Pesë ditë pas atentatit të kryer në Tiranë në zonën e njohur si lulishte “1 Maji”, Prokuroria ka zbardhur ngjarjen e plotë duke thënë se vrasja Aurora Oskyan dhe Kevin Rugovës ka ndodhur nga një atentat i organizuar rastësisht, pasi autorët panë pranë lagjes së tyre 40-vjeçarin që i kishte rrahur më parë.
Në një njoftim për mediat Prokuroria thotë nga deklarimet rezulton që motivi i kësaj ngjarjeje është një konflikt i disa muajve më parë mes të dëmtuarit Elvis Gaçaj dhe personit nën hetim Vasiel Çavo. Sipas organit të akuzës, Elvis Gaçaj e ka rrahur shtetasin Vasiel dhe në mënyrë të përsëritur ka vijuar të fyejë dhe shajë Sael Sulajn.
Prokuroria sqaron se mbrëmjen e datës 01. 10. 2015, Sael Sulaj ka parë rastësisht në një lokal pranë lagjes ku ai banon shtetasin Elvis Gaçaj, duke darkuar me tre të tjerë.
“Në këtë kohë, për shkak të konfliktit të lartpërmendur, shtetasit Sael Sulaj i ka lindur mendimi që të hakmerrej ndaj shtetasit Elvis Gaçaj dhe, për këtë qëllim, i ka telefonuar shokut të tij Vasiel Çavo. Pasi janë takuar, Saeli dhe Vasieli kanë shkuar në shtëpinë e këtij të fundit dhe kanë marrë një armë zjarri tip automatik dhe një pistoletë. Sipas planit të thurur prej tyre, kur Elvis Gaçaj të hipte në makinë, Saeli do të qëllonte me automatik i pari, ndërsa Vasieli do të mbështeste atë me pistoletë nëse do dilte ndonjë e papritur”,-thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.
Dosja e Prokurorisë së Tiranës
Shtetasit: Sael Sulaj dhe Vasiel Çavo
Nën hetim për krimet “vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, të parashikuara nga nenet 79§ç dhe 278§4 të Kodit Penal.
Shtetasi: Elvis Gaçaj
Nën hetim për veprën penale “prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, i parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
Hetimet e deritanishme provojnë që më 1 tetor 2015, rreth orës 19:45, në sheshin mes pallateve afër Lulishtes “1 Maji”, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një autoveture të markës BMW, seria 5, ngjyrë gri e metaltë, në të cilën sapo kishin hipur dhe po largoheshin shtetasit Elvis Gaçaj, drejtues, Aurora Oskyan pasagjere në vend të parë, Kevin Rugova dhe E. GJ., pasagjerë në ndenjësen e pasme, të ulur përkatësisht pas Aurorës dhe Elvisit. Nga goditjet me breshëri me armë që mendohet të jenë kallashnikovë, janë vrarë në vend Kevin Rugova dhe Aurora Oskyan, të dy të ulur në krahun e djathtë të mjetit, është plagosur rëndë Elvis Gaçaj dhe ka shpëtuar pa dëmtime E. GJ. Elvis Gaçaj është shtruar në spital ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirugjikale.
Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, policia gjyqësore ka shkuar në vendngjarje, ku gjate këqyrjes janë fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale automjeti, i cili në xhamin e parmë dhe pjesët metalike sipër dhe anash kishte dëmtime të shumta të shkaktuara nga predha arme zjarri. Në mjet kanë qenë të vdekur dy të lartpërmendurit që janë marrë pas këqyrjes për ekzaminime të mëtejshme mjekoligjore; mjeti u mor më pas për këqyrje më të hollësishme në mjediset e DPQ Tiranë.
