Shefja e misionit të vëzhgues të OSBE – ODIHR Audrey Glover deklaron se pavarësisht mbylljes së afatit për regjistrimin e kandidateve, autoritetet shqiptare nuk duhet të ndalin punën për të larguar personat me të shkuar kriminale. Në një intervistë dhënë për TV “Klan”, Glover thotë se largimi të inkriminuarve duhet të jetë një përpjekje e vazhdueshme.
Mungesa e transparencës për fondet e shpenzuara në fushatë është një nga shqetësimet kryesore të vëzhguesve të OSBE – ODIHR.
Për Glover, shqetësim mbeten edhe pretendimet për blerje votash, huazim të kartave të identitetit dhe abuzim të aseteve shtetërore. Sipas saj deri tani autoritetet nuk kanë hetuar për këto çështje.
Lidhur me fushatën politike dhe gjuhën e përdorur nga partitë politike, Glover thotë se ne disa raste partitë kryesore po sillen sikur bëhet fjalë për zgjedhjet parlamentare.
Në 17 qershor në Tiranë do të vijë një delegacion i kongresit të autoriteteve vendore dhe rajonale të Këshillit të Europës dhe të BE me 25 persona në delegacionin e tyre të cilët do të mbikëqyrin zgjedhjet nën ombrellën e ODIHR.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/