Ben Blushi në “Të Paekspozuarit”: Po qeverisemi keq, Rilindja parti brenda partisë,...

Ben Blushi në “Të Paekspozuarit”: Po qeverisemi keq, Rilindja parti brenda partisë, truk për ta nënshtruar dhe për ta përdorur PS-në

63
0
Shares

“Një shëtitje mes dëshpërimit” është titulluar puntata e rradhës e emisionit “Të paekspozuarit” të Ylli Rakipit, në TV Ora News, ku në fokus janë largimet masive të shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian.
I ftuar në studio është Ben Blushi, deputet i Partisë Socialiste, i cili ditët e fundit ka bërë kritika të forta ndaj qeverisë Rama.
Në pjesën e parë të emisionit u transmetua një material filmik nga jeta në Cakran të Fierit, ku ka pasur edhe largime të shumta të banorëve drejt vendeve të BE-së dhe kryesisht Gjermanisë.

Blushi: Eksodi si epidemi, ka humbur besimi te qeveria dhe opozita
Pas materialit filmik, deputeti Blushi e konsideroi një situatë dramatike ekspodin që po ndodh aktualisht me shqiptarët.
“Nevoja për të ikur nga Shqipëria po kthehet në epidemi. Shqiptarët kanë pasur gjithmonë arsye të iknin nga Shqipëria. Por nuk ka rast më tragjik se kjo që po ndodh. Se ikën në fillim, në eksodin e ’91 dhe u larguan me idenë që do të ktheheshin. Pati eksod edhe në ’97 për arsyet që dihen. Por ky që po ndodh është akumulim i dëshpërimit dy vjet pasi shqiptarët votuan për të ndryshuar qeverinë. E dini pse është më e rëndë? Se deri më 2013 nuk kishte shpresë te qeveria por te opozita. Ndërsa tani nuk ka besim as te qeveria dhe as te opozita. Pra, kemi një deshpërim që po kthehet në epidemi. Po na bie popullsia. Nuk ka asnjë popull në botë që ka humbur 30% të popullsisë dhe këtu nuk ka luftë civile, grupe terroriste, konflikte fetare apo etnike, për cfarë duan të ikin shqiptarët?”, shprehet Blushi.

Blushi: Nuk i besoj shifrave të qeverisë për punësim
Deputeti socialist deklaroi se nuk i beson shifrave të qeverisë për punësimin, çka sipas tij e tregojnë shifrat e largimit.
“Më 2014 kanë ikur nga Shqipëria 40 mijë banorë, është njësoj sikur fshihet Pogradeci. Nëse qeveria jep shifra të pabesueshme, atëherë kjo rrit dëshpërimin te shqiptarët”, u shpreh Blushi.
Ai deklaroi se “është qeverisja e keqe si metodë që ka akumuluar dëshpërim”.
Blushi ka deklaruar se burimet natyrore të Shqipërisë po administrohen keq dhe kjo ka shkaktuar dëshpërim te shqiptarët.
Ai deklaroi se eksodi po ndodh pas ngjarjeve të 2-3 muajve të fundit që iu shtua problemeve të mëparshme.
“Cfarë ka ndodhur këto 2-3 muaj? Pati përmbytje që nxorri në pah mjerimin. Shqiptarët e kuptuan se shteti nuk të mbron, por të bezdis, atëherë kur nuk ke mundësi. Ka pasur situata me tritol dhe kjo ka impakt te njerëzit. Pati një fushatë selektive të mbledhjes së detyrimeve të energjisë elektrike, çmimi i energjisë u rrit për këta fukarenj. U futën në burg fukarenj, por asnjë i pasur”, deklaroi Blushi.
I pyetur nga gazetari Rakipi për strategjitë e zhvillimit që ka qeveria, Blushi deklaroi se Shqipëria zhvillohet me model.
“Si po i shpërndan shteti paratë që mbledh nga taksat? Shteti që ishte deri dje dhe ky që kemi sot, në linja të përgjithshme e shpërndanin njësoj atë që iu mbledh njerëzve. Nuk ka rritje të buxhetit në arsim, apo në shëndetësi. Inercia ka shkaktuar dëshpërim te njerëzit”, u shpreh Blushi.

