Berisha: Rama po fut sherrin në rajon, gaboi me Maqedoninë

Berisha: Rama po fut sherrin në rajon, gaboi me Maqedoninë

74
0
Shares

Politika e jashtme që po ndjek qeveria shqiptare në raport me fqinjët e saj në rajon, në këndvështrimin e ish-kryeministrit Sali Berisha është konfliktuale.
Në një intervistë për TV Klan, duke iu referuar mesazhit që Kryeministri Rama i përcolli Greqisë në konferencën për shtyp me Kryeministrin Vuçiç, Berisha thotë se kjo është një formë e vjetër e politikës së jashtme dhe e papranueshme.
Rezervat për qeverinë nuk i kursen edhe për sa u përket marrëdhënieve me Maqedoninë. Ish-kreu i qeverisë e quan të gabuar deklaratën e Kryeministrit shqiptar në lidhje me të ardhmen e Maqedonisë në NATO.
Për sa i përket vizitës së Kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç, Berisha thotë se ajo ishte pozitive, ndonëse nuk shënoi ndonjë hap konkret dhe shpreh rezerva për cilësimin e saj si “vizitë historike”.
Ish- Kryeministri ndalet te fushata zgjedhore, duke iu përgjigjur së pari interesit se përse ai ka qëndruar larg saj, ndonëse në parlament është ai që udhëheq aksionin politik të opozitës.
“PD ka një kryetar, ai është Lulzim Basha”, shprehet Berisha.
Ai e konsideron të suksesshme dhe si ringjallje të shpresës për shqiptarët, atë të opozitës. Ndërsa për sa i përket fushatës së mazhorancës, ka kritika të forta kryesisht për kryeministrin dhe raportin e tij me premtimet e bëra dy vjet më parë.
Dekriminalizimi thotë se është një proces i pandalshëm për opozitën dhe se e vetmja pengesë për këtë proces është kreu i mazhorancës.
Ish-kryeministri Berisha ka një përgjigje edhe për investigimin e Ambasadës Amerikane, që gjeti persona me rekorde kriminale në listat e kandidatëve të disa partive.
Zoti Berisha thotë se në këto dy vite qeveria është përfshirë në disa skandale, e këtu përmend atë më të fundit, vjedhjen e madhe me fondin e ilaçeve të rimbursueshme.

Intervista e plotë

Faleminderit që pranuar këtë intervistë për TV Klan…
Kënaqësia është e imja

Ju kemi parë të distancuar nga fushata elektorale por nga ana tjetër jeni shumkë aktiv në Parlament ku drejtoni të gjithë aksionit politik të opozitës. A lidhet kjo me ndonjë vendim tuajin?
Çdo betejë ka një komandant. Komandanti i kësaj beteje është kryetari i Partisë Demokratike. Unë nuk marr pjesë në fushatë, përpiqem anësisht të jap kontributin tim me qëndrimet e mia në Parlament, me prononcimet e mia në FB, me mendime kur më pyesin, por kam qëndruar dhe do qëndroj jashtë fushatës. Kam dhënë dorëheqjen dhe dorëheqja ime nuk shkon me fushatën.

