Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar për ekspertim dhe këqyrje aparatet celular të 6 të dyshuarve për përplasjen me armë në Laç, mes tyre edhe telefonat e deputetit Armando Prenga.
Sipas prokurorisë, ky veprim hetimore për hetuesit do të provoj faktin e komunikimit mes djemve dhe Gjok Calit, mesazhet që ky ka shkëmbyer me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe bisedat me shefin e komisariatit të Laçit natën e ngjarjes. Nga këqyrja e tyre, hetuesit thanë se do të provohet alibia e pjesëtarëve të familjes Cali që akuzuan deputetin për kërcënimin në lokalin e tyre.
Nga ana tjetër, këqyrja e aparateve celularë të deputetit Prenga, do të provoj, thanë hetuesit, nëse ai ka komunikuar me vëllanë e tij apo ndonjë drejtues polici për përplasjen me familjen Cali në rrugën Patok – Laç mbrëmjen e 4 shtatorit. Gjithashtu, është kërkuar edhe nga kompanitë e telefonike në vend të identifikojnë qelizat e lëvizjes të të dyshuarve, mes tyre edhe atë të Anton Lekës i cili pretendon se natën e ngjarjes nuk ka qenë në Laç por në një dasmë në Kamëz.
Prokruoria e përgjithshme krahas hetimit për përplasjen fizike dhe me armë pranë komisariatit të Laçit, po verifikon edhe veprimet e të gjithë efektivëve të policisë që natën e sherrit ishin në detyrë. Burimet thonë, se pyetja e të shoqëruarve dhe të ndaluarve të familjes Cali kanë implikuar edhe efektivë të policisë në ngjarje, duke pretenduar se nuk kanë reaguar për të shmangur dhunën fizike ndaj tyre. Gjithashtu, ata kanë pretenduar se punonjësit e policisë edhe pse ishin në vendin e ngjarjes dhe kanë parë deputetin Prenga me pistoletë në dorë nuk kanë reaguar për të arrestuar të në flagrancë.
Nga ana tjetër të gjithë punonjësit e policisë, të pyetur për ngjarjen kanë mohuar se kanë parë deputetin Prenga me pistoletë në dorë. Ata i kanë thënë hetuesve, se ishte gjysmë errësirë dhe për shkak të mungesës së ndriçimit para komisariatit nuk kanë arritur të identifikojnë deputetin e armatosur apo të shohin se kush ishin dy personat e armatosur që qëlluan ndaj pjesëtarëve të familjes Cali. Po këto burime, thonë edhe kamerat e sigurisë në komisariatin e Laçit nuk punonin natën e ngjarjes, çka nuk kanë arritur të fiksojnë ndonjë nga imazhet e personave që kanë hyrë në oborrin e komisariatit para dhe pas përplasjes fizike dhe me armë mes dy familjeve Cali dhe Prenga.






