Shtetasi italian Salvatore Lettizia, njëri prej tre të ndaluarve menjëherë pas krimit jo vetëm që dyshohet se ishte vrasës me pagesë por dhe anëtar i Camorras në Itali.
Prishja e pazareve te drogës dhe një vrasje e ndodhur në Holandë para një muaji dyshohet se janë shkaqet e përplasjes me armë mes bandave në bulevardin “Zogu I” parë më 27 maj 2015.
Burimet e policisë bëjnë të ditur se 34 vjeçari nga Napoli, me disa precedentë penale në Itali për trafik armësh dhe trafik droge, rezulton që në Tiranë të ketë mbërritur me misionin e vrasësit me pagesë.
Për drejtësinë italiane emri i Salvatore Lettizia është mjaft i njohur. Përveç dy rasteve ku ai ka pasur përballje direkt me policinë napolitane, një herë si i arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe herën tjetër si i plagosur, ndaj tij ende nuk janë mbyllur hetimet për pjesëmarrje në organizata mafioze.
Në vitin 2001, ditën e Shën Valentinit, ai është plagosur në këmbë, gjatë një shkëmbimi zjarri me automatik, ku mbeti i vrarë në derën e shtëpisë shoku i tij, Ferdinando Latino. Kjo ngjarje ndodhi gjatë një përleshjeje të armatosur mes dy klaneve të Camorras, klanit PiccoloLettizia dhe atij Belfore. Policia italiane arrestoi për këtë ngjarje 10 persona, ndërsa Salvatore Lettizia arriti t’u shpëtonte prangave. Por 6 vjet më vonë, nuk e pati këtë fat. Më 21 janar të vitit 2007, ai u arrestua në një zonë industriale të Napolit, bashkë me mikun e tij Giovanni Timbone, pasi u kapën me pistoleta që ua kishin fshirë numrat serialë.
Salvatore Lettizia konsiderohet si kapoja i një prej klaneve mafioze të Camorras, që njihet me emrin Piccolo-Lettizia.
Gjithashtu ai është nipi i Armando Lettizia, aktualisht 61 vjeç, i arrestuar me bujë në Napoli në vitin 2009, si një prej urdhëruesve kryesorë të vrasjeve për llogari të Camorras dhe pjesë e një prej familjeve më të mëdha mafioze.
Në atentatin e ndodhur në Tiranë mbetën të vrarë Mentor Lufi, Gerti Goxhaj, Besnik Sulku si dhe janë arrestuar Salvatore Lettizia, Markeljan dhe Klevis Doçi.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/