Nëna e Altin Alukut, autorit të dyshuar për vrasjen në Kashar, e dënon krimin e kryer nga i biri dhe kërkon që Drejtësia të japë dënimin që ai meriton.
Megjithatë ajo shprehet se ngjarja nuk ka lidhje me fejesën e prishur mes të birit dhe vajzës së viktimës, pasi ajo krushqi tashmë ishte harruar.
“Nuk di ç’të them për këtë veprim të tij. Para dy muajsh djalin tim e rrahën në rrugë, teksa ishte duke u kthyer nga një ditëlindje e shokut të tij. Kur erdhi në shtëpi, e kishin masakruar. Ka ndenjur në shtëpi pa dalë për rreth dy muaj, madje nga e rrahura kishte edhe hemorragji herë pas here. Djali na tha në atë kohë se e kishin rrahur të afërmit e vajzës me të cilën kishte qenë i fejuar dhe ne kemi dyshimet tona, sepse kur u nda atëherë djali im nga vajza e Lutfiut, daja i vajzës ka ardhur në shtëpinë tonë dhe ka thënë se nuk do e linte hakun pa marrë për këtë histori”, tregon e ëma e autorit të dyshuar.
Nëna e 39-vjeçarit të arrestuar mëngjesin e djeshëm nga policia, sqaron të gjitha lidhjet që kanë pasur me familjen e 59-vjeçarit, Lutfi Xhaferri, i cili mbeti i vrarë nga plumbat e kallashit, ndërsa u plagos gruaja e tij, Naimja. Por, në familjen Aluku është arrestuar edhe kryefamiljari, Skënderi, për të cilin vajza e tij, Edlira shprehet se nuk ka lidhje me ngjarjen.
Sa për arrestimin e të shoqit, për shkak të 170 fishekëve që iu gjetën në shtëpi, ajo shprehet se as ajo, as i shoqi nuk kishin dijeni për armën dhe municionin që mbante i biri. Madje edhe ngjarjen e kanë mësuar kur Policia ka shkuar në shtëpinë e tyre për kontroll.
“Babi nuk ka lidhje me këtë histori, as me fishekët që policia ka gjetur në shtëpinë tonë, prandaj ai duhet të lirohet”, shprehet motra e autorit të ngjarjes në Kodër Kashar.
Mund të na tregoni se çfarë lidhjeje keni pasur ju me familjen Xhaferri dhe konkretisht djali juaj me këtë familje?
Djali im, Altini, para afro 7 vitesh ka qenë i fejuar me vajzën e Lutfi Xhaferrit, M., me të cilën qëndroi i fejuar rreth 7 muaj dhe më pas u ndanë. Djali im me vajzën e familjes Xhaferri janë martuar me shkuesi dhe për të bërë këtë fejesë ka ndërhyrë daja i vajzës. Ne jemi njohur me familjen Xhaferri përmes kësaj fejese dhe kjo ka qenë lidhja që ne kemi pasur me këtë familje.
Përse u nda djali juaj nga vajza e viktimës, Luftiut?
Pasi u fejuan, filluan të kishin probleme, nuk kuptoheshin për shumë gjëra dhe djali im vendosi që të ndaheshin, por që prej asaj kohe nuk kishin pasur probleme dhe gjërat ishin sqaruar.
Po atëherë, përse djali juaj ditën e diel qëlloi me armë ishvjehrrin e tij dhe plagosi nënën e ishsë fejuarës?
Nuk di ç’të them për këtë veprim të tij. Para dy muajsh djalin tim e rrahën në rrugë, teksa ishte duke u kthyer nga një ditëlindje e shokut të tij. Kur erdhi në shtëpi, e kishin masakruar. Ka ndenjur në shtëpi pa dalë për rreth dy muaj, madje nga e rrahura kishte edhe hemorragji herë pas here. Djali na tha në atë kohë se e kishin rrahur të afërmit e vajzës me të cilën kishte qenë i fejuar dhe ne kemi dyshimet tona, sepse kur u nda atëherë djali im nga vajza e Lutfiut, daja i vajzës ka ardhur në shtëpinë tonë dhe ka thënë se nuk do e linte hakun pa marrë për këtë histori.
Ju kishte thënë gjë djali se çfarë planesh kishte, ose ndoshta ju kishte rrëfyer në ndonjë moment se do hakmerrej?
Jo, po të na kishte thënë djali se çfarë planesh kishte, ne nuk do e kishim lënë të shkonte puna deri këtu. Më parë të qëllonte mbi mua, se mbi ata. As na e kishte përmendur se çfarë do bënte. Gjithë natën para ngjarjes ka ndenjur në kuzhinë duke pirë raki dhe në mëngjes ka marrë armën, që nuk e di se ku e ka gjetur, dhe ka shkuar atje. Unë lajmin e mora vesh vetëm kur më erdhi policia në shtëpi. Edhe mua me këtë histori m’u mbyll dera, sepse djali im i vetëm do kalbet në burg.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/