Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me burgim të përjetshëm për Skënder Bakun, i akuzuar se, për qëllime gjakmarrje, ka marrë pjesë në vrasjen e shtetasit Lulëzim Shera, ngjarje e ndodhur më 1 shtator 2013 në rrugën kombëtare Fushë Krujë – Laç.
Hetimi dhe gjykimi për të pandehurin është kryer në mungesë, ndërkohë që gjykata pranoi kërkesën e avokatit mbrojtës për gjykim të shkurtuar. Për shkak të këtij gjykimi, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon që dënimi përfundimtar të jetë 35 vite burg.
Historia e gjakmarrjes së nisur në vitin 1992
Nga hetimi ka rezultuar se, në vitin 1992, viktima Shera, në atë kohë i dënuar për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes”, pas një konflikti në burgun 313, ku ndodhej, ka vrarë me sende të forta shtetasin vëllanë e të pandehurit, shtetasin Arjan Baku.
Për këtë vepër penale, viktima Lulëzim Shera, në atë kohë, u dënua me 20 vite burgim dhe doli nga burgu në vitin 2010.
Gjatë kohës që Lulëzim Shera ishte në burg, familjarë të tij kishin kërkuar pajtim me familjen Shera, gjë e cila nuk u është pranuar asnjëherë.
Marrja e gjakut të vëllait në vitin 2013
Pas daljes nga burgu, Lulëzim Shera punonte si transportues buke nga Fushë-Kruja për në fshatin Nikël. Në datën 01. 09. 2013, në orën 06.00 të mëngjesit, viktima, së bashku me një mikun e tij, gjendeshin në një dyqan në Fushë Krujë. Shoqëruesi i tij kishte qëndruar në automjet, ndërsa viktima ka hyrë në dyqan për të bërë furnizimin. Në atë moment, pas tij janë afruar dy persona, njëri prej të cilëve i armatosur me kallashnikov, i cili e ka thirrur viktimës dhe, sapo Lulëzim Shera është kthyer për të parë personat që e kërkuan, ndaj tij është qëlluar me breshëri plumbash, 12 prej të cilëve e kanë goditur në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Në gjyq bashkëpuntori, i paidentifikuar ende autori
Menjëherë pas krimit, dy personat janë larguar nga vendi i ngjarjes. Nga hetimi, u arrit të zbulohej të paktën një prej autorëve, pikërisht shtetasi Skënder Baku. Po ashtu, u provua se ky shtetas nuk ka qëlluar kundër viktimës, por ka marrë të gjitha masat, si edhe ka pasur arsyen për të vrarë shtetasin Lulëzim Shera, për hakmarrje për vrasjen e të vëllait të tij, në vitin 1992.
Ndërkohë, deri në këtë fazë, nuk është arritur të evidentohet se cili është bashkëpunëtori i të pandehurit Baku në këtë krim.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/