Blushi: Borxhin më të madh të energjisë e kanë të pasurit, burgosen të varfërit
Deputeti socialist shtoi se 60-70 për qind e borxhit në energji e kanë të pasurit, ata që kanë fabrika dhe industri dhe jo të varfërit, ndërkohë që asnjë i pasur nuk është future në burg.                 “Prandaj them që ka dështuar modeli. Një i pasur nuk duhet të trajtohet njësoj si një i varfër. Ka humbur shpresa e fundit, që ishin zgjedhjet dhe njerëzit nëpërmjet ndërrimit të qeverive shpresuan. Por ndodhi sërish inercia dhe sistemi po kthehet favorizues për një pjesë të shqiptarëve, atyre që janë të pasur. Të pasurit dhe të varfërit janë të ndryshëm në pasuri, por jo në të drejta. Perceptimi i shqiptarëve është që kjo qeveri nuk i barazoi të varfërit dhe të pasurit në të drejta dhe ata kanë vetëm një rrugë, të largohen dhe kjo po ndodh. Është një fazë dëshpërimi akut dhe nëse nuk do të ishte BE që do t’i kthente mbrapsht, këtu do të iknin 1 milion njerëz”, deklaroi Blushi.

Blushi: Po qeverisemi keq, Rilindja parti brenda partisë
Gazetari Ylli Rakipi ka pyetur deputetin Blushi për kritikat e tij për Rilindjen.
“Ka qenë një amballazh dhe koha e tregoi këtë. Unë nuk para besoj shumë, por ka pasur njerëz që e kanë besuar këtë. Unë jam i dëshpëruar si ata, edhe pse kam mundësi të paguarj faturën e dritave dhe karburantin e makinës. Për një shoqëri që është çdo ditë e më pak e arsimuar, shqiptarët ushqehen më keq së vendet e tjera, kanë korrupsionin më të lartë se fqinjët. Pse këta popuj kanë aftësi shtetformuese më të mira se ne? Nuk dua ta besoj se nuk kemi aftësi genetike për t’u qeverisur normalisht, por në fakt po qeverisemi më keq. Të gjithë treguesit e tregojnë këtë: ka rënë konsumi, cmimi i energjisë dhe i karburanteve është më i larti në rajon. E kam përshkruar Rilindjen si një parti brenda partisë. PS nuk është pronë publike, por pasuri kombëtare, një instrument politik si partia më e madhe që iu jep njerëzve mundësi të ndryshojnë jetën e tyre përsa kohë ka kërkuar vota. Nëse PS nuk është demokratike dhe nuk është e tillë, më beso mua, si mund të jetë Shqipëria dmeokratike?!” ka deklaruar Blushi.
Ai ka shtuar se “një parti e madhe, duhet të funksionojë si shoqëri aksionere, ku aksionerët mblidhen dhe zgjedhion administratorin. Por kjo nuk do të thotë që administratori të kthehet në pronar” . “Rilindja është një parti brenda partisë që po shkatërron partinë”, ka thënë Blushi.

Blushi: Edi Rama u zhduk pas zgjedhjeve, ministrat i shpalli në televizor
I pyetur për faktin se përse Blushi nuk është pjesë e kabinetit qeveritar, deputeti socialist deklaroi se zgjedhjet i fitoi PS dhe jo Rama.
“Kryeministri u zhduk pas zgjedhjeve dhe doli vetëm 1 herë në televizion dhe tha kjo është qeveria ime. Më mirë që nuk jam në qeveri se nuk mbaj kosto për këtë dëshpërim të shqiptarëve.”, deklaroi Blushi. Ai shtoi se ministrat e zgjedhur nuk kanë pasur hapësirën dhe lirshmërinë për të bërë gjëra.

Blushi: Rilindja, truk për ta nënshtruar PS dhe për ta përdorur
Blushi ka deklaruar se qeveria ka devijuar nga parimet e saj dhe nga ato për të cilat u zgjodh.
“Unë duhet të bëj sot një ndarje mes PS dhe Rilindjes. Shqiptarët besojnë se Rilindja ishte një truk për ta nënshtruar PS dhe për ta përdorur, për t’i marrë votuesit dhe për t’i nënshtruar. Socialistët e thjeshtë e bëjnë këtë dallim”, është shprehur Blushi.

