Përplasjet PS – LSI zbresin në bazë, pas Pogradecit edhe socialistët e...

Përplasjet PS – LSI zbresin në bazë, pas Pogradecit edhe socialistët e Mallakastrës akuzojnë kandidaturat humbëse të aleatit

88
0
Shares

Humbjen e bastionit të konsideruara si të së majtës, Pogradeci e Mallakastër, socialistët ia faturojnë kandidaturës së përzgjedhur nga aleati i tyre, LSI.
Pas reagimit një ditë më parë të Artan Shkëmbit, ish-kryebashkiakut socialist ët Pogradecit, i cili etiketoi si shkaktarë të humbjes kandidaturën e LSI-së për këtë bashki, në “të njëjtën linjë” janë edhe socialistët e Mallkastrës, për humbjen e kësaj bashkie nga një tjetër kandidaturë e LSI-së.
Kreu i Partisë Socialiste në Rrethin e Mallakastrës, Pajtim Ismaili, në një prononcim për gazetën “Shqip”, bëri me dije se kjo degë e PS-së e ka përfunduar analizën e zgjedhjeve të 21 qershorit, duke evidentuar edhe shkaqet që çuan në një rezultat jo të pritshëm për koalicionin Aleanca për Shqipërinë Europiane. Kreu i PS-së së këtij rrethi bën me dije se faktori kryesor që çoi në humbjen e bashkisë së Mallakastrës është pikërisht kandidatura e propozuar nga aleati i majtë, LSI, Shyqyri Kapllani.
Sipas Ismailit, “rreth 90 për qind e socialistëve të PS-së në Mallakastër, kanë qenë kundër kandidaturës së propozuar. Kryesia e PS-së e ka kundërshtuar deri në ditën e fundit, kur kandidaturat u zyrtarizuan”.
Ndër të tjera, përtej këtij zhgënjimi, socialistët e Rrethit të Mallakastrës shprehin edhe një tjetër zhgënjim nga qeveria e majtë, e ardhur në pushtet në zgjedhjet e 2013-s, siç është ai i punësimeve. “Kjo ishte një formë zhgënjimi ndaj nesh edhe për arsye se pushteti i 2013-s është pushteti më me pak reforma në punësime për bashkinë tonë”, shton më tej kreu i PS-së, Pajtim Ismaili, i cili ka qenë në drejtimin e kësaj dege të PS-së për tetë vite me radhë.
Humbjes së bashkisë së Mallakastrës nga ana e së majtës, i shtohet edhe një tjetër humbje, ajo e tre këshilltarëve në këshillin bashkiak, ku sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, e majta ka fituar shumicën në këshill me 14 anëtarë, kundrejt shtatë të tillëve që u fituan nga partitë e djathta. Edhe pse drejtimi i këtij këshilli i takonte së majtës, këshilltarët e koalicionit të majtë, gjatë procesit të votimit për zgjedhjen e kreut të këshillit bashkiak, kanë bashkuar votat me shtatë këshilltarët e djathtë, duke u dhënë në këtë mënyrë të drejtën të djathtëve që të kontrollojnë edhe këshillin bashkiak. Gjithsesi, ky veprim, edhe pse duket dukshëm si një “hakmarrje” ndaj PS-së, ka sjellë mjaft reagime në radhët e PS-së, të cilët iu gëzuan të paktën faktit që do të kishin drejtimin e këshillit bashkiak. Ajo që u pa si shqetësuese që në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak, ku dhe u betua kreu i bashkisë, ishte edhe braktisja e saj, pa marrë pjesë, e dy këshilltarëve të majtë.
Rezultatet e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit nxorën fitues me 9415 vota kandidaturën e propozuar nga koalicioni i djathtë APPD, Agron Kapllanaj, kundrejt atij të propozuar nga koalicioni i majtë (propozim i LSI-së), Shyqyri Kapllani, i cili arriti që të merrte vetëm 7731 vota.
 

Një ditë më parë, akuza të njëjta edhe nga Pogradeci
 
Një ditë më parë, ish-kryetari i bashkisë së Pogradecit për tre mandate, Artan Shkëmbi, në analizën e tij për humbjen e kësaj bashkie nga e majta në 21 qershor, bëri përgjegjëse kandidaturën dhe organizimin e të majtës.  Sipas tij, e majta kishte një kandidaturë të papërshtatshme dhe se organizimi i fushatës nga koalicioni i majtë ishte i dobët dhe plot eufori për fitoren.
Sipas tij, çdo arsye tjetër që mund të nxirret për humbjen e bashkisë nga e majta, nuk do të shërbejë për të bërë analizën e vërtetë të këtij rezultati.
Ndërkohë, disa javë më parë deputeti i PS-së, Ilir Xhakolli, i cili ka qenë një ndër deputetët përgjegjës për fushatën elektorale të qytetit të Pogradecit, ndër shkaqet e humbjes në këtë bashki, renditi  kandidaturën e papërshtatshme, ët LSI-së, Diana Mile, për kryetare të kësaj bashkie.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY