MENTOR NAZARKO/ Marrëveshja me Ramën, Basha nuk i bëri shërbim vetëm vendit,...

MENTOR NAZARKO/ Marrëveshja me Ramën, Basha nuk i bëri shërbim vetëm vendit, por edhe PD-së

234
0
Shares

Sot kundërshtarët dhe kritikët e Lulzim Bashës po bëjnë gati sëpatat për “t’i këputur kokën atij”. Në letra, rezultati atyre i jap të drejtë: PD ka humbur në gjithë qarqet e vendit me përjashtim të .. .Kukësit. PS ka rritur peshën elektorale ndjeshëm, LSI po ashtu.
Po a kanë të drejtë?
A ishte kjo PD, parti e Bashës?
Basha nuk do ta thotë kurrë se PD që ai ka drejtuar, ka qenë partia e Berishës, por kjo është e sigurt. Grupi parlamentar, strukturat gjithashtu. një pjesë e mirë e drejtuesve të PD-së, gjithashtu. Maja e shpatës e ligjërimit të PD-së ka qenë performanca e Berishës në parlament, stili denoncues i tij. Për ta plotësuar: nuk ka asnjë distancim të Bashës nga Berisha në më shumë se 3 vjet e gjysmë, me përjashtim të momenteve të fundit pak para se PD e tij dhe e Berishës të hynte në çadër, kur foli për importin e plehrave, etj. Brenda çadrës, Basha filloi të fliste për Republikën e re, që më pas u shndërrua në sloganin e PD-së në këtë fushatë, pikërisht për të treguar distancimin nga Partia e Berishës dhe kohën e tij. Dëshmia më e mirë e kësaj pakënaqësie të Berishës me këtë slogan distancues të Bashës nga koha e tij, nga bëmat e tij është faqja e ish kryeministrit në facebook, ku sloganit i është ngrënë gjysma e tij-pjesa e Republikës së re.

Sot kush ka ndërmend t’i atribuojë Bashës ekskluzivisht humbjen le të mendojë për pak dhe në këto plane:
Si ka qenë në sondazhe PD-ja e Bashës apo e Berishës qoftë, para se të hyjë në çadër? Me gjasë duhet të ketë qenë shumë keq dhe ndaj u sajua lëvizja e çadrës. Çadra e rriti Bashën si lider, por jo PD-në. Një parti në prag të zgjedhjeve, nuk shpik lëvizje të forta ekstremiste, por përkundrazi përdor një gjuhë të rrumbullakosur e cila thith vota nga të gjitha anët. Gjuha e rrumbullakosur, domethënë gjetja e një gjuhe që është emërues i përbashkët i të gjitha shtresave, ndjeshmërive sociale, moshore, etj, dhe jo gjuha ekstremiste, gjuha denoncuese e çadrës. Kujtoni Berishën e 2004-ës, kur nuk u mor fare me Nanon, por shikonte vetëm përpara, vetëm propozonte. Kështu fitoi.

Basha ka vepruar në autonomi të plotë, ose mund t’i atribuohen plotësisht veprimet e PD-së, vetëm në momentet e daljes nga çadra. Vetëm kur ka folur me Edi Ramën pa telefon në dorë. Vetëm kur ka bërë marrëveshjen, vetëm kur ka bërë listën e kandidatëve, Basha ka vepruar në njëlloj pavarësie dhe mund t’i atribuohen drejtësia apo padrejtësia e veprimeve të veta. Me gjasë vetëm atëherë, Basha ka mundur të rrisë PD-në, e tij, parti e Bashës, në më të shumtën e elementëve që karakterizojnë një parti : listën e deputetëve, programin, sloganin, fushatën, drejtuesit e saj.

