Mandija mbledh task-forcën, takimi i katërt për zgjedhjet

Mandija mbledh task-forcën, takimi i katërt për zgjedhjet

91
0
Shares
Sot u zhvillua mbledhja e katërt e Task-Forcës e cila diskutoi sipas rendit të ditës dërguar anëtarëve të saj dhe pjesëmarrësve në të nderkohe qe moren pjese edhe përfaqësues nga organizma të ndryshëm ndërkombëtarë, të cilët si zakonisht falënderohen për pjesëmarrjen dhe janë të mirëpritur në çdo mbledhje.

Si pikë e parë e rendit të ditës u diskutua lidhur me informacionin e kërkuar nga ministritë, institucionet e tyre të varësisë, prefekturat, bashkitë dhe entet publike apo shoqëritë shtetërore të zotëruara apo kontrolluara nga shteti. Rezulton se informacioni përsëri nuk është dërguar konsoliduar në mënyrën e duhur, pra që sekretariati i Task-Forcës të jetë në gjendje ta përpunojë në kohë të shpejtë.

Në këto kushte, iu bë thirrje edhe njëherë institucioneve të marrin masa të menjëhershme për ta sjellë të gjithë informacionin në mënyrën e kërkuar. Rrjedhimisht, kjo pikë u shty për shqyrtim në mbledhjen e radhës, të premten, datë 23.06.2017.

Njëkohësisht u kërkua nga Departamenti i Administratës Publike dhe Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil që sipas fushës së tyre të kompetencës të monitorojnë dhe marrin masa disiplinore në rastet kur nëpunësit civil nuk kanë përmbushur detyrat për raportim të saktë e të plotë referuar VKM-së më sipër. Ndërkohë edhe ministrave iu kërkohet të referojnë raste të tilla apo të marrin masa drejtpërdrejt në rastet kur janë vetë kompetent.

Lidhur me pikën e dytë të rendit të ditës nga raportimet e Ministrit të Brendshëm rezulton se nuk konstatohen probleme me listat e zgjedhësve, të cilat janë përditësuar me zgjedhësit që mbushin moshën për të votuar deri ditën e zgjedhjeve (përfshirë këtë ditë).

Nga Avokati i Popullit u ngrit shqetësimi për rreth 900 të dënuar që nuk kanë mundësi të votojnë për arsye se i kanë dokumentet e identifikimit nëpër komisariate apo prokurori, apo edhe për një pjesë të tyre që e kanë të pamundur pajisjen me karta identiteti pasi duke qenë se vuajnë dënimin nuk kanë të ardhura për të paguar tarifën për pajisjen me to. Për kategorinë e fundit të të dënuarve u diskutua që janë marrë masa për mbulimin e tarifës së aplikimit nga buxheti i shtetit, por raportim më i hollësishëm do të bëhet në mbledhjen e radhës.

Lidhur me pikën e tretë Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit dhe të Parave lidhur me shqetësimin e vëzhguesve vendorë për tërheqjet e parave gjatë muajit maj 2017 nga bankat e nivelit të dytë raportoi se nuk vërehet tërheqje jashtë trendit të viteve të kaluara dhe se nga analizat e kryera nga kjo drejtori nuk ka arsye të besohet se ka përdorim parave të paligjshme në fushatë. Gjithsesi u la detyrë që situata të vazhdojë të monitorohet intensivisht duke pasur parasysh edhe afrimin e ditës së zgjedhjeve. Nëse do të ketë informacione të rëndësishme pritet raportim nga drejtoria në fjalë dhe referim i rasteve pranë organeve ligj zbatuese dhe prokurorisë.

Lidhur me  pikën e katërt të rendit të ditës relatoi Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për shkelje të nëpunësve civilë në fushën e zgjedhjeve. Nga monitorimet e deritanishme rezulton se numri i mungesave pa arsye është rreth 100. Gjithsesi, secili nga këto raste mungesash po verifikohet me qëllim vlerësimin nëse edhe këta nëpunës civilë që kanë munguar pa arsye kanë lidhje me përfshirjen në fushatë apo mungesat pa arsye nuk kanë lidhje me zgjedhjet. Deri më sot informacioni është akoma në përpunim. Nëse do të ketë raste shkeljesh do të referohen për ndjekje disiplinore apo ndjekje penale, nëse do të jetë rasti.

Lidhur me pikën e pestë Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike raportoi se ka 14 raste shkeljesh që janë referuar për procedim disiplinor, të cilat janë në ndjekje e sipër. Njëkohësisht u raportua se janë pezulluar 24 nëpunës civilë për shkak kandidimi në zgjedhje.

Lidhur me pikën e gjashtë të rendit të ditës për shqetësimet e referuara nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit pranë Departamentit të Administratës Publike diskutimi u shty për diskutim në mbledhjen e radhës pasi informacioni është në përpunim.

Lidhur me pikën e shtatë të rendit të ditës sipas së cilës prokuroria pritej të dërgonte informacion  për kallëzime apo procedime që prekin sistemin e zgjedhjeve të lira si dhe statusin e secilës prej tyre nuk pati diskutim pasi një informacion i tillë pritej të vijë. Në këto kushte, Prokurorisë iu përsërit sot zyrtarisht ftesa për të dërguar sa më shpejt informacionin në fjalë.

Lidhur me pikën e tetë të rendit të ditës Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil relatoi se nga informacioni që disponon deri më sot nuk rezulton të ketë raste vonesash në dhënien e lejes për të shërbyer si komisionerë nëpunësve civilë.

Lidhur me pikën e nëntë sqarohet se deri më sot nuk rezultojnë vonesa në dhënien e lejeve punonjësve të administratës shtetërore për të shërbyer si komisionerë. Gjithsesi, ftohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që nëse konstaton raste konkrete vonesash t’i referojë pranë Task-Forcës.

Së fundmi, u ftua Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe u la detyrë për ministritë që të dërgojnë informacion lidhur me regjistrin e ankesave që administrojnë për shkeljet në fushën e zgjedhjeve duke treguar mënyrën se si janë trajtuar ankesat dhe përfundimet e arritura për to.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY