Për rreth një orë, ish-kreu i Policisë së Shtetit Artan Didi dëshmoi sot për Task Forcën në prokurorinë e Tiranës, si person që ka dijeni në lidhje me kërkesën e Interpol Brukseli, dërguar palës shqiptare për arrestimin e deputetit të mazhorancës Mark Frroku, i kërkuar nga Belgjika për vrasjen e Aleksandër Kurtit 16 vite më parë.
Artan Didi mësohet të ketë deklaruar sot se ai nuk kishte dijeni kur kishte mbërritur, por se ai për herë të parë me këtë kërkesë ishte njohur më 27 mars pasi këtë kërkesë, ia kishte përcjell zyra e Interpol Tiranës drejtuar nga Artan Bajraktari.
Burime nga akuza thanë se Didi ka shpjeguar se pasi është njohur me kërkesën ja ka përcjellë menjëherë prokurorisë dhe se nuk e ka penguar për asnjë sekond kërkesën për prangosjen e Frrokut.
Më 30 mars ish-kreu i Interpol Tiranës Artan Bajraktari dhe vartësja e tij Laureta Alla u arrestuan nën akuzën e shpërdorimit të detyrë dhe hetimet për këtë çështje janë ende të hapura.
Pas arrestimit të dy efektivëve të Interpol Tiranës, Artan Didi dha dorëheqjen nga numri një i policisë duke argumentuar se merrte përsipër përgjegjësinë morale.
Aktualisht dy ish zyrtarët e Interpolit hetohen në gjendje të lirë pasi gjykata vendosi ndaj tyre masën e sigurisë detyrim paraqitje.






