Gjykata e Shkallës së Parë e Elbasanit, i komunikon masën e sigurisë, “arrest me burg” për prostitucionin, dy vëllezërve Erion (Mikel) Hasanbelli dhe Geron Hasanbelli.
Prokuroria e Elbasanit kishte kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për efekt ekstradimi në Itali për vëllezërit Erion (Mikel) Hasanbelli dhe Geron Hasanbelli nga Fieri, të akuzuar si pjesë e një organizate kriminale që shfrytëzonin për qëllime prostitucioni në Milano vajza nga Shqipëria, Rumania, Bullgaria, Rusia, Maroku, Moldavia, etj., si edhe për trafik lëndësh narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Sipas autoriteteve italiane, ata e kanë të faktuar tashmë se dy vëllezërit Hasanbelli, së bashku me persona të tjerë, e kanë kryer këtë aktivitet të paktën gjatë vitit 2012.
Procedurat e zvarritura
Ndaj këtyre dy shtetasve, gjykata e Fierit ka lejuar ekstradimin në gushtin e vitit të kaluar (2014), por ky ekstradim është pezulluar në përputhje me ligjin, për faktin se dy vëllezërit ishin duke vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata shqiptare për vrasjen e shtetasit Julian Çela dhe plagosjen e shtetasit Kasandër Noga, ngjarje e ndodhur në Antverp të Belgjikës, në vitin 2002. Por një vendim i Gjykatës së Lartë lidhur me procesin për vrasje në Belgjikë, e cila prish vendimin e Gjykatës së Apelit Vlorë dhe e rikthen çështjen për rigjykim në të njëjtën gjykatë, me një trup tjetër gjyqësore, rrëzon momentalisht dënimin ndaj tyre dhe kjo duhet të sillte lirimin nga ambientet e burgut të Peqinit, ku po vuanin dënimin.
Për këtë arsye, Prokuroria e Elbasanit ka urdhëruar transferimin e tyre nga burgu i Peqinit, në paraburgimin e Elbasanit, me qëllim kryerjen e procedurave për ekstradim drejt Italisë, ku akuzohen për shfrytëzim prostitucioni dhe trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.
Kur është vendosur për ekstradimin e këtyre dy shtetasve në Itali, në vitin 2014, nuk është operuar me caktimin e masave të sigurisë, për faktin se këta dy shtetas ishin të dënuar për vrasjen dhe plagosjen në Belgjikë, në vitin 2002, konkretisht: Erion (Mikel) Hasanbelli me 25 vite burg dhe Geron Hasanbelli me 14 vite burg. Por, fakti që këta shtetas, me rrëzimin nga Gjykata e Lartë të vendimit të Gjykatës së Apelit, duhet të liroheshin, Prokuroria e Elbasanit, si kompetente për vendndodhjen e përkohshme të tyre (në burgun e Peqinit), ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për veprat penale që kërkohen në Itali, në pritje të ekstradimit të tyre (vendimi për ekstradim është marrë në vitin 2014)
Problemet ligjore
Problemet ligjore për vëllezërit Hasanbelli kanë nisur në vitin 2002, kur u akuzuan nga autoritetet belge se kanë kryer në Belgjikë vrasjen e shtetasit Julian Çela dhe plagosjen e shtetasit Kasandër Noga. Në atë kohë, në zbatim të urdhrit të arrestit ndërkombëtar, autoritetet shqiptare kryen arrestimin e Erion (Mikel) dhe Geron Hasanbelli, të cilët gjendeshin në Shqipëri dhe fillimisht ndaj tyre u vendos nga Gjykata e Fierit masa e sigurisë “arrest me burg”, në pritje të dokumentacionit nga Belgjika. Por, ky informacion zyrtar u vonua, duke detyruar Prokurorinë e Fierit, në përfundim të afateve procedurale, të vendoste në vitin 2002 pushimin e çështjes dhe lirimin e tyre.
Disa kohë pas lirimit të tyre, mbërrin në Shqipëri materiali nga Belgjika për vrasjen në Antverp dhe Prokuroria e Fierit, në përputhje me legjislacionin për marrëdhëniet juridiksionale me jashtë, regjistron procedimin penal për ngjarjen e ndodhur në Belgjikë. Autoritetet shqiptare zhvillojnë hetimin dhe gjykimin ndaj dy vëllezërve në mungesë, pasi nuk u arrit të gjendeshin në Shqipëri. Në vitin 2009, Gjykata e Fierit shpall fajtor për vrasjen në Belgjikë shtetasin Erion (Mikel) Hasanbelli dhe e dënon me burgim të përjetshëm. Duke qenë se gjykimi i zhvillua me procedurë të shkurtuar, në vendimin përfundimtar ai përfitoi uljen 1/3 të dënimit, duke marrë përfundimisht dënimin me 25 vite burgim. Ndërsa vëllai i tij, shtetasi Geron Hasanbelli, u shpall i pafajshëm.
Ndaj këtij vendimi u dorëzua ankim në Gjykatën e Apelit Vlorë, e cila, në vitin 2012, la në fuqi vendimin e dënimit për Erion Hasanbelli me 25 vite burg dhe ndryshoi vendimin e pafajësisë, duke e shpallur fajtor dhe dënuar me 14 vite burgim vëllanë e tij, shtetasin Geron Hasanbelli.
Në zbatim të vendimit të gjykatës së Apelit, shtetasi Geron Hasanbelli u arrestua në Tiranë në vitin 2013. Po në të njëjtin vit, në zbatim të urdhrit të arrestit ndërkombëtar të autoriteteve shqiptare, u arrestua dhe u ekstradua nga Belgjika, ku ndodhej në atë kohë, vëllai tjetër, Erion (Mikel) Hasanbelli.
Prej vitit 2013, dy vëllezërit vuanin dënimin në burgun e Peqinit dhe kishin dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë, kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë.
Urdhër arresti ndërkombëtar
Ndërkohë që vuanin dënimin për vrasjen në Belgjikë, autoritetet gjyqësore të Milanos, Itali, kishin nxjerrë urdhrin e arrestit ndërkombëtar për dy vëllezërit Hasanbelli, të akuzuar si të përfshirë në organizatë kriminale që merrej me shfrytëzim prostitucioni dhe trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike (cannabis sativa) nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Për efekt të urdhër arresti ndërkombëtar dhe kërkesës për ekstradim të Italisë, në gusht 2014, gjykata e Fierit, e cila kishte si kompetencë shqyrtimin e kësaj çështjeje për faktin se dy vëllezërit janë banorë të këtij qyteti, lejoi ekstradimin e tyre. Leja e ekstradimit u miratua edhe nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, e cila, në përputhje me legjislacionin procedural penal dhe të marrëdhënieve juridiksionale me jashtë, e pezulloi përkohësisht ekstradimin, deri në përfundim të dënimit për veprat penale të dënuara në Shqipëri (për vrasjen në Belgjikë).
Duke qenë se shtetasit Hasanbelli gjendeshin nën kushtet e privimit të lirisë (të dënuar me burg), nuk mund të caktoheshin masa sigurie “arrest me burg” për qëllime ekstradimi, për faktin se do të ekstradoheshin menjëherë pasi të përfundojnë dënimin në Shqipëri, të cilin po e vuanin në burgun e Peqinit.
Ndërkohë, në Gjykatën e Lartë është shqyrtuar rekursi i avokatëve mbrojtës të dy vëllezërve, të cilët pretendojnë paligjshmëri gjatë gjykimit të akuzave për vrasje në Belgjikë. Ndër të tjera, mbrojtja ka konsideruar si shkelje procedurale faktin që trupa gjykuese në Apelin e Vlorës ka ndryshuar shpesh, gjë e cila, sipas mbrojtjes, ka cenuar ligjshmërinë e procesit gjyqësor.
Ky pretendim i mbrojtjes është kundërshtuar nga Prokurori në seancë, i cili ka paraqitur, ndër të tjera, argumentin se ndryshimi i gjyqtarëve nuk ka cenuar ligjshmërinë e procesit dhe ky ndryshim, në të paktën dy raste, ka qenë konform ligjit. Në argumentet e tij, prokurori pranë Gjykatës së Lartë ka deklaruar se në një rast trupi gjykues është ndryshuar për faktin se një prej gjyqtarëve ka dalë në pension. Në një rast, tjetër, një prej gjyqtarëve është shkarkuar nga detyra (është rikthyer në një kohë më të vonë sërish në detyrë). Gjithsesi, prokurori ka theksuar se ndryshimi i trupit gjykues nuk ka cenuar në asnjë moment ligjshmërinë e procesit dhe shqyrtimin gjyqësor në Gjykatën e Apelit Vlorë.
Kërkesa për ekstradim
Në përfundim të procesit, në dt. 24. 07. 2015, Gjykata e Lartë ka vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe rikthimin për shqyrtim në po këtë gjykatë, me një tjetër trupë gjykuese. Pra, në bazë të këtij vendimi të Gjykatës së Lartë, e cila prish vendimin e Apelit, mbetet përkohësisht në fuqi vetëm vendimi i Gjykatës së shkallës së parë Fier, e cila ka dënuar me 25 vite burgim shtetasin Erion (Mikel) Hasanbelli dhe ka shpallur të pafajshëm vëllanë e tij, Geron Hasanbelli.
Pra, sipas këtij vendimi, Geron Hasanbelli duhet të lirohet menjëherë nga burgu. Nga ana tjetër, duke qenë se vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i formës së prerë dhe për faktin që periudha që ka qëndruar në burg vëllai tjetër, Erion (Mikel) Hasanbelli ka përmbushur afatet e paraburgimit, edhe ky i fundit duhet të lirohet, deri në vendimin tjetër të Gjykatës së Apelit Vlorë (të cilës ia riktheu për shqyrtim Gjykata e Lartë me vendimin e djeshëm).
Në këto kushte, me qëllim zbatimin e vendimit të gjykatës për ekstradimin e tyre në Itali, prokuroria e Elbasanit, si kompetente për zbatimin e procedurave për shkak të vendndodhjes së përkohshme të tyre (në burgun e Peqinit, në zonën e Elbasanit), ka urdhër shoqërimin e tyre nga ambientet e burgut të Peqinit (nga i cili duhet të liroheshin), në ambientet e paraburgimit të Elbasanit, ndërkohë që ka kërkuar në gjykatë caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për qëllime ekstradimi drejt Italisë, ekstradim i cili është lejuar nga gjykata dhe miratuar nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2014.
Për më shumë mund të lexoni edhe …
/web/Elbasan_arrestohen_vellezerit_Hasanbelli_kerkohen_ne_Itali_per_trafik_5213_1.php
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/