Padia për 8 kryeministrat e vendit që nga viti 1991 e deri tani, kërkuar nga Nikoll Prenga ka kaluar në një kalvar të gjatë të drejtësisë.
Rruga e gjatë e padisë
Në qershor 2014 kërkuesi Nikoll Prenga ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Përgjithshme kundër shumicës së kryeministrave të shtetit shqiptar që kanë drejtuar vendin pas vitit 1990, duke i konsideruar ata si
përgjegjësit kryesorë për të gjitha ato që kanë ndodhur në vendin tonë gjatë kësaj periudhe postkomuniste.
Në korrik 2014 Drejtoria e Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale, pranë Prokurorisë së Përgjithshme njofton kërkuesin Nikoll Prenga se kallëzimi i tij i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Po në korrik prokuroria ka vendosur të mos fillojë procedimin penal për materialin e kallëzuar nga shtetasi Nikoll Prenga.
Në gusht 2014 kërkuesi Nikoll Prenga ka paraqitur, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, ankimin kundër vendimi të mosfillimit të çështjes penale nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës.
Në tetor Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka vendosur mospranimin e ankimit të bërë nga kërkuesi Nikoll Prenga me argumentin si të pabazuar në prova dhe në ligj dhe se nuk ka asnjë provë thelbësore apo të rëndësishme për të përligjur fillimin e procedimit penal.
Cështja ka shkuar në gjykatën e Apelit Durrës në tetor 2014 e cila me jë vendim të marrë në prill të 2015 ka vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe dërgimin e çështjes për gjykim në Gjykatën e Lartë.
Arsyetimi
Gjykata e Lartë ka shqyrtuar cështjen në qershor 2015 duke marrë në vijim vendimin se cështja kundër 8 kryeministrave duhet të fillojë.
Për veprat penale që gjykohen në shkallë të parë nga Gjykata e Lartë, procedohet nga Prokuroria e Përgjithshme, prandaj megjithëse kërkuesi e ka adresuar drejt kallëzimin e tij, ka qenë Prokuroria e Përgjithshme ajo që ia ka dërguar kallëzimin një organi inkompetent siç është Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se vendimi i mosfillimit të çështjes penale i marrë nga Prokuroria, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës është i pabazuar në ligj, sepse kësaj prokurorie i ka munguar kompetenca në lëndë, e cila i përket Prokurorisë,pranë Gjykatës së Lartë, prandaj kërkesa e prokurorit pranë Gjykatës së Lartë dhe e kërkuesit Nikoll Prenga, të bëra në gjyq, janë të bazuara në ligj dhe për rrjedhojë ato duhet të pranohen.
Gjykata e Lartë në përfundim vendosi prishjen e vendimit të mosfillimit të procedimit penal të Prokurorisë, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës; kalimin e akteve të çështjes për kompetencë lëndore Prokurorisë së Përgjithshme.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/