Ndërsa ju flisni për problem konkrete në parlament duket sikur oferta e PD për këto zgjedhje më shumë se sa e bazuar tek problematika që ka në fakt pushteti vendor duket si një betejë për zgjedhjet parlamentare, flitet për ulje të çmimit të energjisë elektrike, flitet për ulje të çmimit të naftës, që të gjitha këto në fakt janë attribute të qeverisjes qëndrore…
Po, por kemi parasysh një moment. PD dhe kryetari i saj i drejtohet elektoratit më të mashtruar në historinë e vendit pas diktaturës, elektoratit më të mashtruar në Europë. I drejtohet një elektorati i cili po përjeton një varfëri të frikshme në rritje, një papunësi të frikshme në rritje, po përjeton një ndëshkim të pamerituar me çmime që shkojnë në stratosferë, me çmimin e energjisë dhe çmime të tjera me rritje te pandalshme dhe së shpejti do dyfishohet dhe çmimi i ujit. Atëherë kryetari i PD është i detyruar dhe e ka mision të parë, të ngjallë shpresën, ti ftojë qytetarët që të japin me votën e tyre verdiktin, se nuk janë dakort me një politikë të tillë. Ndërkohë lokalisht, psh unë ndjek fushatën e Dr Halim Kosovës, një fushatë e tëra e përkushtuar si asnjëherë tjetër më qytetarin dhe për qytetarin, një fushatë e cila i adresohet e tëra shërbimeve, menaxhimit të qytetit. Natyrisht një lider politik qëndror ka zgjedhur të bëj një fushatë shpresëndjellëse për shqiptarët, pasi ky (Rama) ka vrarë shpresën. Pse po ndodh eksoidi. Eksodi ndodh se njerëzit nuk kanë shpresë se në këtë vend mund të jetojnë më.

A nuk ju duket në fakt se po lihen në dorë të dytë programet e kandidatëve sespe në fund do ti votbesojnë shqiptarët, sepse kjo është një votë për kandidatët…?
Jo. Kandidatët kanë secili programin e tyre. Tirana ka të vetin, Durrësi, Vlora, Shkodra, Korça, Elbasani, Fieri kanë të tyret, me specifikat e veta, por të gjitha kanë një gjë të përbashkët, se nesër të fituar, secili prej tyre ka mundësi të plotë të uli taksat, brënda ligjit 30 % dhe unë i përgëzoj që e premtojnë këtë.

Po fushatën e kundërshtarit si e shikoni?
Unë mund të them se Edi Rama po përsërit plazhin public lakuriq në një formë tjetër. Natyrisht po del i veshur, madje me antiplumb. E saktë kjo. Por po shkon si afrodiziak, po shkon si një njëri me psikozë seksuale, ku ne çdo takim shqipëron fjalë që smund ti thotë kurrë një burrë në public, si psh të zhvesh gruaja cullak kur hyn brenda apo si ajo e drejtimit dhe çeshtje të tjera që janë të papranueshme për staturën e një njëriu normal. Nuk është një estradë ajo, nuk është një skeç, nuk është një shfaqje afrodiziake. Kjo është një fushatë elektorale, ka etikën e vet. Ju e keni vënë re, dy gjëra ka ai në këtë fushatë. Së pari, burri thotë kshu gruaja thotë kshu, burri është pijanec, gruaja ta mbledh dhe kjo është i gjithë togfjalëshi i tij i varfër dhe së dyti, letrat e mashtrimit, letrat pa vlerë, letrat e legalizimit të cilat janë absolutisht pa vlerë. Sepse ky në fushatë tha se Enver Hoxha të zgjohet nga varri nuk do ja u prek shtëpitë qe i keni pa leje por ne legalizim dhe ne fakt prishi me mijra ndaj ato letra nuk kanë asnjë vlerë tjetër vetëm të mos u preket shtëpia. Po kjo nuk ka asnjë garanci sepse ai nuk i qëndron asnjë fjale. Së dyti, ky po pregatit ligjin e konfiskimit te banesave.Brenda 6 muajve nëse nuk bën pagesën, dhe pagesat i ka të kripura, ky do tu konfiskojë shtëpitë. Sigurisht ne nuk do ta lejojme. Deshi të konfiskonte shtëpinë edhe për energjinë po e pa që s’mund të bëhej, por ky ka gati ligjin se do u konfiskojë shtëpitë po nuk paguan.

