Tahiri: E nesërmja vetëm një ndeshje futbolli, 2300 policë për ta garantuar...

Tahiri: E nesërmja vetëm një ndeshje futbolli, 2300 policë për ta garantuar këtë

73
0
Shares

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka dalë sot para mediave për të bërë të ditur edhe njëherë masat e marra për ndeshjen Shqipëri-Serbi. Tahiri deklaroi se 24 orët e ardhshme janë një sprovë për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe se policia e Shtetit është e angazhuar plotësisht që kjo ndeshje të jetë një festë qytetarie.
Ministri Tahiri tha se do të garantohet rendi dhe siguria në vend, si dhe siguria e ekipit mik, duke u shprehur se për këtë do të angazhohen 2300 forca policie.

Deklarata e Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri

24 orët e ardhshme, janë një sprovë e rëndësishme, jo vetëm për Kombëtaren tonë, por për çdo qytetar, sado, pak apo shumë, të interesuar për futbollin dhe jo vetëm.
Policia e Shtetit dhe të gjitha institucionet ligj-zbatuese, janë totalisht të angazhuara për të garantuar që ndeshja e nesërme të jetë një festë qytetarie, e denjë për Shqipërinë, për çdo qytetar në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, dhe sigurisht për Kombëtaren tonë.
Policia Kufitare ka marrë masa në çdo pikë kufitare për monitorimin e kalimit të të gjithë shtetasve, veçanërisht të atyre që kanë për qëllim udhëtimi ndjekjen e ndeshjes nesër.
Në këtë kuadër, është shkëmbyer informacion intensiv me partnerët në rajon dhe BE, si dhe me FSHF, UEFA dhe FIFA, për hartimin dhe monitorimin e listës së personave të cilët kanë precedentë të mëparshëm për akte të dhunshme ose akte huliganizmi gjatë aktiviteteve sportive.
Kjo listë është në dispozicion të Policisë Kufitare dhe të të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit në terren, për moslejimin e hyrjes në Republikën e Shqipërisë, e në rast se kanë hyrë më parë apo jetojnë këtu, për monitorimin konstant, e në të gjitha rastet, për ndalimin e hyrjes në mjediset e stadiumit “Elbasan Arena” dhe mjediset në afërsi.
Strukturat e luftës kundër krimit në të gjithë vendin do të jenë të angazhuara për monitorimin dhe ndjekjen e çdo informacioni që mund të cenojë mbarëvajtjen e ndeshjes.
Agjent civilë do të jenë në të gjitha ambientet ku do të ketë grupime njerëzish dhe tifozësh, në akset rrugore, por edhe brenda stadiumit.
Forcat e rendit dhe Policisë Rrugore në të gjithë Shqipërinë janë tërësisht të angazhuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në çdo ambient publik, si dhe monitorimin e të gjitha akseve rrugore, në të gjithë vendin, por në mënyrë të veçantë në të gjitha akset që të çojnë në Elbasan dhe stadiumin “Elbasan Arena”.
E gjithë struktura e FNSH, RENEA dhe Njësia Antiterror është angazhuar në gatishmëri të plotë që nga sot, për të parandaluar çdo kërcënim të prishjes së rendit dhe qetësisë publike, në mbështetje të strukturave të tjera të Policisë së Shtetit, si dhe në gatishmëri për të ndërhyrë kudo që do të evidentohet një cenim real i rendit dhe sigurisë publike.
Janë marrë masat maksimale për garantimin e sigurisë për ekipin mik. E në këtë kuadër, një pjesë e Repartit RENEA, bashkë me një pjesë të Policisë së Shtetit është e angazhuar ekskluzivisht për këtë qëllim.
Në total, për garantimin e ndeshjes nesër, do jenë të angazhuara mbi 2.300 forca policie, kryesisht në Tiranë dhe Elbasan, ndërkohë që do të jenë të gjitha mjetet dhe infrastruktura në dispozicion.
Por pavarësisht njoftimeve të herëpashershme të Policisë së Shtetit për masat e marra, të detyrueshme për mbarëvajtjen e ndeshjes së nesërme, sfida më e madhe është të angazhohemi të gjithë bashkë, për të dhënë një shembull të vlerave dhe qytetarisë që kanë shërbyer si themelet tona historike, mbi të cilat jemi ngritur e zhvillohemi sot si shoqëri.
E nesërmja është vetëm një ndeshje futbolli.
Dhe pavarësisht emocioneve për Kombëtaren tonë, ndeshja më e rëndësishme është sfida jashtë fushës.
Në qoftë se në fushë do të luajnë 11 lojtarët e Kombëtares sonë dhe 11-ja e skuadrës mike, jashtë fushës së blertë kemi të gjithë një rol e detyrë për të luajtur: çdo qytetar, i ndërgjegjshëm për rëndësinë dhe detyrën që kemi për të dhënë një shembull qytetarie, ka një rol në përpjekjen tonë të përbashkët, për të garantuar që kjo ndeshje futbolli të jetë realisht vetëm kaq.
Një ndeshje futbolli, e kësisoj, një festë sportive e denjë për Shqipërinë dhe skuadrën tonë.
Federata, trajneri, Kombëtarja jonë, është impenjuar që në fushë të fitojë futbolli. Të fitojë loja.
Jashtë fushës, ndeshja jonë më e rëndësishme, sfida jonë më e madhe, është të bëjmë gjithçka është e mundur për t’i dhënë Kombëtares festën e qytetarisë dhe pasqyrën më të mirë të vlerave me të cilat është edukuar secili prej nesh, në çdo familje shqiptare nga veriu në jug.
Ndaj është e detyrueshme të përpiqemi bashkë për të mbrojtur vlerat tona, pa lejuar që emocionet e sportit të kthehen në kërcënim për qytetarinë.
Brenda fushës, do fitojë futbolli dhe loja. Por fitorja më e madhe, është jashtë fushës. Për vlerat tona si shoqëri e denjë për t’iu bashkuar vlerave të familjes së madhe të BE. Dhe çdonjëri prej nesh ka një rol kyç për të luajtur.
Ndaj dua t’i bëj thirrje çdo qytetari, të bashkëpunojë me Policinë e Shtetit, të informojë për çdo gjë që mund, qoftë edhe largësisht, të kërcënojë atmosferën e festës para, gjatë dhe pas ndeshjes së nesërme, e mbi të gjitha vlerat tona, që i mbrojmë vetëm duke u angazhuar të gjithë bashkë maksimalisht.
Në këto 24 orë, kemi mundësinë të tregojmë veten dhe fuqinë e qytetarësisë së vlerave tona, duke mbështetur Kombëtaren dhe skuadrën mike, por mbi të gjitha, bashkë me Kombëtaren, duke mbështetur Shqipërinë dhe vlerat tona si shqiptarë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY