Deri në fund të shtatorit përfundojnë procedurat e dhënies me koncesion të rrugës Durrës-Kukës dhe aplikimit të tarifës 5 euro. 4 kompani kanë dorëzuar ofertat kohë më parë pranë Ministrisë së Transportit për t’u bërë pjesë e garës së dhënies me koncesion të autostradës MilotMorinë, me qëllim ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e saj. Burime nga Ministria e Transportit, bëjnë të ditur se hapja e ofertave dhe vlerësimi i tyre do të bëhet më datë 15 shtator, në mënyrë që ky aks të kalohet vetëm duke paguar një taksë të caktuar. Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës ka publikuar njoftimin e kontratës për kompanitë e interesuara koncesionare dhe data 23 mars ka qenë afati i fundit për dorëzimin e kërkesës për kualifikim. Ministria ka në dispozicion 180 ditë për të vlerësuar ofertat përkatëse, kohë që korrespondon me muajin shtator. Deri më tani, nga drejtuesit e këtij institucioni është thënë që taksa për kalimin në këtë rrugë do të jetë rreth 5 euro, dhe duket se kompania e përzgjedhur do të jetë ajo që ka një ofertë rreth kësaj vlere.
Koncesioni do të zgjasë për një periudhë 30-vjeçare dhe kompania fituese do të mbledhë dhe të mbajë të ardhurat nga taksa, dhe në këmbim do të ketë përgjegjësinë për të zbatuar dhe financuar përmirësimet e autostradës, të ndërtojë një urë të re mbi lumin Drin në Kukës dhe të zbatojë punimet më urgjente gjeo-teknike të stabilizimit.
Pika e parë e pagesës do të ndërtohet në Rrëshen ndërsa pika hyrëse në Kukës. Ende është e paqartë se si do të negociohet vendosja e pikave të pagesës në Kosovë pasi autostrada që përshkon këtë vend të tariforet. Një pjesë e banorëve të qarkut të Kukësit e përdorin këtë rrugë si më të shkurtrën për të komunikuar me Tropojën dhe anasjelltas, por ndërkohë përdorin vetëm pak kilometra të autostradës nga Morina në Prizren.g.sh
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/