DËSHMIA E PLOTË NË PROKURORI/ Sali Berisha: Për çështjen “Doshi” dhe...

DËSHMIA E PLOTË NË PROKURORI/ Sali Berisha: Për çështjen “Doshi” dhe tentativën për të më implikuar mua, kisha dijeni para bërjes së saj publike

91
0
Shares

Kryeministri Sali Berisha pranon se ka pasur dijeni muaj më parë se deputeti Tom Doshi të ngrinte publikisht akuzat se ndaj tij ishte përgatitur një atentat kriminal për ta eliminuar fizikisht.
Gjatë dëshmisë që Berisha ka dhënë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ai ka thënë se disa persona e kanë njoftuar për këtë ngjarje, por pa dhënë emra.
Ish-kryeministri ka thënë para prokurorëve se nuk ka pasur dijeni për atentatin që mund t’i bëhej deputetit tjetër, Mhill Fufit dhe se për këtë ishte informuar nga kreu i grupit parlamentar Edi Paloka. Sipas dëshmisë, Berisha pranon njohjen me disa prej personave të përfshirë në akuzat e deputetit Tom Doshi.
Gjithashtu, Berisha mohon të ketë takuar personalisht Tom Doshin, përveç faktit të njohur publikisht në seancë plenare.
Gjatë dëshmisë që Berisha ka dhënë pak muaj më parë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, fillimisht ai ka dorëzuar një deklaratë para organit të akuzës dhe më pas i është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve.


Deklarata e Sali Berishës para prokurorëve
Me vullnetin e tij të lirë shtetasi Sali Berisha, bën këtë deklaratë:

“Jam me banim në adresën e mësipërme dhe aktualisht jam deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Në lidhje me sa pyetem për të dhënë shpjegime në lidhje me procedimin penal Nr. 63 të vitit 2015, regjistruar nga ana juaj për veprën penale “Vrasje të funksionarëve publikë” e mbetur në tentativë e parashikuar nga neni 79/a dhe 22 i Kodit Penal, kam për të sqaruar si më poshtë vijon: Informacioni për këtë ngjarje nuk e kam nga asnjë nga këta persona që janë përfshirë në këtë ngjarje pasi nuk kam komunikime as me Tom Doshin e as me persona të tjerë që përmenden.
Muaj më parë, nuk mbaj mend se kush, por jam i sigurt se më shumë se një person, më kanë thënë që ka ndodhur kjo ngjarje. Nuk mbaj men nëse me tritol apo snajper, di të them që ajo gjë përflitej rëndomtë në Parlament. Veprimi i vetëm që bëj sa herë që e shoh të arsyeshme e kam denoncuar në frazën “këta ose ju do vrisni njëri-tjetrin”.
Nuk kisha asnjë pengesë për të thënë që Iliri po vret Tomën apo të kundërtën, por mund të thoshte Toma “jo nuk është e vërtetë”. Këtë ja kam thënë mazhorancës më së shumti publikut. Këto mund ti kem thënë në konferencat e mia mujore ose seancat plenare. Kjo deklaratë mund të jetë bërë rreth dy herë por jam i sigurt që një herë është bërë. E kam bërë që të ulet temperatura e krijuar midis personave që përmenda më lartë. Nuk kam dëgjuar për Fufin asnjë fjalë. Kur unë kam thënë se ju do vrisni njëri – tjetrin, nuk kam pasur dijeni se ky kërcënim i është bërë edhe Fufit. Para rreth një muaji i them “Ja mbyll gojën Tom Doshit”, ose i kam thënë “që çuat Shullazin”, duke thënë që po të kapesh me Tahirin ke të bësh me mua.
Pas kësaj është mbyllur seanca dhe Toma më tha që “nuk ishte Shullazi por ishte diçka tjetër dhe ti e di”. Ai më tha se ka qenë një deputet i yti, që unë nuk e mora vesh dhe se nuk e dija që ishte edhe Fufi i përfshirë. Më vonë pyes të mijtë se çfarë kishte ky me fjalën që tha, dhe ata më thonë se ky për të cilin fliste Toma ishte Mhill Fufi dhe se atë kam dashur me e vra. Ata më thanë se Ilir Meta ka thirrur familjarët e Fufit dhe u ka thënë se Sali Berisha ka dashur tu vrasë vëllanë (Mhill Fufin) dhe ata i kanë thënë që nuk është e vërtetë se Sali Berisha nuk ka asgjë me ne.
Pastaj një nga këta, vëllai i Mhillit, i ka kërkuar takim Ilir Metës dhe Iliri e priti. Ai i tha se “nga Sali Berisha nuk kemi asgjë, por nëse ndonjërit nga ne i preket një qime floku do kesh probleme me ne”. Në seancë i kam thënë se ty (Ilir Metës) të shkoj dëm skenari pasi ke dashur të na e faturosh neve. Nuk kam treguar interes për të dhëna të tjera pasi di që Toma i kishte paraqit këtë shqetësim tek kryeministri, ministri i Brendshëm.

Pyetje – Përgjigjet
Pas këtij momenti, a jeni takuar me deputetin Tom Doshi?
Asnjëherë nuk jam takuar me Tom Doshin përjashtuar rasteve kur kemi replikuar në seancë dhe atë herë që isha para një muaji në Parlament.

Në lidhje me Mhill Fufin, a keni komunikuar me të në lidhje me sa kishit marrë dijeni?
Jo, nuk kam komunikuar fare me të për këtë çështje. Kam qëndrim tjetër ndaj kërcënimit, nuk e përfill nuk merrem me të.

A i njihni shtetasit Agron Kuliçaj dhe Agim Rama?
Të dy këta unë i njoh mirë. Me Agim Ramën takohem çdo fundjavë dhe me Agronin takohem rreth dy herë në javë. Me Agimin janë takime familjare ndërsa me Agronin janë takime pune.

A e njihni shtetasin Durim Bami, nëse po në çfarë rrethanash?
Unë nuk e njoh këtë person.

A e njihni shtetasin Ymer Lala?
Emrin e tij e kam të dëgjuar pasi ky është një person me precedentë penal dhe emrin e tij e kam dëgjuar në informacionet e policisë por nuk e kam njohur asnjëherë personalisht.

Shtetasin Ylli Xhaxhollari, Fatjon Skënderaj dhe Eugen Beçi a i njihni?
Shtetain Ylli Xhaxhollari nuk e njoh absolutisht, as Fatjon Skënderaj nuk e njoh por mazhoranca e kanë përdorur këtë shtetas për t’ia faturuar këtë ngjarje opozitës pasi ky shtetas para shumë vitesh ka qenë shofer i Partisë Republikane dhe i nxorën këto argumente për të akuzuar opozitën. Ka disa muaj që ata (mazhoranca) deklarojnë se Tom Doshi është deputet i Partisë Demokratike, gjë që nuk është e vërtetë dhe këto janë fakte të padenja. Ndërsa Eugen Beçin e kam dëgjuar në media si Prokurori i Krimeve të Rënda.

Mund të na thoni se në çfarë rrethanash u vutë në dijeni për këtë ngjarje?
Nuk mbaj mend kush më ka vënë në dijeni, ka qenë më shumë se një njeri që ma ka thënë këtë. Duhet të ma kenë thënë persona që nuk më kujtohen.

Në shpengimin tuaj thatë “jam informuar nga këta të mijtë”, a mund të na thoni se nga cilët persona konkretisht jeni vënë në dijeni?
Kam pyetur shtetasin Edi Paloka i cili është edhe kryetar i grupit parlamentar të PD.

Ju shpjeguat se vëllai i Mhill Fufit ka shkuar dhe ka takuar Ilir Metën, a e dini se kush është vëlla i i Mhillit dhe si quhet?
Jo nuk ja di emrin por mund të them që për këtë gjë jam informuar rreth një javë ose dy javë përpara se Toma ta bënte publike çështjen e tij.

Në lidhje me deklaratën që ju keni bërë në shtyp, dhe ka lidhje me këtë ngjarje, a ju ka takuar ndokush në lidhje me këtë?
Jo, nuk më ka takuar askush për këtë ngjarje.

Keni ndonjë gjë tjetër për të shtuar?
Gjë tjetër nuk kam për të shtuar.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY