Prokuroria për Krime të Rënda, ka zbardhur sot, gjithë skenarin e sajimit të rrëmbimit të Nensi Çobos dhe tentativa e saj dhe dy bashkëpunëtorëve, për ti vënë gjobë 400 mijë eurosh, babait të saj.
Sipas prokurorisë, mësohet se, mbi bazën e njoftimit të marrë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ka regjistruar procedimin penal datë 21/08/2015 për veprën penale të “Shtrëngimit me anën e kanosjes për marrjen e pasurisë”, parashikuar nga neni 109/b i Kodit Penal.
Dy telefonata kërcënuese
Sipas dosjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, mësohet se ka rezultuar se më datë 21. 08. 2015 rreth orës 13.00 në ambientet e DPQ, Tiranë është paraqitur shtetasi Laver Çobo, i cili ka bërë kallëzim para oficerit të policisë gjyqësore ku ka sqaruar se më datë 21. 08. 2015 rreth orës 12:15 në telefonin e tij me numër xxxxx241 ka marrë një thirrje nga numri xxxxx119 ku një zë mashkulli i ka thënë “Unë jam dikush që ka vajzën tuaj. Unë nuk kam asgjë personale me ju dhe e di që je njeri i mirë por unë jam në hall dhe më duhen 400.000 (katërqind mijë) euro. Mos bëj asnjë tentativë të futësh policinë apo njerëz të tjerë në këtë punë” .
Pasi e ka mbyllur telefonin, shtetasi Laver Çobo, nuk e ka marrë seriozisht komunikimin e mësipërm por rreth orës 12:23 ka marrë një telefonatë tjetër nga numri xxxxx169 dhe po i njëjti zë i ka thënë “Kam hall dhe ato lekët më duhen. Unë e di që ti i ke aq para . Mos fut njeri në këtë punë dhe as policinë”.
Personi që ka komunikuar ka qenë tepër i qetë dhe nuk ka shfaqur asnjë lloj shenjë nervozizmi edhe pse Laver Çobo, i ka folur me një ton të ashpër.
Menjëherë shtetasi Laver Çobo, pasi ka verifikuar se vajza e tij Nensi Çobo nuk ndodhej në banesë dhe kishte të fikur numrin telefonin celular është nisur drejt DPQ, Tiranë për të bërë kallëzim në lidhje me ngjarjen e sipërpërmendur.
Arrestimi i dy bashkëpunëtorëve
Në orët e pasdites, policia ka kryer shoqërimin e shtetasve Orion Hoxha, Kris Gjore dhe Nensi Çobo, të cilët rezultoi se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar dhe kryerjen e telefonatës për shtetasin Laver Çobo, me anën e të cilat kanë shtrënguar me anën e kanosjes për përdorimin e dhunës ndaj vajzës së tij për fituar padrejtësisht pasuri.
Konkretisht këta shtetas të pyetur me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime kanë deklaruar që Orioni dhe Nensi Çobo, që është vajza e shtetasit Laver Çobo, kanë qenë të njohur midis tyre dhe kanë menduar për ti marrë një sasi lekësh këtij të fundit. Për këtë ata do të improvizonin rrethana të tilla sikur vajza e shtetasit Laver Çobo, shtetasja nën hetim Nensi Çobo ishte rrëmbyer dhe t’i telefonohej Laver Çobos, duke i kërkuar një sasi të madhe lekësh në këmbim të lirimit të saj. Për realizimin e këtij plani Orioni kishte biseduar dhe me shtetasin nën hetim Kris Gjore, që ishte shoku i tij, i cili do të kryente telefonatën.
Skenari i dështuari gjobvënies
Në datën 21/08/2015 në orët e mëngjesit, Orioni është takuar me Krisin dhe kanë blerë një aparat telefoni dhe dy karta SIM me numrat xxxxx119 dhe xxxxx169. Orioni rreth orës 11:00 ka takuar shtetasen nën hetim Nensi Çobo dhe e ka dërguar në një dhomë hoteli si dhe i ka marrë telefonin e saj me vete, të cilin e ka fikur.
Rrteh orës 12:00, Krisi në prezencë të Orionit, ka marrë dy herë në telefon shtetasin Laver Çobo, duke i kërkuar 400 000 euro në këmbim të lirimit të vajzës së tij, e cila sipas tij ishte e rrëmbyer nga këta shtetas. Pasi Laver Çobo ka bërë kallëzim në polici, kjo e fundit ka pasur dyshime se në këtë veprim ishte përfshirë shtetasi Orion Hoxha dhe ka shoqëruar familjarë të tij, për t’u interesuar lidhur me veprimet e Orionit atë ditë.
I vënë në dijeni të këtij fakti, Orioni ka shkuar dhe ka takuar Nensi Çobo, e cila priste në dhomën e hotelit dhe ka thënë që “…të shkonte në shtëpi sepse ishte bërë e madhe …”.
Kjo e fundit i ka telefonuar nënës së saj dhe polica ka kryer shoqërimin e më pas arrestimin e saj në flagrancë. Po ashtu Policia ka kryer shoqërimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve Orion Hoxha dhe Kris Gjore. Të tre këta shtetas kanë pranuar faktet e mësipërme.
Akuzat e Prokurorisë
Sipas prokurorisë, mësohet se në kushtet e mësipërme dyshohet se ndodhemi para elementëve të veprës penale të “Shtrëngimit me anën e kanosjes për marrjen e pasurisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 109/b e 25 të Kodit Penal pasi shtetasit nën hetim Orion Hoxha, Kris Gjore dhe Nensi Çobo në bashkëpunim midis tyre kanë thurur planin për ti marrë shtetasit Laver Çobo një sasi të hollash dhe kanë kryer ekzekutimin e tij duke improvizonin rrethana të tilla sikur vajza e shtetasit Laver Çobo shtetasja nën hetim Nensi Çobo ishte rrëmbyer, i kanë telefonuar Laver Çobos, duke I kërkuar një sasi të madhe lekësh në këmbim të lirimit të saj, duke e shtrënguar me anën e kanosjes këtë shtetas për të përfituar padrejtësisht pasuri prej tij.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/