Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, bën realitet premtimin tij në ditët e para të marrjes së detyrës, për sa i përket urdhrave të largimit dhe transferimit të efektivëve të policisë, me urdhër të pararendësit të tij, Artan Didi. Dëshmi e kësaj, është urdhri më i fundit i tij, për rikthimin në repartin elitë RENEA të katër prej shtatë specialëve që u larguan nga paraardhësi i tij.
Të rikthyerit janë Besnik Toska, Alfred Brahilika, Ridvan Begaj e Tonin Kotica (larguar pak më herët). Toska dhe Brahilika kanë qenë më herët shoqërues të ish-zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilat sqaruan se efektivët janë rikthyer për shkak të performancës së mirë që kanë pasur jo vetëm gjatë kohës që kanë qenë pjesë e repartit special, por edhe përgjatë këtyre muajve, pra nga shkurti deri në korrik, pranë komisariateve në të cilat ishin transferuar.
Për fatin e katër ish-specialëve të tjerë, Genci Zeqaj, Isuf Drizi, Lekë Suka dhe Arjan Liçaj, të cilët mësohet se kanë bërë kërkesë për t’u rikthyer sërish në repartin RENEA, kryepolici Haki Çako nuk ka vendosur ende.
Shtatë efektivët e repartit elitë u transferuan në komisariatet e ndryshme të Tiranës në shkurt të 2015-ës, me urdhër të kryepolicit Artan Didi. Arsyet e transferimit të specialëve nuk u bënë publike, por jo zyrtarisht u tha se lidheshin me performancën e tyre në detyrë.
Me performancën e tij, drejtori i përgjithshëm i Policsë së Shtetit, ka zgjedhur që të shmangë ndikimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri. Ndryshe nga paraardhësi i tij, që me rast e pa rata, shfaqej përkrah ministrit, drejtori i Haki Çako, e ka shmangur daljen publike përkrah ministrit, duke shmangur edhe ndikimin e tij në vendimmarrjet që lidhen me aktivitetin dhe performancën e Policisë së Shtetit.
Urdhri më i fundit, i rikthimit të katër efektivëve specialë, është një dëshmi më shumë, e anashkalimit që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i ka bërë ministrit të Punëve të Brendshme… Janë të njohura sulmet politike, që historikisht Saimir Tahiri ka adresuar ndaj ish-numrit dy të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, sulme që kulmuan me largimin hakmarrës nga RENEA të dy shoqëruesve të tij, të rikthyer së fundi me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/