Për tu rikthyer te një cështje shumë e rëndësishme, marrëveshja e 24 dhjetorit për dekriminalizimin duket sikur ka mbetur në letër. Në fakt kjo kauzë u trumbetua me forcë të madhe nga PD. Çfarë do bëj PD për këtë aksion. Në dijeninë tuaj a ka kandidatë në listën për kryetarë bashkish apo këshilltarë bashkiak me rekorde kriminale. Kam parasysh këtu deklaratën e amb amerikan Donald Lu i cili tha se i kishte vënë në dijeni partitë politike për prezencën e këtyre individëve me rekorde kriminale…
Ajo çka unë mund t’ju siguroj janë së pari, PD ka vullnet të hekurt për ti shkuar deri në fund këtij problem mbi bazën e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Parlamenti Europian dhe një mbështetje të fuqishme nga ambasada e SHBA dhe vendeve partnere. Kështu që PD nuk ka të ndalur, ajo do të udhëheqë këtë proces me vendosmërinë më të madhe. Së dyti, ky proces ka një pengesë absolute kryesore, Edi Ramën dhe lidhjet e tij të tmerrshme me krimin. Është Edi Rama i cili deri sot nuk pranon të prononcojë fjalën dekriminalizim, i cili sapo do ta prononcojë atë i del pallati 900 m2, 5 katësh, për të cilën e shoqja e tij nuk ka një faturë të vetme financiare, bankare, tatimore, doganore për ti treguar. I del vila 600 m2 ndërtim me 57m themele të gjata, për të cilën Edi Rama ka theksuar se ka gjithsej 3 mijë euro në llogari bankare dhe më vonë është thënë se u bë me paratë e “Kurbanit”. I dalin lidhjet e tij me krimin, dhe ai nuk mund të pranojë, ai është vet shtylla e krimit të këtij vendi. Kjo është arsyeja që ai nuk përmënd dot, për të mos thënë rastin e bërë publik të Mark Frrokut në Laprakë, thirrjen për ekstradimin e tij në Belgjikë etj.
Por dhe unë them që opozita do të vazhdojë këtë process me vendosmërinë më të madhe. Ambasada amerikane po ndihmon në mënyrë të jashtëzakonshme dhe unë di që procesi është në vazhdim, nuk ka të ndalur.

Në dijeninë tuaj a ka kandidatë në listën për kryetarë bashkish apo këshilltarë bashkiak me rekorde kriminale?
Gjithshka po verifikohet. Të them haptaz. Gjithshka është në verifikim porn ë një verifikim transparent në të cilin partnerët po japing një ndihmë shumë thelbësore.

Denoncimi i skandalit me ilaçet. Çfarw fshihet mbrapa, kush…?
Prapa saj fshihet një mega aferë në të cilën ne jemi në fillesa. Deri tani, komisioni i kontrollit të Kryeministrisë ka gjetur 150 milionë lekë të reja të vjedhura me receta fallco. Vetëm me insulinën, është konstatuar nga një kontroll tjetër, jo i qeverisë, 388 mln e 320 mijë lëkë vjedhje të pastra. Më është thënë, se janë disa ministra që marrin rroga nga kjo aferë, sepse këtu janë miliona e miliona euro. Unë citova vetëm një kompani, Omegafarma, që është shumë e dashur për ministrin e shëndetësisë, shumë e afërt, ka vjedhur me insulinën 388 milionë lekë po është rimbursuar me fallcitet edhe 50 milionë lekë të tjera. Këto janë ato që i peshojne ministrat ne kandar

Kemi ndonjë emër ministri?
Beqaj po. Sepse Beqja është drejtori i fondit të sigurimeve shëndetësore, për definicion ai ka hapur shtigjet nëpërmjet vendimeve të tij që të ndohdë ky proces. të tjerat po hetohen.

Si e komentoni vizitën e Kryeministrit serb në Shqipëri, i pari në një vizitë zyrtare pas 70 vitesh?
Unë s’besoj se Paniçi ishte kroat apo slloven, ai ishte Kryeministër i Serbisë që në atë periudhë kishte dhe Malin e Zi. Po këta rendin pas historisë, janë apasionantë pas historisë. Unë vizitën e komentoj si një akt të mirë, por historia ka një problem, ka përmbajtjen, historia ështe permbajtje dhe nuk eshte fasade.
Kështu që në këtë kontekst vizita s’pati një përmbajtje e cila vërtet mund të shënonte hapa konkret, por është pozitive padiskutim dhe ajo çka mua më pëlqeu, sepse atë që duhet të bënin para se të shkonin në Beograd, u bë këtu. Pra palët ranë dakord që të mbajnë qëndrimet e veta dhe qëndrimet kundërshtare s’mund të bëhen shkas kur negociohet as për gjeste, as për akte, secili mban qëndrimin e vet. Erdhi këtu Vuçiç dhe tha atë që ne s’ja pranojmë kurrë, por që ne prap s’e ndalojmë dot ta thotë atë. Pala shqiptare tha mendimin e saj. Në këtë kontekst unë e quaj pozitive dhe çdo vizitë ka padiskutim në vetvete pozitivitetin e vet. Historia pastaj është gjë tjetër. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të rëndësishme, në marrëdhëniet mes dy vendeve ka vakum dhe çdo hap, cilido qoftë ai është i mirëpritur. Ne ecim drejt BE dhe jemi të detyruar të bëjmë shumë përpjekje për marrëdhënie sa më normale me fqinjët tanë, natyrisht Kosova është në linjë të parë të marrëdhënieve me Serbinë, kjo s’duhet harruar.