Një plan tjetër reflektimi për kritikët: çfarë do të ndodhte sot me Bashën, me PD-në, nëse nuk do dilte nga çadra ? Do të mpakej nën trysninë e ndërkombëtarëve që kishin bërë gati një deklaratë ashpër përjashtuese të saj, do të gërryhej nga kalimi masiv i strukturave lokale të PD-së tek LSI-ja, dhe sherret e mëpasme do të bënin reston. Marrëveshja ishte zgjidhja shpëtuese e PD-së dhe Basha nuk i bëri shërbim vetëm vendit, me kthimin e qetësisë publike, me klimën normale të funksionimit të institucioneve, me votimin e ligjeve të vettingut, por dhe PD-së, duke shmangur shkatërrimin e plotë dhe të shpejtë të saj.

Një pyetje tjetër : cili do të ishte rezultati nëse nuk do të ishte qeveria teknike, që ka kontrolluar në një masë të caktuar, përfshirjen masive të administratës publike, të parasë publike në këtë fushatë ? Me siguri do të ishte paksa më i lartë për PS-në.

Edhe një pyetje tjetër : a nuk prodhoi marrëveshja me Ramën, garimin në parti të vetme dhe jo në koalicione ? Vetëm imagjinoni se cili do të ishte rezultati nëse e majta do të ishte bashkë, pra PS do të ishte në koalicion me LSI-në ? Me gjasë të dy partitë bashkë do të arrinin dhe 100 deputetë : sa përshembull në Korçë, LSI ka marrë vetëm një mandat me 19 mijë vota. Nëse do të ishin në koalicion do të merrte shumë bishta të PS-së, dhe mbetje të tjera, diçka që do ta rriste LSI-në në afro 30 deputetë.

Po shtojmë dhe një pyetje tjetër, për gjithë ata që janë kritikë me listën e Bashës. Nëse Berisha me pushtet absolut, nuk mundi në 2013 me listën me ministra të fitonte përballë Ramës, pse Basha do mund të fitonte me ata, tashmë si ish ministra, si kapiten apo trajner i një skuadre bashibozukësh që nuk e dëgjonte për asgjë ?

Po pse ky rezultat ?

Sepse Bashës dhe PD-së i mungoi koherenca, vijueshmëria në boshtin e saj ideologjik dhe politik. Kalimi i beftë nga koha e Berishës, nga stili i tij, i vijuar dhe nga Basha për një farë kohe, e ka çorientuar elektoratin. Basha nuk ka mundur të shesë më parë ekipin e tij, listën e tij të deputetëve, programin e tij të këshilluar me ekspertë gjermanë që ishte mjaft tërheqës me taksat e ulta, etj. Basha ka mundur me njëlloj suksesi të arrijë dekriminalizimin, dekanabisimin, etj, por seicila prej këtyre lëvizjeve nuk ka patur impakt elektoral. Basha ka ofruar diçka nga pikat e veta më të forta, vetëm kur lëvizi i qetë në skenën politike, me shoun që ishte vetëm për të, pa hijen e Berishës që e asistonte vetëm me facebook. Dhe ka diçka që nuk mbahet parasysh : Rama është një kundërshtar politik i cili mundet vetëm në lojë politike të qetë dhe jo agresive. Në lojë agresive, ai është vështirësisht i mundshëm. Basha po mbaronte politikisht në ditët e fundit të çadrës, kur perëndimi po mbështeste hipotezën e zgjedhjeve pa opozitën, ku do bënte pjesë dhe LSI-ja : partia e Metës filloi të gërryente veçanërisht në fshat partinë e Metës. E kjo ndërsa Berisha vazhdonte ende me kartën e mossulmimit me LSI-në. Dalja me marrëveshje, me gjysmën e qeverisë, e shpëtoi. Senatorët e kanë sabotuar, strukturat, gjithashtu.

Nuk dihet se çdo ndodhë nesër. Kundërshtarët e Bashës brenda PD-së, në mënyrë të sinkronizuar, sot heshtën. Pati vetëm disa që shprehën zhgënjimin e tyre, por jashtë skemës së rivalëve. Me gjasë sot ata do flasin, pasi sovrani foli. Por nëse do të flasin, apo të veprojnë, të mendojnë pak më shumë. Çdo të ndodhte nëse Basha nuk do të bënte marrëveshjen e famshme? konica.al/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY