Biznesmenët e njohur në fushën e ndërtimit, lokaleve apo dhe karburanteve, të cilët, kohëve të fundit, kishin nisur të tregtonin edhe drogë, kanë dalë ditën e djeshme para Gjykatës, për të cilët u dha masa “arrest me burg”.
Prokurori i ka treguar gjykatës gjithçka ka mundur të kryej grupi i vëzhgimit dhe i përgjimit, ndërsa 7 ditë me radhë është ndjekur personi nën hetim Ajet Sulaj, një prej emrave të njohur të botës së biznesit.
Vëzhguesi ka fiksuar takimet, lëvizjet dhe personat me të cilët është takuar “objekti”, ndërkohë që janë vënë nën përgjim 13 numra telefonash, ku shtatë prej tyre iu përkasin biznesmenëve Ajet Sulaj dhe Bejto Kotaj. Të gjithë personat kishin lidhje miqësie me njëri-tjetrin, ndërsa saktësohet se tre palë të përfshira në trafik kanë përdorur edhe djemtë e tyre. Nga materiali i prokurorisë dalin në pah disa emra të pa hasur gjatë materialeve referuese, ndërsa në listën e procesverbaleve janë edhe emra personash që nuk dihet se çfarë lidhjesh kanë me grupin dhe as se çfarë pozicion kanë në trafikun e drogës.
SMS-ja që ka vënë në lëvizje policinë mësohet se është kapur në njërin nga numrat e Ajet Sulajt ndërsa mësohet se është dërguar nga personi i shpallur në kërkim që rezulton të jetë edhe i zoti i vilës që shërbente si laborator i kanabisit, Valter Pashollari, i cili i tregon sipërmarrësit Sulaj se 30 pako ishin të gatshme për rrugë.
Prokurori
“Më 25. 09. 2015, Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë të krimeve të Rënda ka regjistruar procedimin penal nr 249 për veprën penale trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim. Regjistrimi i procedimit penal është bërë pasi nga informacionet rezultonte se disa shtetas shqiptarë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, gjatë muajve qershor-korrik 2015 e në vazhdim, grumbullojnë sasi të mëdha lënde narkotike, kryesisht të llojit kanabis sativa, e cila magazinohej në qytetin e Shkodrës, në objektin e shtetasit Bejto Kotaj për qëllim trafikimin jashtë vendit.
Ndërkohë nga informacionet në vijim, rezulton se me gjetjen e lëndës narkotike merren shtetasi me emrat Alket dhe Skënder, të cilët kanë investuar në kultivimin e lëndës në fshatin Panahor të Mallakastrës, gjë për të cilën kujdesej shtetasi me emrin ‘Papi’ si dhe në fshatin Xeka të Krujës nëpërmjet shtetas Qerim dhe Lutfi Xeka.
Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se shtetasi me emrin Pajtim Braçaj, në bashkëpunim me personin e quajtur Naim, kryenin transportin e lëndës narkotike nga subjekti Qerim në drejtim të pikës së grumbullimit në Durrës. Shtetasit Pajtim dhe Naim, për të bërë transportin, përdorin automjetin tip ‘Passat’, ngjyrë e zezë”.
Vëzhgimi
Për qëllim hetimi është autorizuar kryerja e veprimeve të vëzhgimit, përgjimit ambiental në lidhje me lëvizjet dhe takimet e personave të dyshuar. Nga raporti i vëzhgimit ambiental rezultojnë të dhënat si më poshtë:
08. 10. 2015
Objekti (Ajeti) ka lëvizur i vetëm me mjetin e tij tip “Range Rover” ngjyrë e bardhë nga qyteti i Fierit drejt qytetit të Tiranës. Pasi futet në banesën e tij, e cila ndodhet në pallatin shumëkatësh, përballë drejtorisë së Policisë së Tiranës, objekti nuk është parë të dalë nga banesa.
09. 10. 2015
Shtetasi Alket (Ajet) Sulaj, ka lëvizur i shoqëruar nga bashkëshortja me mjetin e tij “Range”. Bashkëshortja e tij ka frekuentuar parukerinë ‘Frida’ në rr. “Hoxha Tahsim”, ndërsa objekti ka futur mjetin e tij, te një lavazh aty pranë dhe ka pirë kafe i vetëm te lokal “Oslo”. Pasdite, shtetasi Alket Sulaj, ka takuar Pajtim Braçajn dhe disa persona të tjerë. Ka frekuentuar lokalin “Library” përballë banesës së tij, si dhe kompleksin “Tajvan”, “Luna Park” dhe “Xhoi Lloto” në rr. “Reshit Çollaku”.
10. 10. 2015
Shtetasi Pajtim Braçaj paradite ka lëvizur me mjetin tip “Golf”. Ka frekuentuar kompleksin “Tajvan” dhe qendrën tregtare “TEG”. Ka takuar shtetasin Alket Sulaj si dhe tre persona të tjerë dhe drejtuesin e mjetit me targa AA 190 … Gjithashtu shtetasi Pajtim Braçaj ka lëvizur me mjetin e tij i vetëm, drejt qytetit të Vlorës, ku në afërsi të vendit të quajtur “Pusi i Mezinit”, në rrugën e vjetër, ka takuar shtetasin Naim Xhelilaj dhe të dy mjetet kanë lëvizur në drejtim të Durrësit. Mjeti i Naim Xhelilajt lëvizi në rrugën “Glaukia” drejt “Porto Romanos” pa u vëzhguar, ndërsa shtetasi Pajtim me mjetin e tij kthehet në Tiranë.
11. 10. 2015
Pajtim Braçaj me bashkëshorten e tij kanë dalë nga banesa në mesditë dhe kanë frekuentuar lokalin “Syri i Kaltër”, në rr. “Myslym Shyri”. Pasi është ndarë nga gruaja, shtetasi Pajtim, ka frekuentuar “Xhoi Lloto”, që ndodhet përballë “Tajvan-it”. Ka takuar vëllanë e shtetasit Alekt Sulaj, Mitatin, dhe disa persona të cilët punojnë te kompleksi në fjalë.
12. 10. 2015
Shtetasi Alket Sulaj ka lëvizur me mjetin e tij dhe ka takuar shtetasin Qerim Xeka te karburanti “Bolv Oil”. Më pas ka frekuentuar lokalin te karburant “Kastrati” në Vorë. Në mbrëmje, Alket Sulaj del nga lokali, hipën në mjetin e shtetasit Pajtim, i cili vinte nga drejtimi i Fushë-Krujës së bashku me mjetin “Passat” dhe lëvizën drejt Durrësit. Mjeti “Passat” futet te vila në Durrës ndërsa shtetasi Alket dhe shtetasi Pajtim, me mjetin e këtij të fundit kthehen në Vorë. Këtu shtetasi Alket merr makinën e tij dhe së bashku me Pajtimin lëvizin drejt Tiranës.
13. 10. 2015
Shtetasi Alket Sulaj ka lëvizur me mjetin e tij drejt Mamurrasit ku tek karburant “Eri” është takuar me Bejto Kotajn dhe më pas shtetasi Alket takohet me djalin e madh të shtetasit Qerim Xeka, te kompleksi “Nord Park”.
14. 10. 2015
Shtetasi Qerim Xeka ka lëvizur me mjetin e tij, ka takuar shtetasin Alket te “Bolv Oil” pranë sheshit “Shqiponja” në Tiranë dhe më pas është kthyer për në Krujë. Në të gdhirë të datës 15.10.2015, shtetasi Qerim takon shtetasin Naim Xhelilaj te parkingu i kompleksit “Nord Park” dhe dy mjetet lëvizin drejt Krujës. Pas 10 minutash drejt Krujës lëvizin edhe shtetasit Alket dhe Pajtim me mjetin e këtij të fundit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/