Blushi: PS nuk vinte dot në pushtet pa LSI
I pyetur për bashkëpunimin me LSI, Blushi deklaroi se e ka mbështetur koalicionin me Metën. “Është një skemë e ndarjes së pushtetit për të cilën nuk jam kundër. PS nuk vinte dot në pushtet e vetme”, u shpreh Blushi.

Blushi: Kundër liberalizimit të kanabisit
Deputeti socialist ka komentuar edhe idenë e liberalizimit të kanabisit, të hedhur nga deputeti socialist Kokëdhima.
“Unë jam kundër që të bëhet kultivimi i kanabisit. Nëse tregu botëror do e kërkonte këtë gjë, do e kishin bërë vendet e tjera. Ne kemi shumë pak tokë, edhe po ta mbjellim të gjithë me kanabis nuk do konkurronim dot Serbinë. Kultivimi i kanabisit nuk e nxjerr vendin nga kriza, ky nuk mund të jetë model dhe reformë për të rritur buxhetin, pagat e pensionet, për të qenë më konkurrues. Si mund të kemi dy standard, që para 6 muajve ua mbyllëm parcelat njerëzve në Lazarat dhe tani të themi që pas 1 viti do e kultivojmë”, ka deklaruar Blushi.

Blushi: Ka edhe deputetë që mendojnë si unë
I pyetur nga gazetari Rakipi për kritikat që kanë bërë në adresë të tij një pjesë e deputetëve Blushi ka deklaruar: “Ka shumë kolegë të mi që mendojnë si unë, ka edhe nga ata që mendojnë kundër. I ftoj të më shajnë nëse mendojnë se mund të zgjidhin ndonjë gjë”, ka thënë Blushi.

Blushi: Sot shoqëria është pesimiste
Duke iu rikthyer çështjes  së eksodeve dhe librit “Hëna e Shqipërisë”, gazetari Rakipi ka pyetur deputetin socialist nëse shqiptarët janë një popull i eksodeve.
“Pamjet e anijeve në vitin ’91 janë biblike. Unë lexoj pesimizmin e shoqërisë dhe sot ato janë fakte. Më tregoni një optimist të vertetë që shpreson se nesër do të jetë më mire, vështirë ta gjesh. Premisa që unë nisa të shkruaj këtë libër ishte vetëm një e dhënë që e gjeta në parashikimin e OKB për rritjen demografike të botës. Kjo e dhënë tregon se pas 100 vjetësh Shqipëria pritet të shkojë nga 2.8 milionë banorë që ka sot në 1 milionë banorë. Unë thashë si ka mundësi? Analizova një sërë arsyesh dhe kështu u shkrua ky libër, bazuar edhe sesi kemi ardhur ne përgjatë historisë”, u shpreh Blushi.
Duke vijuar analizën e tij, Blushi shtoi se në 500 vjet ne jemi shtuar me 4-5 herë, ndërsa vendet e tjera me 20 herë dhe kjo ka ndodhur për shkak të keqqeverisjes.
“Në një kuptim historik shqiptarët mbeten popull i palumtur dhe pesimist dhe ky pezimizëm është burim i kësja që po ndodh”, ka thënë Blushi.

Blushi: Eksodi, ne eksportojmë model negativ në Kosovë
I pyetur për ngjashmëritë mes Shqipërisë dhe Kosovës, e cila gjithashtu po vuan nga eksodi, Blushi ka shpjeguar se të metat e mbledhura në 2 vitet e fundit po ia infektojmë edhe Kosovës. ‘Ne eksportojmë model negativ në Kosovë”, ka thënë Blushi.
Deputeti socialist deklaroi se ne nuk jemi popull endacak . ‘Nuk kemi arsye genetike, arsye klimaterike, arsyet janë vetëm administrimi. Nëse vazhdojmë të administrohemi kaq keq dhe  demokracia kthehet në një regjim që nuk ndryshon, por thjesht ndryshon nga e majta dhe pastaj e djathta, njerëzit do të ikin” u shpreh Blushi.

Blushi: Ikja nga Shqipëria e të pakënaqurve, opozita ka frikë se i ikin votuesit
I pyetur nga gazetari Rakipi për rolin e opozitës, Blushi deklaroi se është e natyrshme që ajo ta shfrytëzojë këtë. “Opozita ka frikë se me rritjen e shkallës së të larguarve nga Shqipëria, që presupozohet që janë të pakënaqurit, opozitës i ikin votuesit. Unë po lexoj panikun e tyre.  Besimi që shqiptarët i dhanë qeverisë në zgjedhje, tani nuk është më. Arsyet janë rritja e papunësisë, rënia e konsumit, rritja e çmimit të energjisë, karburanteve, rritja e nivelit të borxhit”, ka thënë Blushi.
Sipas tij, pasiguria dhe pesimizmi që ka përfshirë shqiptarët do të çojë në ulje të lindshmërisë dhe plakje të popullsisë, duke humbur avantazhin që kishte Shqipëria si popull me moshë të re.

Blushi: Në Parlament njerëz të pasur, për të blerë votën
I pyetur nga Ylli Rakipi për të pasurit që po hyjnë në politikë, ndryshe nga sa ndodh në botë, Blushi ka deklaruar se modeli është i tillë që inkurajon të pasurit se kanë mundësi të blejnë vota dhe influencë.
“Nuk është fatkeqësi ta kesh babanë e varfër, por kur pushteti nuk të ndihmon dhe të lë në nivelin e babait tënd, atëherë  detyrohesh të ikësh. Modeli aktual ndihmon vetëm të pasurit që të bëhet deputet apo kryetar bashkie, apo drejtor. Një grusht njerëzish që kanë para sot po futen në parlament. Nga 2001 deri më 2015 gjithmonë e më shumë të pasur hyjnë në parlament dhe diferenca me Evropën edhe në këtë rast është e frikshme. Ka pasur njerëz nga ’91 deri më 2001 që kanë qenë të varfër dhe kanë hyrë në parlament që të pasurohen, por kjo nuk ndodh më. Tani në parlament po hyjnë vetëm të pasur. Është gabim nëse të pasurit duan të hyjnë në parlament, por ata i tërheqin që të financojnë fushatën, të blejnë vota dhe influencë”, është shprehur Blushi.

Blushi: Disa qytete të vogla për 50 vjet do zhduken
Deputeti socialist ka komentuar edhe migracionin që po ndodh në Shqipëri. “Jënë 3-4 qytete të mëdha që po grumbullojnë njerëzit dhe energjinë, ndërsa ka disa qytete të vogla që për 50 vjet do të zhduken”, ka deklaruar Blushi.

Blushi: Evropa e dobësuar, ne duhet të na kishte pranuar
I pyetur nga gazetari  Rakipi për integrimin në Bashkimin Evropian, Blushi deklaroi se është shpëtim fakti që jemi afër Evorpës.
“Evropa nuk është në ditët e saj më të mira. Evropa shkëlqente më shumë në botë në vitin ’91. Sot nuk është kështu. Kriza e zgjatur ekonomike, plakja demokrafike, konfliktualiteti dhe vitet e fundit edhe dominimi nga Gjermania e kanë dobësuar pak dhe kjo na ndikon dhe ne. Na ndikon pasi Evropa e lodhur nga zgjerimi e ka shtyrë Evropën të na lëjë në pritje. Do të ishte mirë të na kishte futur më shpejt se 3 milionë banorë jemi”, është shprehur Blushi.

Blushi: Arsimi është shkatërruar në vite. Jam pesimist për reformat që ka marrë qeveria
I pyetur për gjendjen e arsimit, deputeti socialist deklaroi se ky sektor është shkatërruar në vite.
‘Masat e ndërmarra në vite e kanë shkatërruar arsimin. Reforma në arsim me liberalizimin e universiteteve dhe konkurrenca e padrejtë mes privatit dhe publikut çoi në një xhungël që i shkatërroi të dyja. Duhen masa radikale që gjendja të ndryshojë. Qeveria mori nisma në fillim, por ato u dobësuan rrugës dhe unë sot jam pesimist”, u shpreh Blushi.