Hetimet e para treguan që në mbrëmjen e datës 01.10.2015, shtetasit Kevin Rugova, Elvis Gaçaj, Aurora Oskyan dhe E. GJ. kanë lëvizur së bashku me automjetin e markes “BMW”, me targa AA xxx JS, të drejtuar nga Elvis Gaçaj. Pasi kanë parkuar automjetin në rrugën “Beqir Rusi”, pranë Lulishtes “1 Maji” Tiranë, të lartpërmendurit janë ulur për të darkuar së bashku në një lokal aty pranë, ku kanë qëndruar për rreth gjysmë ore. Pasi janë ngritur, personat e lartpërmendur janë drejtuar për te mjeti BMW. Elvisi është ulur në timon, Aurora në ndenjësen e parë nga ana e pasagjerit, ndërsa Kevini dhe E. GJ. janë ulur në ndenjëset e pasme të mjetit.
Sapo mjeti ka nisur lëvizjen, dy vetë kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit. Si pasojë e të shtënave, kanë mbetur të vrarë shtetasit Kevin Rugova dhe Aurora Oskyan, është plagosur rëndë Elvis Gaçaj, ky i fundit është transportuar në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje kritike për jetën; ndërsa E. GJ. nuk ka pësuar dëmtime. Pasi kryen vrasjen, autorët janë larguar më këmbë në rrugicat e lagjes, duke iu shmangur ndjekjes së policisë.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën, fiksuan dhe se
kuestruan në cilësinë e provave materiale 6 copë gëzhoja model 54 kaliber 7.62 mm, 23 copë gëzhoja model 56 kalibër 7.62 mm, si dhe një qese plasmasi me ngjyrë të zezë, për të cilat është marrë vendim për kryerjen e ekspertimeve përkatëse. Gjithashtu, gjatë kontrollit të territorit përreth vendit të ngjarjes dhe drejtimit nga mendohet se janë larguar autorët, në bulevardin “Bajram Curri” në skarpatin e lumit të Lanës është gjetur, fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një çantë me ngjyrë të kuqe me dy rrota plastike, ku brenda saj u gjet një kapele sportive me ngjyrë blu me strehë, si dhe një medalion meshini me ngjyrë qielli-blu-rozë-zezë. Nga policia gjyqësore u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një predhë, e cila u fiksua gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes në makinën e shtetasit A. Z.
Po kështu, nga kontrolli i ushtruar në lumin “Lana”, midis dy urave lidhëse në afërsi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është bërë e mundur që, në rrjedhën e lumit, polumbarët e repartit “RENEA” të gjejnë një armë zjarri tip automatik, model 56, kalibër 7.62 mm, me numër xxxxx, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga këqyrja e automjetit të markës BMW me targa AA xxx JS, u konstatuan disa dëmtime të shkaktuara nga depërtimi i predhave të armëve të zjarrit, si dhe në sipërfaqen e brendshme u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një predhë model 54, një bërthamë predhe, dy këmishëza predhe, një palë tuta sportive me ngjyrë blu të errët, katër tampon të marrë me mbetje biologjike me ngjyrë të kuqe si ajo e gjakut, gjashtë tampone me mbetje biologjike, ndërsa në pjesën e jashtme të automjetit u fiksuan tre gjurmë papilare.
Po kështu, policia gjyqësore kreu sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të pamjeve filmike të disa subjekteve private, pranë vendit të ngjarjes dhe përgjatë itinerarit që mendohet se kishin përshkruar autorët pas kryerjes së krimit. Në një banesë pranë vendit të ngjarjes u mor dhe u administrua një DVR me regjistrime filmike të kamerave që mbikëqyrin mjedisin pranë vendit të ngjarjes. Kjo pajisje u dërgua për ekzaminime të mëtejshme në DPSH, Tiranë.
U pyet në spital i dëmtuari Elvis Gaçaj por, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, nuk iu morën dot shpjegime për ngjarjen. Gjatë ndërhyrjes kirurgjikale, nga trupi i tij mjekët nxorën dy këmishëza copëza predhe arme zjarri të cilat, së bashku me teshat që i dëmtuari mbante u sekuestruan si prova materiale.
Nga hetimet paraprake rezulton që viktima Kevin Rugova dhe i dëmtuari Elvis Gaçaj janë persona me precedentë penal dhe kriminal, me prirje shitjen e narkotikëve. Për këtë qëllim, u ushtrua kontroll në banesën e viktimës, ku u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një peshore elektronike dhe një sasi prej 3.3 gram kokainë.
Nga të dhënat e marra në rrugë operative rezultoi se objekt i këtij sulmi kriminal ka qenë Elvis Gaçaj, person me precedentë të shumtë penal dhe kriminal në drejtim të trafikimit të lëndëve narkotike; ngjarja ka ardhur si pasojë e një konflikti mes tij dhe personave të dyshuar Sael Sulaj dhe Vasiel Çavo.
Shërbimet e policisë gjyqësore arritën që më 02. 10. 2015 të shoqëronin në mjediset e DPQ Tiranë personat e dyshuar Sael Sulaj dhe Vasiel Çavo. Të pyetur në cilësinë e personave nën hetim, shtetasit e lartpërmendur kanë pranuar autorësinë e krimit si dhe shpjeguan tërë mekanizmin e ngjarjes.
Nga deklarimet e tyre rezulton që motivi i kësaj ngjarjeje është një
konflikt i disa muajve më parë mes të dëmtuarit Elvis Gaçaj dhe personit nën hetim Vasiel Çavo. Elvis Gaçaj e ka rrahur shtetasin Vasiel dhe, në mënyrë të përsëritur, ka vijuar të fyejë dhe shajë Sael Sulajn.
Mbrëmjen e datës 01. 10. 2015, shtetasi Sael Sulaj ka parë rastësisht në një lokal pranë lagjes ku ai banon shtetasin Elvis Gaçaj, duke darkuar me tre të tjerë. Në këtë kohë, për shkak të konfliktit të lartpërmendur, shtetasit Sael Sulaj i ka lindur mendimi që të hakmerrej ndaj shtetasit Elvis Gaçaj dhe, për këtë qëllim, i ka telefonuar shokut të tij Vasiel Çavo. Pasi janë takuar, Saeli dhe Vasieli kanë shkuar në shtëpinë e këtij të fundit dhe kanë marrë një armë zjarri tip automatik dhe një pistoletë. Sipas planit të thurur prej tyre, kur Elvis Gaçaj të hipte në makinë, Saeli do të qëllonte me automatik i pari, ndërsa Vasieli do të mbështeste atë me pistoletë nëse do dilte ndonjë e papritur. Në vijim të deklarimeve të tyre, të dyshuarit shpjegojnë se Saeli është pozicionuar në katin e dytë të sheshpushimit të pallatit të tij, me fushëpamje nga makina e shtetasit Elvis Gaçaj, ndërsa Vasieli ka qëndruar në hyrje të pallatit. Sapo Elvisi dhe personat që e shoqëronin atë kanë dalë nga lokali dhe i janë drejtuar automjetit të tyre, shtetasi Sael ka mbushur armën automatike dhe, pasi personat e lartpërmendur kanë hipur në mjet, ai ka hapur zjarr në drejtim të tyre, derisa ka mbaruar të gjithë fishekët. Menjëherë më pas, në drejtim të automjetit ka hapur zjarr me pistoletë dhe shtetasi Vasiel Çavo dhe të dy personat e armatosur janë larguar më këmbë në drejtime të ndryshme bashkë me armët e krimit. Shtetasi Sael Sulaj ka hedhur në Lumin e Lanës automatikun dhe çantën që mbante atë, sende këto që janë sekuestruar tashmë si prova materiale. Po kështu, edhe shtetasi Vasiel Çavo ka kaluar në urën këmbësore të Lanës, duke hedhur në ujë pistoletën dhe kapelen qe mbante në kokë.
Me gjithë kërkimet e bëra, policia gjyqësore nuk arriti të gjejë armën pistoletë.
Në këto rrethana, policia gjyqësore ka vijuar me arrestimin në flagrancë të shtetasve Vasiel Çavo dhe Sael Selaj, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, në dëm të shtetasve Kevin Rugova, Aurora Oskian dhe plagosjen e shtetasit Elvis Gaçaj, parashikuar nga nenet 79/dh, 25 dhe 278/4 të Kodit Penal.
Po kështu, mbështetur në deklarimet e ndryshme dhe provat paraprake, u procedua me arrestimin në flagrancë të Ervis Gaçajt, si i dyshuar për krimin “prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, i parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/