Nesër bëhen dhjetë ditë që kur opozita filloi protestën e saj kundër qeverisë së rilindjes së krimit. Dhjetë ditë nuk janë shumë, por nuk janë as pak për të kuptuar trendin e zhvillimit dhe përfundimit të kësaj proteste. Kreun e opozitës e kemi parë çdo ditë e dy herë në ditë të përballet me realitetin dhe të bëjë thirrje për rezistencë. Dy herë në ditë me një zë disi të ngjirur ai ka shpalosur gjithashtu alternativën e partisë që drejton si dhe të opozitës shqiptare. Një shembull i papërsëritshëm ky në realitetin shqiptar të këtyre 26 viteve. Kreu i opozitës në kulmin e një konflikti shfaqet para protestuesve i qetë, aspak i shtrënguar e nën presion, flet me pasion, por dhe me maturi duke na kujtuar se ai është ndryshe nga të gjithë paraardhësit e tij. Lulzim Bashën nuk e kemi dëgjuar, as nuk do ta dëgjojmë të kërcënojë për “kapërcim kufomash”, as për “përmbysje regjimi”, as për ndonjë akt tjetër që tremb dikë. Edhe ndërkombëtarët që nuk e duan thjesht i kërkojnë t’i japë fund bojkotit të parlamentit.
Lulzim Basha dhe opozita kanë formuluar një kauzë për t’i dalë zot protestës. Ajo është kauzë politike dhe bota shqiptare duhet të kuptojë që zgjidhja e krizës së sotme është e duhet të jetë politike. Zgjedhjet e lira janë kauza e protestës së Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike. Ato i japin zgjidhje të gjitha kauzave të tjera, kauzës së dekanabizimit të vendit, asaj të dekriminalizimit të parlamentit, politikës e administratës shtetërore, medias së kapur në grykë nga mafia e pushtetit, si dhe dekriminalizimit ose Vettingut të drejtësisë. Pa zgjedhje të lira nuk ka drejtësi, nuk ka shtet të së drejtës, nuk ka dekriminalizim të politikës dhe segmenteve të tjera të shoqërisë.
Zgjedhjet e lira janë dhe mbeten në pikëpamje universale themeli i demokracisë. Demokracia është e papajtueshme me shtetin autoritar e diktatorial, me rritjen e rolit të individit dhe dobësimin e institucioneve, me mashtrimin dhe hipokrizinë. Të gjitha këto fenomene kanë qenë prezent në gjithë harkun kohor të një çerek shekulli në Shqipëri, ndërkohë që rilindja i dhjetë ose njëqindfishoi ato. Demokracia nuk ka të bëjë me diskriminimin dhe diskriminimi është e do të mbetet tipari kryesor i rilindjes, i krahasueshëm me shtetin e diktaturës komuniste në Shqipëri. Zgjedhjet e lira janë kushti kryesor i ndryshimit të regjimit të sotëm, nëse do të duhej të perifrazonim retorikën e ish-opozitarit, sot kryeministër i Shqipërisë.
Lulzim Basha, opozita, shqiptarët në protestë janë aty prej dhjetë ditësh me këtë mision, në shërbim të kësaj kauze, vendosjen në Shqipëri të standardit të zgjedhjeve të lira, që në parlament të shkojë ajka e Shqipërisë dhe jo llumi i shoqërisë, që vota e shqiptarëve të lexohet me transparencë dhe jo të manipulohet, vidhet e blihet, që ata që zgjidhen të kenë legjitimitet e si të tillë, të kenë integritetin që në bërjen e ligjeve të jenë zë i pavarur. Vetëm kështu vendi do të fillonte kthesën e madhe.
Shumëkush e konsideron këtë mision të Lulzim Bashës si të pamundur. Në një farë mënyre është e arsyeshme të dyshosh për disa arsye:
Arsyeja kryesore ka të bëjë me miliardat e eurove ose dollarëve, të cilat i numërojnë dhe bankojnë në skuta mafiozët, kriminelët, trafikantët, ata që shpirtin ia kanë shitur djallit dhe mendojnë e besojnë se me mbështetjen e qeverisë së rilindjes do t’i mbrojnë këto para nga ligji, e drejta, sekuestro dhe ndëshkimi. Që të mbrojnë tre miliard euro, krimi dhe kriminelët e përkëdhelur nga pushteti do të hedhin në tregun zgjedhor së paku një miliard prej tyre. Por me një miliard euro përmbys rezultatin çdo parti e president në botë, përfshirë dhe presidentin ose partitë në SHBA. Ndërsa në Shqipëri rezultati do të dilte së paku tetë me dy në favor të mafies dhe kriminelëve në pushtet.
Edi Rama na thotë se nuk ka lidhje me krimin dhe kriminelët. Por Elviz Roshi, Armando Prenga, si dhe Armandot e tjerë në grupin parlamentar të rilindjes e nxjerrin atë zbuluar. Ai që bërtet çdo ditë e çdo orë për Vettingun, nuk është dukur qoftë edhe një moment i shqetësuar për lirimin e Lulzim Berishës, për krimet e Emiljano Shullazit, për lirimin e terroristëve të “Hakmarrjes për drejtësi” e të tjera vendime, të cilat janë marrë nga gjykatat nën presionin e Gjushëve dhe vetë Edi Ramës. Ky lloj Vettingu uroj të mos vijë kurrë në këtë vend. Nëse do ta bënte këtë Lulzim Basha, nesër kryeministër, edhe pse nuk më shkon, do ta gjuaja me gurë. Ndërsa Edi Ramën nuk do ta gjuaj me gurë, por së paku do të doja që gjithkush që beson te e drejta dhe e vërteta të shohë se protesta e opozitës është opsioni i vetëm për ta nxjerrë këtë vend nga moçali ku ka rënë.
Ky moçal, në të cilin na ka shtyrë dhe na ka futur kjo qeverisje kriminale ka marrë erë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë e përtej Adriatikut. Dikush më tha sot se “Plasa, nuk po mundem të plotësoj dokumentet për vizë britanike, sepse e kanë futur Shqipërinë në vendet me rrezikshmëri të lartë kriminaliteti dhe si vend që eksporton terrorizëm”. Nuk desha të besoj, pasiqë në prill të vitit 2015 kisha aplikuar vetë vizë për në Britani dhe nuk pati të tilla probleme. Si u bë që në më pak se dy vjet vendi im të konsiderohet si “vend i rrezikshëm kriminal e eksportues i terrorizmit”?! Kësaj pyetje duhej t’i jepte përgjigje kryeministri Rama. Por ai është i zënë më Vettingun dhe ua paraqet shqiptarëve atë si shkopi magjik për ardhmërinë e vendit.
Në fakt problem nuk është drejtësia, nuk është as Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Problemi më i madh në këtë vend është qeveria e kapur nga krimi, bashkëpunimi i saj me kriminelët. Kontrolli, Vettingu i qeverisë do ta shpëtonte Shqipërinë nga e keqja që e ka mbërthyer. Opozita e Lulzim Bashës këtë po bën. Kush e kupton duhet t’i bashkohet atij, kush nuk e kupton jeton ëndrrën e gomarit.
Nga ana tjetër ve re se Lulzim Bashën nuk e kuptojnë shumë deputetë demokratë. Disa prej tyre janë në hall, duhet të ruajnë e të fshehin paratë e korrupsionit e trafiqeve, edhe pse këto para nuk kapin as shumën e 5 për qind të parave që ka grumbulluar rilindja nga mafia e korrupsioni. Po në fund të fundit për atë grusht demokratësh të korruptuar nuk janë pak para. Kjo kategori deputetësh e arrogantësh të tjerë duken ndonjëherë ose nuk duken fare të Çadra e Lirisë. Edhe kur duken, nuk duan të bien në sy, sidomos të medias. Një kategori tjetër e këtyre deputetëve demokratë me pasues nga mbrapa janë ata që nuk kanë besuar asnjëherë se Lulzim Basha një ditë do të bëhet lider. Këta, janë joshur nga komplimentet e Edi Ramës, të cilat ai nuk i kursen. Bëjnë opozitë me gojën vesh më vesh, hiqen se “mbrojnë interesat e shqiptarëve”, kur dalin në mbrojtje të krimit qeveritar, pasi, sipas tyre, “konsensusi për integrimin është në interes të kombit”. Pra operojnë me “nacionalizmin” dhe e gjejnë këtë si strehë të opozitarizmit kundër Bashës. Të tjerë deputetë janë të paaftë, janë numra me zero pa njësh përpara, ndaj dhe mund të konsiderohen “të pafajshëm” për “rolin” që luajnë në protestën e opozitës.
Lulzim Basha duket i vetëm, edhe pse lideri historik, Berisha, i gjendet herë pas herë në krah. Por edhe pse i vetëm, ai ka mundur në dhjetë ditë të rezistojë dhe t’i frymëzojë shqiptarët, të japë shpresë e alternativa. Ka rezistuar përballë lukunisë së pushtetit mashtrues edhe pse në shpinë ka deputetë e demokratë të kapur, të paaftë e të pazotë të drejtojnë familjen e tyre. Ndërsa partitë aleate në opozitë kanë deri tani vetëm një meritë: Nuk kanë folur ende kundër protestës në mediat shqiptare. Ndërkaq mediat mbajnë si lajm të fundit protestën, ndërkohë që kryeministri, lali, Sajmua, Klosi janë në krye të lajmit.
Pikërisht për këto arsye Lulzim Basha duhet komplimentuar. Rezistenca e tij është epike. Së paku deri më sot. Çfarë strategjie do të ndjekë nesër, këtë le ta shohim. Me rëndësi është të mos dorëzohet! Kauza dhe misioni i tij një ditë do të fitojnë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/