PD prezanton platformën për dekriminalizimin: Ndërhyrje në Kushtetutë për të ndërprerë mandatin...

PD prezanton platformën për dekriminalizimin: Ndërhyrje në Kushtetutë për të ndërprerë mandatin e deputetëve me rekorde kriminale

76
0
Shares

Partia Demokratike prezantoi sot paketën për dekriminalizimin që përfshin ndryshime në Kushtetutë dhe në disa ligje të tjera. Nëpërmjet kësaj platforme, Partia Demokratike propozon ndërhyrje në Kushtetutë, Kod Zgjedhor, Kod Penal, Kod të Procedurës Penale dhe legjislacion të administratës publike për të ndërprerë mandatet e deputetëve me rekorde kriminale. Po kështu PD-ja kërkon që të gjithë personat me të tilla rekorde të humbasin përjetë të drejtën për të kandiduar si dhe deputetët dhe drejtuesit e lartë të administratës të deklarojnë paraprakisht nëse kanë rekorde apo jo. Llojet e krimeve të precedentëve penalë nuk do lidhen domosdoshmërish vetë me krimin e organizuar, por edhe me vepra të tjera.
Sipas deputetit Oerd Bylykbashi platforma për dekriminalizimin ka si qëllim dekriminalizimin e institucioneve shtetërore. Sipas Byluykbashit objektivi i kësaj platforme është hartimi i bazave ligjore dhe kushtetuese për largimin nga institucionet publike të zyrtarëve shtetërorë që janë apo do të marrin funksione publike, me rekorde kriminale ndërsa synon të vendosë rregulla të forta që parashikon që ata që janë me rekorde kriminale të mos hyjnë në organet e shtetit, ose nëse janë të largohen.
Përfaqësues i PD-së për çështjet ligjore, foli më tej për rregulla më të forta dhe të ashpra që shkojnë sa më thellë, për këtë problem kaq të rendë, siç tha ai, kriminalizimin në nivelet më të larta të institucioneve. Ai tha se PD kërkon të ndërhyhet në Kushtetutë me qëllim që çdo person i inkriminuar të humbasë postin që gëzon sot.
“Ndërhyrja do të jetë imediate duke ndërhyrë drejtpërdrejt në Kushtetutë, për njerëzit me rekorde kriminale do përdoren rekordet kriminale jo vetëm për dënime në Shqipëri por dhe jashtë Shqipërisë, që në të ardhmen të mos kenë mundësi që këta persona të penetrojnë në administratë. Në platformën e PD do trajtohen rastet e krimit të organizuar, vepra që lidhen me krimin. Ne do kërkojmë masa të rrepta deri në përjashtimin përjetë për tu kandiduar apo përzgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë. Dikush i përfshirë në krim të organizuar nuk mund të pranohet nga qytetarët. Kjo histori të jetë e mbyllur njëherë e mirë”.
Ai shtoi më tej se, paketa me propozimet e plota do prezantohet ditën e mërkurë.
“Do fusim instrumentet dhe procedurat efikase për identifikimin e rekordeve kriminale, këta persona do kenë detyrim të bëjnë deklarim për mospasjen e rekordeve kriminale. Do jetë një platformë e gjithanshme, do ndërhyhet në Kushtetutë me amendamente që do kenë vlerë të përhershme. vetëm fakti i dënimit do jetë kusht që këta persona të mos kandidojnë në të ardhmen”.
Nga ana e tij, deputeti Eduard Halimi theksoi se dekriminalizimi i Parlamentit nuk merr sot një përgjigje përfundimtare. Ai theksoi se për këtë proces duhet vullnet nga të gjitha partitë politike.
“Angazhimi i Parlamentit Evropian për të detyruar mazhorancën që të prishë kontratën me krimin është e qartë për të gjithë qytetarët shqiptarë që është një fitore. Dekriminalizimi i Parlamentit dhe administratës publike nuk merr sot përgjigje në mënyrë përfundimtare sepse para së gjithash ky proces kaq i vështirë nuk është vetëm çështje normash por vullnet që duhet të ekzistojë te partitë politike. Ajo që prezantoi zoti Bylykbashi është tërësi normash juridike që përfshijnë ndryshime ne Kushtetutë. Vullneti i opozitës për këtë proces është fondamental. Është i hekurt”, theksoi Halimi.
“Opozita është konsideruar pa kauzë dhe denoncimet e PD për kriminalizimin e Parlamentit dhe administratës është cilësuar nga mazhoranca si dhunë verbale. Ndërsa sot kjo është një kauzë e gjithë qytetarëve. Të gjitha që janë në dorë të PD ne e kemi bërë. Nëse mazhoranca nuk ka vullnetin politik për të zgjidhur këtë kauzë, zgjidhja do jetë politike. Nëse më kërkoni të shtie fall për vullnetin politik të Ramës, nuk mund të them, gjë. Është momenti i fundit për një vullnet politik që të mos shkojë kundër kauzës së qytetarëve dhe integrimit”, sqaroi deputeti Gent Strazimiri.