A ka një tension të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, si i komentoni ju zhvillimet e fundit?
Këta qeveritarë kanë një problem të tmerrshëm, këta janë mashtrues. Pse e them këtë sepse para këtyre kishte dy gjëra të tjera të rënda. Së pari ishte Presidenti i Turqisë, vizitë shumë e rëndësishme, Turqia është një vend mik, shumë mik, por mashtrimet e Edi Ramës të bëra përpara zgjedhjeve krijuan ato keqkuptime që ishin krejt të panevojshme, sepse Edi Rama kishte marrë përsipër që të fshinte nga faqja e Shqipërisë institucionet e lëvizjes “Hyzmet”.
Shkon në Gjermani e pret Shtajnmajeri Ditmir Bushatin, nderimi më i madh, e priti ministri i Jashtëm doli me të në konferencë për shtyp, çfarë i solli, nderimi qe ai i beri mysafyrit te tije shqiptare mjerisht i solli mashtrimin. Ministri i Jashtëm gjerman kërkoi hetim ndërkombëtar për Kumanovën dhe këtë genjeshter Rama jua serviri shqiptarëve në FB e tij, çka e detyroi ministrin e Jashtëm gjerman jo ta përgënjeshtrojë me shkrim, por me video, është shumë e rëndë.
Ishte e gabuar, qartësisht e gabuar, ndërhyrja e tij për Maqedoninë, zhvillimet në Kumanovë ishin thellësisht revoltuese, me të vërtetë të papranueshme, por mesazhi i Ramës pas një jave, se ditët e para s’reagoi fare, se të harrojë Maqedonia NATO-n tregoi se ai s’është kurrkund, ai as nuk njeh NATO-n, as Maqedoninë.
Maqedonia është në një moment shumë kritik dhe problemi i parë është që vendet fqinje të mos përzihen. Aty Shqipëria duhet të lobojë fuqishëm, Kosova fuqishëm, Bullgaria të lobojë fuqishëm, të gjithë fqinjët, prane SHBA dhe BE që kanë firmos Marrëveshjen e Ohrit qe të angazhohen e te ulen me palët dhe pastaj ne bashkpunim me ta të japin një kontribut sepse situata është absolutisht kritike.
Nacionalizmi maqedonas aktual është ndofta më primitivi, më i çmenduri që ka ekzistuar ndonjëherë. Nikolla Gruevski e ka shndërruar Maqedoninë në laboratorin e prodhimit dhe gjenerimit të nacionalizmit me te eger i cili në vetvete në këtë formë është barut. E ka shndërruar Maqedoninë në një minë me sahat siç e pamë. Por e domosdoshme është që komuniteti ndërkombëtar të ulet në mënyrën më serioze.
Unë kur kam qenë në vizitën e fundit në atë vend, tre vjet më parë, jam kthyer në Shqipëri me idenë se isha në dy vende të ndryshme, jo miqësore. Ishte shumë i gabuar veprimi i Ramës ndaj Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit, nuk janë ushtarë të Tiranës ata. Ata janë udhëheqës politikë të shqiptarëve të Maqedonisë në të gjithë plus minuset si çdo politikan tjetër, nuk thirren ata për të dështuar në Pogradec takimi. Ata thirren pasi përgatitet mirë takimi. Tirana sigurisht i thërret për të kontribuar, jo në atë mënyrë diletantekse. Këta që pretenduan për zero probleme me fqinjët, këta praktikisht kanë bërë zero zgjidhje dhe në qoftë se ka një parim artificial, për të mos thënë antikombëtar është ky parim.
Marrim Greqinë, nuk i ka krijuar Edi Rama marrëdhëniet me Greqinë, marrëdhëniet me Greqinë janë marrëdhënie që kanë njohur progresin e tyre, por kanë dhe problematikën e tyre të madhe për t’u zgjidhur. Me fqinjët gjithmonë ke probleme, gjithmonë krijohen probleme, por gjithmonë zgjidhen me dialog, zgjidhen me mirëkuptim, me vullnet për t’i zvogëluar dhe jo për t’u fryrë atyre.
Por të dalësh në krah të Kryeministrit serb në konferencë shtypi dhe t’i përgjigjesh zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke bën një gjest të pamatur, qoftë në rrafshin protokollar, diplomatik, qoftë në rrafshin etik dhe politik e çdo rrafsh tjetër. Çfarë do t’i thoshte ai Ciprasit me kete? Se tani që kam Vuçiçin s’të pyes se ti je. Ç’punë kishte ajo përgjigje ndaj palës greke në krah të Kryeministrit serb. Këto janë forma të papranueshme, të vjetra, por kur i përdor këto pastaj quhesh “mister sherri”. Dhe ne s’duhet të jemi “mister sherri”, por të përpiqemi me fqinjët tanë me durim. Me Greqinë ka probleme, Greqia është një vend anëtar i NATO-s, BE, me Greqinë bëhet dialog, trajtohen, bëhen zgjidhje, jo në këtë mënyrë, ndaj dhe në disa aspekte Rama përbën një problem të madh për marrëdhëniet në tërësi me fqinjët, s’ka një ekuilibër. Se si do ja prishte vizitën vetes ai, kishte një mik, ishte mikpritës i Kryeministrit të Serbisë, ça donte t’i thoshte Ciprasit, ja ku jam tani unë. Shumë e gabuar, megjithatë uroj që dialogu të vendoset sa më shpejt. Them s’i ka krijuar qeveria shqiptare problemet, shumica e tyre janë krijuar atje, por edhe pala jonë duhet të jetë e vendosur se ku i ka, të jetë e vendosur të kontribuojë, nuk mund të jetë hipokrit, të thotë që Greqia ështe një partner strategjik. Si qenka partner startegjik, një vend i cili ka ligjin e Luftës me ty, pse do të bësh hipokrizi ti, urdhëro të heqim ligjin e Luftës, ka një traktat dhe Greqia duhet ta zbatojë, dhe Shqipëria duhet ta zbatojë traktatin, ose ta zëvendësojë me një dokument tjetër. Por marrëdhëniet duhet të ecin mbi bazën e një vullneti të hekurt për t’u përmirësuar dhe mbi bazën e dokumenteve, të cilat i konsolidojnë ato.

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY