Ish-kampi i internimit në Savër të Lushnjes, i ndërtuar në vitet ‘60 për armiqtë e regjimit komunist është kthyer në strehë për banorët e varfër të zonës, të cilët ankohen se asgjë nuk ka ndryshuar në dy dekada
Në vitin e largët 1963, Iljaz Vehapi ishte vetëm një prej qindra armiqve që regjimi komunist i kishte internuar në kampin e ngritur në Savër, rreth 15 kilometra larg qytetit të Lushnjes.
Rreth 52 vjet më vonë, ai është i internuari i fundit i mbetur në fshatin ku fqinjët e tij të rinj nuk kanë shumë ndryshim nga bashkëvuajtësit e dikurshëm.
“Edhe atëherë ishim njësoj. Ata që na spiunonin dhe ata që jetonin me ne. Ç’të thuash për atë kohë. Të harruara qofshin”, thotë Iljazi për BIRN.
I moshuari i mpakur në një grusht kockash, por me duar të bëshme nga punët e rënda të së shkuarës u internua nga Leskoviku në Savër së bashku me gruan dhe të birin e mitur. Ai u rendit mes armiqve të regjimit të Enver Hoxhës, pasi një i afërm i tij u arratis nga vendi në fillim të viteve ’60.
Iljazi jetoi tre dekada në njërin prej 48 gulakëve të ngritur nga regjimi komunist në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore.
• Iliaz Vehapi, i internuar nga Kolonja në Savër dhe që vijon të jetojë në Savër. Foto: Lindita Çela/ BIRN
Regjimi i egër stalinist, i instaluar në Shqipëri pas vitit 1945 nga Enver Hoxha burgosi 17 900 persona dhe internoi mbi 30 mijë të tjerë si të dënuar politikë, sipas të dhënave nga arkivat e Ministrisë së Brendshme. Shqipëria e vogël prej 3 milionë banorësh kishte 23 burgje dhe 48 kampe internimi për të ashtuquajturit “armiq të klasës”.
Kampi i internimit në Savër ishte ndër më të famshmit e kohës, për shkak se aty u vendosën të afërmit e pesë kryeministrave të para luftës dhe familjarë të diktatorit Enver Hoxha.
Iljazi kujton se fshati ishte i ndarë në dy pjesë; në pallatet dykatëshe në të djathtë jetonin vendasit, ndërsa barakat e krahut të majtë ishin të mbushura me të internuarit e regjimit.
I moshuari është fjalëpakë, por raportet e Ministrisë së Brendshme të kohës flasin për kushte çnjerëzore dhe shfrytëzim të egër të njerëzve në kampet e internimit.
• Shtëpia e Bukuroshe Halilit. Foto: Lindita Çela/ BIRN
Një raport i Ministrisë së Brendshme për kampin e Savrës, i përfshirë në studimin “Sistemi i ndëshkimeve në Shqipëri gjatë regjimit komunist” të autorit Femi Sufaj tregon se të internuarit flinin si sardele në barakat e kampit dhe shfrytëzoheshin nga regjimi i kohës për të tharë kënetat në fushën e Myzeqesë.
“Këpucët, ushqimet dhe rrobat mbahen të varura mbi krevate. Në të njëjtin vend flenë, hanë, gatuajnë pa higjienë. Uji i pijshëm mungon, ka ngjyrë të kuqe dhe është i ngrohtë”, thuhet në raport.
Në të njëjtat baraka të ish-kampit të internimit, banorët e sotëm të Savrës, shumica të komunitetit rom po përpiqen të ndërtojnë një të ardhme të ndryshme nga ajo e kohës së komunizmit.
• Bukuroshe Halili. Foto: Lindita Çela/ BIRN
Bukuroshe Halili, nënë e pesë djemve jeton prej vitesh në një barakë të ndërtuar me baltë dhe kallama, e mbuluar nga copëza të ndara teneqeje. Ajo mbërriti në Savër në mars të vitit ’90 dhe fillimisht e ndante barakën me tre motra të internuara, për të cilat thotë se ishin të afërmve të diktatorit Enver Hoxha.
“Ishin kushërira të tij, por askush nuk fliste për këtë fakt. Ikën në vitin 1990 dhe nuk e kthyen më kokën pas,” thotë ajo.
Ndryshe nga Bukuroshja, e cila u vendos në Savër me urdhër të ish-Komitetit ekzekutiv të kohës, Zana Mitrushi është transferuar aty me vullnetin e saj në vitin 1992.
“Kishim dëgjuar se ferma ishte një vend i mirë për të jetuar,” thotë ajo.
• Zana Mitrushi në Savër. Foto: Lindita Çela/ BIRN
Barakën me dy divane, një tavolinë dhe lavamanin e sajuar me hekurishte e ka blerë për 15 mijë lekë dhe gjatë dy dekadave që ka jetuar aty, asgjë nuk ka ndryshuar.
“Im shoq është elektricist, por kush ka nevojë për të? S’kemi asnjë përkrahje e jetojmë në këtë barakë si në komunizëm”, thotë Zana.
Ish- kampi i internimit mbetet sërish i veçuar nga dy lagjet e tjera të Savrës. Rrugët janë të pashtruara, dritat ikin me orë të tëra dhe uji mungon vazhdimisht. Një tjetër barakë e ndërtuar për ish-të internuarit është përshtatur së fundmi si qendër shëndetësore.
“Asnjë nuk ka ndryshuar në Savër, thotë Vasil Bello. Të gjithë në një vend e merrnin bukën, me racion ne, me racion ata. Ndryshimi i vetëm ishte e drejta e lëvizjes. Por unë kam vite që nuk shkoj as në Lushnje”.
Vasil Bello jeton në anën e djathtë të pallateve dhe rrallëherë i bie rruga nga zona e barakave. Ai flet gjatë për të internuarit që vuajtën në Savër dhe i quan ata “njerëz të mirë e të zotë”.
“Ata thanë kënetat dhe bënë punët më të rënda,” shton ai.
• Shtëpia e Zana Mitrushit në Savër. Foto: LIndita Çela/ BIRN
Tokat e hapura nga shfrytëzimi i krahut të punës së të internuarve janë lënë sot djerrë. Të rinjtë kanë emigruar, ndërsa të vjetrit e kalojnë kohën duke luajtur domino. Dy mijë banorët e sotëm të Savrës jetojnë më së shumti me paratë e njerëzve në emigracion.
Por Bukuroshe Çako nuk e ka këtë mundësi. E internuar në Roskovec të Fierit gjatë diktaturës, ajo u zhvendos në Savër pas viteve ’90, ku jeton sërish me dramën e varfërisë.
“Ky është një internim i dytë për mua, njësoj i egër, thotë me trishtim Bukuroshja. Të mjerit nuk i hyn në punë liria”.
Lindita Çela/ BIRN
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/