Një çift pushuesish të huaj, kanë përfunduar në Komisariatin e Policisë Sarandë pasi një konflikt mes tyre për daljet në pub, degjeneroi në dhunë. Ngjarja është shënuar mesditën e së dielës, në lagjen 1 të Sarandës. 36-vjeçarja franceze Karin Denife Suzann, ka telefonuar policinë e Sarandës duke kallëzuar se po dhunohej nga bashkëjetuesi.
Gjatë marrjes në pyetje, ajo është shprehur se italiani Giusepe Bruno Alvini, 44-vjeç, kishte ushtruar dhunë psikologjike e fizike ndaj saj për motive xhelozie. Sipas policisë, 44-vjeçari i kishte kërkuar llogari bashkëjetueses përse ajo kishte shkuar një natë më parë në disko në shoqërinë e personave të tjerë. Përgjigja e 36-vjeçares Suzann se “donte të kërcente për qejf”, e ka revoltuar italianin, i cili ka nisur t’i bërtasë e madje dhe e ka goditur me shpullë.
Burimet policore bëjnë të ditur se më herët, italiani i kishte bllokuar edhe llogarinë bankare bashkëjetueses, me qëllim që ajo mos të kishte mundësi të argëtohej në lokalet e qytetit. Madje, gjatë grindjes, italiani e ka kërcënuar 36-vjeçaren se nuk do i jepte asnjë para, duke i thënë se do të ktheheshin menjëherë në Itali e do t’i ndërprisnin pushimet në mes.
Nuk dihet se si 36-vjeçarja ishte larguar pa dijeninë e bashkëjetuesit në disko. Pas plotësimit të dokumentacionit me dëshmitë e dy personave, rreth orëve të mbrëmjes, policia plotësoi kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasen franceze Karin Denife Suzann, banuese në Napoli, Itali.
Sipas policisë, çifti kishte pak ditë që kishte ardhur nga Napoli për pushime në Sarandë, ndërkohë që ishin akomoduar në një nga hotelet në rrugën Turizëm” – Kanali i Cukës, të qytetit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/