Platforma për Dekriminalizimin e Kuvendit, Institucioneve dhe Administratës Publike

Në përputhje me Rezolutën e datës 24. 12. 2014 të Kuvendit të Shqipërisë, në lidhje me dekriminalizimin e parlamentit dhe administratës publike, Partia Demokratike parashtron këtë platformë për dekriminalizimin:
Qëllim i platformës është dekriminalizimi i organeve të zgjedhura, institucioneve të pa varura si dhe i administratës publike.
Objektiv i platformës është hartimi dhe miratimi i instrumenteve kushtetues dhe ligjore për verifikimin, identifikimin dhe largimin nga funksioni, i deputetit, i të zgjedhurit vendor dhe çdo funksioni tjetër të emëruar nga parlamenti në institucione kushtetuese, të krijuara me ligj, nga shërbimi civil dhe administrata publike në nivel qendror dhe vendor, si dhe pengimin e zgjedhjes apo emërimit në këto funksione në të ardhmen të personave që kanë kryer vepra penale të cilat kanë cenuar besimin publik tek ushtruesit e funksioneve të zgjedhura apo emëruara.
Instrumentet kushtetues dhe ligjore, do të synojnë vendosjen e rregullave më të ashpra për dekriminalizimin, bazuar në praktiken legjislative më të spikatur europiane dhe botërore (Itali, Mbretëri e Bashkuar, SHBA, Australi) në përputhje me jurisprudencën e GjEDNj, me qëllim përballjen sa më efikase dhe trajtimin më të thellë të situatës së paprecedent të kriminalizimit të organeve të zgjedhura, funksioneve të emëruara dhe administratës në Shqipëri.
Veprat penale që do të përbëjnë shtyllën e platformës janë veprat penale që përbëjnë krim të rëndë në përputhje me përcaktimet e Konventës së Palermos e OKB-së e vitit 2000, duke nisur me krimin e organizuar, si dhe veprat që cenojnë rëndë autoritetin e shtetit si dhe besimin publik, ku përfshihen veprat korruptive.
Për raste të krimeve me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, do vendosim norma që pengojnë zgjedhjen apo emërimin në organe të larta të shtetit të personave që kanë rekorde të rënda kriminale, dhe që janë në proces hetimi apo gjykimi, dhe ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie personale (arrest me burg, etj), ose janë në kërkim policor ndërkombëtar.
Do të përcaktohen rregulla të qarta e të forta për të penguar kandidimin, zgjedhshmërinë si dhe për të bërë të pamundur qëndrimin në detyrë të personave që kanë kryer vepra penale. Ndalimi për t’u zgjedhur apo emëruar do të aplikohet në mënyre të njëjtë si për dënimet e marra në Shqipëri edhe jashtë saj.
Për veprat e rënda si krimi i organizuar, propozohet që periudha e ndalimit të kandidimit apo marrjes së një funksioni publik të jetë përjetë. Një periudhë 20 vjeçare para marrjes së mandatit apo detyrës propozohet edhe në funksion të ndërprerjes së mandateve apo funksioneve aktuale.
Për krimet e rënda, masa e ndërprerjes së mandatit apo pengimi për t’u zgjedhur apo emëruar do të lidhet vetëm me faktin e ekzistencës së rekordit kriminal dhe dënimit.
Ndërhyrjet kushtetuese dhe ligjore do të jenë në dy plane. Së pari, do të trajtohet me prioritet paraqitja e amendamenteve kushtetuese dhe ligjore për ndërprerjen e mandatit të funksionarëve të zgjedhur apo të emëruar që mbajnë mandate aktualisht dhe që kanë rekorde kriminale të rënda. Së dyti, do të ndalohen në të ardhmen personat e dënuar, nga kandidimi, zgjedhja, emërimi dhe ushtrimi i detyrës publike.
Do të ndërhyhet në legjislacionin ekzistues për futjen e procedurave efikase për verifikimin e rekordeve kriminale të funksionarëve publikë të zgjedhur apo emëruar, në detyrë aktualisht apo në të ardhmen, si dhe për ndërprerjen e mandatit apo ushtrimit të funksionit. Këto procedura do të përfshijnë detyrimin për vet-deklarim me përgjegjësi penale të mospasjes së rekordeve kriminale.
Për realizimin e kësaj platforme, në zbatim të rezolutës, parashikohet ndërhyrje në Kushtetutë me amendamente të përhershme dhe dispozita transitore, Rregulloren e Kuvendit, Kodin Zgjedhor, Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, dhe sipas nevojës, ligjet që rregullojnë emërimin në institucione kushtetuese apo të krijuara me ligj, në shërbimin civil, etj. Në funksion të harmonizimit dhe efikasitetit të zbatimit të instrumenteve të rinj, do të forcohet regjimi i mbajtjes dhe shkëmbimit të informacionit për rekordet kriminale.

 
 
 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY