“Ishte thirrur për seancë dëgjimore për Lazaratin, por nuk tha asgjë sepse sipas tij qenka sekret hetimor, na erdhi një ministër skenarist që u përpoq të bëjë show”.
Kështu u shpreh deputeti i PD-së, Flamur Noka, në përfundim të mbledhjes së Komisionit Parlamentar të rendit e Sigurisë, ku për të raportuar për zhvillimet e fundit në Lazarat, ishte ftuar ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
Debate në komision nisën që në fillim të mbledhjes.
Ndërsa kreu i këtij komisioni, Spartak Braho paralajmëroi se kjo çështje është ende nën hetim dhe konsiderohet një sekret hetimor, për pasojë edhe shpjegimet e ministrit Tahiri sipas tij do jenë të kufizuara, ka reaguar deputeti i PD, Flamur Noka.
“Ju sapo thatë e çështja e ndërhyrjes në Lazarat, qoftë nga marrja e masave, qoftë vrasja e efektivit, thatë se është në hetim. Atëherë çfarë mund të na thotë ministri?”, reagoi Noka.
Më tej, gjatë raportimit për Lazaratin, edhe vetë ministri Tahiri paralajmëroi se nuk do të raportonte ndonjë gjë të ndryshme nga çfarë sipas tij, kishte “paraqitur në një dokument në komision që është konfidencial”, duke vijuar më tej me deklaratat politike, për historikun e ngjajrve 25-vjeçare në Lazarat, por jo për ato të ditëve të fundit.
Debatet në Komisionin Parlamentar të Rendit dhe Sigurisë

Spartak Braho – (I drejtohet ministrit) Komisioni për sigurinë Kombëtare, duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit në Lazarat, ju kërkon të informoni në lidhje me ngjarjen, në angazhimin e policisë. Me qellim jo vetëm raportimin tuaj, por dhe analizën tuaj për punën në të ardhmen. Dua të informojë komisionin se nga ana e Ministrisë së Brendshme është dërguar një material me karakter sekret. Kërkojmë që mbledhja të mos bëhet në prani të mediave, pasi çështja është në hetim nga prokuroria e krimeve të rënda.
Flamur Noka – Ju sapo thatë e çështja e ndërhyrjes në Lazarat, qoftë nga marrja e masave, qoftë vrasja e efektivit, thatë se është në hetim. Atëherë për se ka ardhur dhe çfarë mund të na thotë ministri?
Spartak Braho – O Flamur Noka, mos u nxito. Dëgjoje një herë ministrin…
Flamur Noka – Por, kur çështja është në hetim, pse duhet të vini ju këtu dhe të flisni kur s’keni ca të thoni?
Spartak Braho – Po duro…, ju nuk jeni të duruar…
Flamur Noka – Jeni në vete apo jo?
Spartak Braho – Ne jemi në vete, se Saliu nuk ka lënë gjë pa thënë në parlament…
…
Flamur Noka – (Pyet ministrin) Anëtarët e bandës që vrau oficerin e RENEAs ishin në listën e grupit të zjarrit që mbajti nën zjarr policinë një vit më parë? Në rast se ishin, a mban kush përgjegjësi që këta ishin të lirë këtu e një vit e për më tepër që blenë armë shumë të sofistikuara?
Spartak Braho – Këto janë të dhëna që i gjeni në materialin që kam sjellë në komision.
Flamur Noka – Ti Spartak vazhdo me termat e sigurimit të shtetit
Spartak Braho – Nëse ke ardhur të merresh me mua unë ta tregoj vendin.
Flamur Noka – Ministri duhet të përgjigjet.
Spartak Braho – Pyetjet e tua janë kurthe.
Flamur Noka – (Pyet ministrin) Kur ndërhytë në Lazarat në vitin 2014 thatë që droga nuk do ekzistojë më në këtë fshat. Sot pas një viti shqiptarët panë që kishte një grup të armatosur të strukturuar, kishte një bandë që guxoi të vërë dorë në policinë e shtetit. A po bëni show?
Spartak Braho – Flamur Noka harron që kryetari i Komunës është anëtar i Këshillit Drejtues të PDsë. Çfarë bëri ai?
Flamur Noka – Kryetari i Komunës është institucion dhe nëse do kish probleme me ligjin do përgjigjej. Për ty Spartak çdo opozitar ka probleme.
Spartak Braho – Mos e hap më këtë histori se unë e pata fatin ashtu si edhe ti. Në ‘88 ke qenë i vogël ti. Mos ti hapim letrat. Shumë nga ata që ke ti në krah kanë bashkëpunuar me sigurimin e shtetit.
Flamur Noka – Hapi letrat hapi.
Spartak Braho – Mos më fol mua se nuk kam qenë asnjë ditë pjesë e sigurimit të shtetit.