Blushi: Personazhet politike sot, njësoj si prefekti në filmin “Koncert në vitin 1936″
Ai deklaroi se personazhet politike sot në Shqipëri janë të njëjtë me ata të filmit “Koncert në vitin 1936″. “Unë kam përdorur në librin tim personazhet e filmit, si prefekti që i gjen sot në Shqipëri. Mentaliteti ka ndryshuar shumë pak”, ka thënë Blushi.

Blushi: Borxhi ynë nuk është ulur që nga viti 1997
Deputeti socialist ka folur edhe për rritjen e borxhit, si një shqetësim për ekonominë dhe vendin.
“Gati 1 miliard dollarë borxh ka marrë kjo qeveri në 2 vjet, me argumentin se do të lajë borxhet e qeverisë së mëparshme. BE e ka pasur limitin e borxhit si detyrim. Unë e kam propozuar në parlament që të vendoset në Kushtetutë që borxhi të mos kalojë një limit. Ne kemi 7.2 miliardë dollarë borxh dhe nga viti 1997 borxhi ynë nuk është ulur, tani ka arritur në 72-73%. Si do ta paguajmë ne këtë borxh, duke parë Greqinë, a i kemi ne mundësitë për ta shlyer? Burimet tona po përdoren shumë keq. Shpenzimet për borxhin pengojnë që sot të mos kemi paga e pensione më të larta, shkolla e rrugë më shumë”, ka deklaruar Blushi.

Blushi: Zgjedhjet e 21 qershorit, koalicioni i majtë, besueshmëri te aleatët
I pyetur nga gazetari  Rakipi për zgjedhjet lokale dhe koalicionet , Blushi ka deklaruar se kjo tregon besueshmërinë ndaj mazhorancës.
“Ne jemi në pushtet dhe rrezatojmë një farë energjie, më shumë se opozita që merr kauza spontane dhe më pas i prish edhe kur qeveria ia dhuron. Pra, një koalicion më i gjerë tregon një shkallë besueshmërie te aleatët”, ka thënë Blushi.
Deputeti socialist deklaroi se procesi i përzgjedhjes së kandidtaëve duhet të ishte më transparent. “Unë besoj se duhet respektuar statuti. Në thelb mendoj se me një proces më kolegjal dhe fushata do të ishte më e lehtë dhe më e përballueshme se qeveria ka kosto edhe për 2 vjet”, ka thënë Blushi.
I pyetur nëse eksodi i kohëve të fundit do të ndikojë te zgjedhjet lokale, deputeti socialist deklaroi se duhet parë nëse do të  ketë braktisje të votimeve. “Njerëzit kanë arsye më shumë të votojnë për mazhorancën sesa për opozitën. Dikush që dëshpërohet nga qeveria dhe ka shumë të tillë se kanë pritur më shumë, votën e tyre nuk ia japin opozitës. Kjo tregon se dëshpërimi është më i lartë se kurrë. Në këto zgjedhje duhet parë braktisja, pra sa njerëz do ta braktisin sistemin tonë”, ka argumentuar Blushi.
I pyetur për opozitën dhe kryetarin e saj Lulzim Basha, Blushi deklaroi se Shqipëria ka shumë nevojë për opozitë.

Blushi: Momentet e mia më të vështira në PS në vitet 2012-2013
Ndërsa për kritikat ndaj mazhorancës dhe pyetjes së gazetarit Rakipi për një largim të mundshëm, Blushi deklaroi se ka pasur momente të vështira në vitin 2012-2013.
“Më është dukur se në atë periudhë rrugët e mia u mbyllën me PS. Nuk është dhe nuk ka qenë zgjedhja ime, nuk do ta uroja. Besoj se PS siç është sot po i kufizon hapësirat e lirisë shumë njerëzve, përfshi dhe mua. Por kjo nuk do të thotë se nuk kam shpresë se gjërat nuk do të ndryshojnë rrugës. Dështimet i ndihmojnë partitë të përmirësohen”, ka deklaruar Blushi.
I pyetur për të përditshmen e tij, Blushi deklaroi se iu është kthyer shkrimeve të publicistikës.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY