Rritja e këtyre dy taksave dy vitet e fundit vetëm sa ka reduktuar bazën e tatimpaguesve dhe nuk ka sjellë më shumë të ardhura në buxhet …
Dhoma Amerikane e Tregtisë ka përfunduar sugjerimet e saj për paketën fiskale, që do t’i dërgohen Ministrisë së Financave. Dhoma ka përsëritur me forcë qëndrimin e saj për uljen e tatim fitimit, që u bë 15 për qind në 1 janar 2014, nga 10 për qind që ishte më parë dhe dividendit, i cili u bë gjithashtu 15 për qind nga 1 janari 2015.
Sipas material që do u dërgohet Ministrisë së Financave, “Dhoma Amerikane e Tregtisë vazhdon të jetë e mendimit se është e nevojshme të bëhet një rishikim dhe ulje e normës së tatimit mbi fitimin si dhe ulje e normës së tatimit mbi dividentin. Performanca e këtyre dy viteve ka treguar se nuk janë arritur qëllimet (pra mbledhja e një shume më të lartë tatimi) përkundrazi rezulton se është reduktuar baza e tatimpaguesve”.
Ky rishikim, sipas Dhomës:
-do të nxiste rritjen ekonomike nëpërmjet riinvestimit të të ardhurave më të larta “në duart” e bizneseve;
-do të ulte shkallën e evazionit fiskal, e cila qartësisht dhe lehtësisht evidentohet në treg në shumë sektorë të ekonomisë;
-do të rriste interesin për FDI-në, duke e barazuar ose sjellë në nivele të ngjashme me vendet e rajonit.
Dhoma ka kërkuar edhe rishikim të normës së tatimit mbi të ardhurat personale nga paga, duke ulur nivelin e shkallës së tatimit mbi të ardhurat personale në mënyrë që shkalla e tatimit të jetë më pak progresive.
“Nuk është e drejtë që një punëmarrës të paguajë tatim mbi të ardhurat personale më shumë se sa një biznes që paguan tatim të thjeshtuar mbi fitimin apo tatim mbi fitimin, apo ortakët dhe aksionerët që paguajnë një normë më të ulët të tatimit mbi dividentin. Norma e tatimit mbi të ardhurat duhet të jetë e tillë që të mos diskriminohet punëmarrësi kundrejt personit fizik tregtar”, thuhet në materialin e Dhomës.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/