Tekstet në celular të sekserit që kërkonte para për Fran Qafën
“Fiks Fare” solli dje fakte sesi funksionon skema e marrjes së provimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës. Një student i këtij fakulteti, i cili duhej të hynte në provimin e diplomës, detyrohet të paguajë 500 euro për të marrë notë kaluese në dy provime të mbartura, “E drejtë penale” dhe “E drejtë e procedurës penale”.
“Fiks Fare” tregoi dje dhe do të vazhdojë denoncimin në ditët në vazhdim sesi studenti merr notë kaluese në të dyja provimet, pasi paguan 500 euro. Studenti i Drejtësisë në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, rrezikonte të mos ngelte përfundimisht në dy lëndët e mësipërme për të kaluar më pas në provimin përfundimtar të marrjes së diplomës. Ai iu drejtua emisionit “Fiks Fare”, pasi e kishte të pamundur që të merrte notë kaluese në dy lëndët e pedagogut Fran Qafa.
Studenti pretendonte se kishte dhënë disa muaj më parë provimin, por pedagogu nuk i kishte dhënë notën kaluese që studenti pretendonte se e meritonte. Duke mos pasur mundësinë e sigurimit të të hollave, studenti kërkoi ndihmën e emisionit investigativ në “Top Channel”, gazetarët e të cilit nisën edhe mbledhjen e informacioneve mbi këtë rast. Bisedën e parave studenti pretendonte se e kishte bërë më parë me pedagogun, por për ta vërtetuar një gjë të tillë, studenti i kërkoi takim para provimit pedagogut Fran Qafa.
Gjatë bisedës telefonike që studenti bën me pedagogun Fran Qafa, ky i fundit i lë takim në një lokal, pranë universitetit. Me të mbërritur te lokali, studenti e gjen pedagogun së bashku me disa persona të tjerë.
Një nga personat që qëndronte me pedagogun ngrihet nga tavolina, duke u ulur dhe biseduar me studentin, ku i kërkon arsyen se përse kërkonte takimin me pedagogun. Në këto rrethana, studenti i tregon këtij personi, i cili më pas duket se luan rolin e sekserit, se pedagogu i kishte kërkuar 500 mijë lekë (të vjetra) për dy provimet dhe se i kishte paratë me vete dhe ishte i gatshëm për të bërë pagesën.
Në këtë moment, personi që hyn si sekser mes studentit dhe pedagogut, takohet me pedagogun Fran Qafa dhe pas bisedës me të, fillon pazari me studentin. Pazari për marrjen e notës kaluese në të dyja lëndët bëhet mes sekserit dhe studentit me biseda të shkruara në aparatin telefonik celular.
Sekseri i tregon duke i shkruar në telefon se pedagogu i ka kërkuar 500 euro për dy provimet dhe jo 50 mijë lekë të reja. I ndodhur para kësaj situate, studenti i kërkon sekserit që të ulej pazari, që ai të paguante më pak. Por përgjigjja e sekserit ka qenë e prerë se as që bëhet fjalë për të dhënë më pak se 500 euro.
Në këto kushte, studenti detyrohet të pranojë dhënien e lekëve. Pasi mëson këtë fakt, pedagogu afrohet dhe nis bisedën me studentin. Pedagogu Fran Qafa i drejtohet studentit se provimi ka qenë në orën 11:00, por ai mund të hynte në provim edhe në orën 14:00 të po asaj dite. Por, më parë duhej të nxitonte të regjistrohej te sekretaria. Ndërkohë që studenti i kërkoi pedagogut Qafa që t’i jepte paratë në dorë, pedagogu shprehet se “nuk ke punë me mua, ik e tako atë (sekserin)”. Në këto kushte, studenti takon sekserin dhe në makinën e tij i dorëzon 500 mijë lekët (e vjetra) sekserit, ndërsa për diferencën e lekëve të tjera, studenti i premton se do të vinte të takonte pedagogun pas dy ditësh, para se të dilnin edhe notat e provimeve, ndërkohë që po atë ditë do të hynte në provim.
Fran Qafa, i arrestuar më parë për korrupsion
Pedagogu i Universitetit të Shkodrës, Fran Qafa, është arrestuar edhe para tri vitesh për vepra penale që lidhen me korrupsionin, por ai u lirua dy ditë pas prangosjes dhe u hetua në gjendje të lirë. Në qershor të vitit 2012, policia tha se Qafa, pedagog në Fakultetin Juridik të universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, është arrestuar në flagrancë, duke marrë para nga një student, në këmbim të notës kaluese në provim. Sipas deklaratës së asaj kohe, pedagogu ishte nën hetim prej disa kohësh, pas denoncimeve të shumta të bërë nga studentët e tij. Pedagogu Fran Qafa u dyshua për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv nga personat që ushtrojnë funksione publike, por dy ditë më vonë u lirua nga prokuroria. Burime nga Policia e Shkodrës bënë me dije në atë kohë, se Qafa do të hetohej në gjendje të lirë me urdhër të organit kryesor të akuzës. Më vonë, çështja ndaj tij është pushuar, ndërkohë që Qafa është rikthyer në punë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/