Durrësit dërgoi për kompetencë pranë Prokurorisë për Krime të Rënda materialin, me qëllimin konfiskimin e saj.
Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon konfiskimin e këtyre shumave.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/