AFRIM KRASNIQI/Na lejoni të shijojmë Kombëtaren!

AFRIM KRASNIQI/Na lejoni të shijojmë Kombëtaren!

63
0
Shares

Të gjithë duan që kombëtarja të fitojë? Po, por ka nga ata që kanë “frikë” nga suksesi! Dhe kanë të drejtë. Ja përse. Natyrisht, çdo shtetas i këtij vendi apo bashkëkombës kudo ndodhet, ndjehet mirë kur kombëtarja shqiptare luan mirë dhe fiton. Ekipi aktual është ndër më të mirët, – shanset për një rezultat historik janë shumë pranë. Vlerësimi është klasik: merita është e qartë, – lojtarët, lojtarët, tranieri dhe gjithçka ata përfaqësojnë. Në humbje apo fitore, në ditë të mira apo të këqija, në festë apo zhgënjim ata dhe vetëm ata janë meritorë. Përtej kësaj skeme klasike në Shqipëri edhe momente të tilla gëzimi, edhe arritje të tilla, edhe ngjarje të tilla me impakt shoqëror dhe imazhi, rrezikojnë të na veniten, vidhen dhe shëmtohen nga ata që kanë vjedhur e shëmtuar gjithçka në këtë vend, – politika.

Shikoni si sillen politikanët tanë me ekipin kombëtar: – kur shënon ekipi lajm imponohet politikani që e komenton, kur shqiptarët festojnë golin lajm imponohet festa tek turma afër politikanit…këta të fundit komentojnë prag ndeshjen, ndeshjen, pjesën e parë të ndeshjesh, lojtarin më të mirë e më të keq, sjelljen e gjyqtarit dhe tranierit, rolin e kapitenit apo ndryshimet gjatë lojës, skemën e lojës dhe gjithçka tjetër, – një sjellje absurde që të kujton kohën e revolucionit kinez dhe që sot, përveç se në Shqipërinë tonë mund të ndodhë diku në Korenë e epërme apo në ndonjë vend diku në periferi të botës! Ndodh dhe mund të ndodhë që politikanët, – kur ka momente të veçanta, të takojnë kombëtaren apo ta falënderojnë atë kur shënon rezultate, por në asnjë vend serioz nuk mund të ndodhë dhe nuk ndodh që kur kombëtarja luan futboll lajm kryesor të imponohen jo lojtarët në fushë, por marketingu abuzues, fyes dhe populist i politikës jashtë fushe. Absurdi shkon aq larg sa kur kombëtarja fiton, më shumë urime militantësh dhe turmash pa vetëdije qytetare gjenden në postimet dhe adresimet e politikanëve kryesorë sesa tek ata që kanë luajtur në ndeshje, që kanë vrapuar, janë djersitur dhe kanë fituar, pra tek ekipi, lojtarët dhe tranieri!

Merrni edhe rastin e fundit në Danimarkë, atë në Beograd apo raste të tjera të ngjashme. Shqipëria përfaqësohet me një ekip lojtarësh dhe një ekip zyrtarësh që udhëtojnë me avion special. Në praktikën e vendeve serioze shoqëruesit e ekipit kombëtar janë federata, personalitete të sportit, gazetarë të sportit, menaxherë të sportit apo edhe familjarë të futbollistëve kryesorë të ekipit. Po në avionin charter shqiptar kush ndodhet? Përveç federatës dhe ca reporterëve të sportit, pjesa dominuese në listë janë politikanët, deputetë e zyrtarë të lartë, prokurorë e gjyqtarë, biznesmenë me lidhje politike, gazetarë politikë, dhe natyrisht familjarë e miq….të politikës dhe federatës! Një detaj që dëshmon shumë sesi ne e trajtojmë shtetin, zyrtaren dhe publiken….si diçka tërësisht private, familjare, klienteliste dhe “çuna lagjie”.

Së fundi, por me rëndësi! Përse askush, absolutisht askush që pranon e merr pjesë ne skena të tilla propagandistike e fyese për intelektin qytetar e shtetëror, nuk i adreson një pyetje të thjeshtë këtyre abuzuesve me ekipin, suksesin, simbolin dhe talentin e kombëtares: – çfarë keni bërë ju për kombëtaren, për futbollin, për të rinjtë që duan të bëjnë karrierë, për fushat e betonizuara të sportit dhe për mafian dhe informalitetin dominues në futbollin e brendshëm në atë që ne ende e quajmë kampionat dhe madje superiore? Nëse bëhet kjo pyetje nuk ka dhe nuk mund të ketë përgjigje. Sepse nuk kanë bërë asgjë, absolutisht asgjë. Përveç se janë mjeshtër tu vjedhin meritat dhe sukseset atyre që falë talentit dhe rezultateve në sport po na bëjnë sot krenar, – ekipit kombëtar, shumica absolute e të cilëve nuk janë produkt direkt dhe as indirekt i mjedisit tonë, i sportit tonë, i kampionatit tonë, i politikës apo vendimmarrjes tonë!

Ndeshja përcaktuese me Portugalinë po vjen dhe me pak disiplinë sportive e fat mund të jemi vërtetë në ditët tona historike. Ekipi po stërvitet kurse politikanët…ata kanë filluar përsëri të na vjedhin klimën, pragndeshjen, emocionet dhe në rast pozitiv, edhe suksesin! Një palë në tëitter, një palë një FB, të majtë e të djathtë, të kuq e të verdhë, njerëz që kurrë në jetën e tyre nuk kanë prekur një top me këmbë apo që kanë dështuar të jenë sportistë klasi, – të gjithë, absolutisht të gjithë janë në garën absurde për të vjedhur momentin tonë historik. Një maskaradë që duhet të marrë fund!

O njerëz me kollare tenderësh dhe pa sens mase, qe kur nuk dini te beni punen tuaj merreni me punet e te tjereve! Jepini fund kësaj maskarade, merruni me punët për të cilat ju paguajmë me taksat tona dhe na lejoni të shijojmë sportin dhe suksesin siç po e bën ekipi ynë kombëtar, – të pastër dhe dinjitoz! Mos na vidhni gëzimin. Të paktën një herë. Lërjani çastin atyre që e meritojnë dhe që po e bëjnë realitet, Xh. de Biazit dhe djemve të talentuar të ekipit tonë! Sepse sot jemi këtu vetëm falë tyre dhe ata meritojnë respekt.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY