DRITAN ZAGANI – INTERVISTA, PJESA E PARË (E PLOTË)/ Oficeri i Policisë...

DRITAN ZAGANI – INTERVISTA, PJESA E PARË (E PLOTË)/ Oficeri i Policisë denoncon me emra skemën dhe të implikuarit në trafikun e drogës

146
0
Shares

Dritan Zagani ka shpjeguar në intervistën e dytë se përse zgjodhi të ikë nga Shqipëria. Ja edhe shpjegimet që Zagani jep me video.
Dritan Zagani në një pjesë të intervistës së tij në Opinion tregon edhe kush janë kolegët që e shisnin te trafikantët e drogës dhe lidhja e kushërinjve të ministrit të Brendshëm Tahiri me trafikun e drogës duke përdorur makinën e ministrit. Ja edhe dëshmia e Zaganit.
Dritan Zagani ka vazhduar denoncimin ndaj ministrit Tahiri, duke e lidhur atë me vëllezërit Habilajt dhe se si ata zhvillonin trafikun e drogës dhe se si këta vëllezër edhe pse janë denoncuar vazhdojnë të mbeten të lirë.
Ish-komisari i antidrogës Dritan Zagani, në videon e publikuar sonte në “Opinion”, lëshoi bombën e radhës duke dëshmuar se kushërinjtë e ministrit të Brendshëm përpos trafikut të drogës, kryejnë edhe emërimet e shefave të policisë ne zonën Fier-Vlorë.


Zagani, shypi shqiptar gazetat dhe televizionet  kane lajmëruar se ju jeni shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia shqiptar, sepse keni thyer urdhrin e arrestit shtëpiak,  çfarë ka ndodhur me ju?
Jam njohur nëpërmjet internetit dje dhe sot me këtë fakt dhe përveç çudisë që e kanë bërë  shumë vonë dy muaj pasi e kanë deklaruar këtë fakt të tillë, sepse po të lexosh me vëmendje shtypin dhe deklaratat e policisë shtetit shqiptar  që me daljen e fazës së parë të intervistës, me datën 2 shtator mendoja se do ishte bërë një gjë e tillë, siç shihet e kanë bërë pak me vonesë, sepse kanë dashur të gjejnë alibinë e duhur mendoj unë.


Në lajmet e tjera të përcjella me burim policore, thuhet se Dritan Zagani eshtë në Zvicër??
Ata  mund të thonë çfarë të duan, unë ia kam bërë me dije ministrit dhe në fun page e tij në “Facebook”, se unë nuk kam ik për frikën e tyre apo për frikën e tij, apo për drejtësinë, kam ikur sa të sistemoj fëmijët e mi, në një vend që për momentin  nuk mund ta deklaroj për garancinë e jetës së fëmijëve të mi, të cilët janë minorenë.


Kjo është arsyeja që ju nuk deklaroni se ku  ndodheni?
Kjo është  arsyeja e vetme dhe në momentin e parë që unë të kemi siguruar garancinë e fëmijëve të mi të mitur në vendin në të cilin ndodhem aktualisht, do të kërkoj nëpërmjet avokatit tim dhe paraqitjen në seancat gjyqësore nëse është e mundur.


Autoriteteve të vendit ku ndodheni jua keni bërë prezent këtë shqetësim?
Që ditën e parë, që unë jam prezantuar se kush jam, jam prezantuar me gjithë dokumentacionin gjyqësor që disponoj, ato pak që disponoj sepse shteti nuk mundet të na i japë të gjitha në formë ligjore e të rregullt, por ata pak që kemi mundur të garantojmë, i kam prezantuar të gjitha faktet, çfarë ka ndodhur, në çfarë faze jam dhe çfarë pretendoj unë të ndjek dhe i kam paralajmëruar se në këtë luftë që unë kam pohuar gjatë asaj interviste që do dilte se pa dalë intervista kam bërë kërkesën për mbrojtje, u kam bërë prezent se shumë shpejt do të ndodhe një fakt i tillë. Fakt tjetër që më çudit është se bëhet nga prokuroria një kërkesë  për arrestimin tim ndërkombëtar, kur është e njëjta prokurori që pas kërkesës së avokatit tim për heqjen e masës së arrestit në një seancë gjyqësore, ka qenë dakord me heqjen e masës së arrestit ndaj meje. Dhe ishte gjykata ajo që çuditërisht siç ndodhin gjërat në Shqipëri, e cila kundërshtoi jo vetëm avokatin por edhe prokurorinë dhe nuk më hoqi masën e arrestit. Dhe e njëjta prokurori për atë që ka pranuar vetë se ka qenë dakord për heqjen e masës, më shpall në kërkim ndërkombëtar. Kjo ngelet për tu parë.


Lidhur me informacionet që ju kishit për A. D., që sipas dosjes së prokurorisë Arben Dalipi, kush ka marrë dijeni zyrtare për këto informacione kur ju ishit në detyrë? Policia, prokuroria, SHKB, apo edhe autoritetet italiane?
Siç ta kam sqaruar edhe në intervistën e parë, informacionin e parë që kam hedhur në sistem dhe e kam përgatitur për këtë shtetas dhe grupin e strukturuar ku ai bën pjesë, sepse ka dhe emra të tjerë atje të cilët unë i kam përshkruar në informacion, kur kam dhënë numrat e telefonit jo vetëm për atë por edhe për shtetas të tjerë, e kam përcjellë për herë të parë me e-mailin e punës te drejtori i policisë Fier në atë kohë Ervin Hodaj.


Informacion me shkrim? Zyrtar?
Po, informacion me shkrim, zyrtar. Po kështu kam vepruar edhe herën e dytë, kur më është thënë se nuk po funksionojnë më ato numra telefoni për të njëjtët subjekte, sepse ai nuk është vetëm, por përmendet ai sepse ai është koka. Ky është thjesht një trafikant i zoti në llojin e punës së tij.


Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, kishte marrë informacione për të, këto informacione të dërguara nga ju?
Nga sa jam vënë unë në dijeni, dhe nga sa më është konfirmuar pastaj edhe nga specialistë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, zoti Ervin Hasrama, drejtori i qarkut të Fierit, z. Hodaj e ka dërguar informacionin lart, me firmën e tij, ashtu siç ia kërkova unë. Unë thjesht e përpilova dhe ia dërgova me e-mail për të mos u parë që është hartuar nga unë, kisha parandjenjë dhe dija se ai kishte pozita të forta shumë në Tiranë dhe nuk e dija deri ku.


Po Krimet e Rënda a kishin marrë dijeni për këtë?
Nga drejtori im, informacionet kanë vajtur në drejtorinë e përgjithshme dhe nga këtu  jam vënë në dijeni nëpërmjet drejtorit se çështjen po e ndjek Ervin Hasrama, specialist në drejtorinë e përgjithshme, në sektorin e antidrogës. Me Ervinin njiheshim për shkak të detyrës dhe ma prezantoi edhe drejtori duke më thënë se do të ndjekësh informacionin për këtë çështje nëpërmjet Hasramës. Dhe pasi kam dërguar edhe informacionin e dytë sepse u bë e madhe shitja e informacioneve, pasi herën e parë subjektit iu tha thjesht ndërro numrat se po të ndjek policia, ndërsa herën e dytë ka vajtur të burimi më tabulatet e mia në dorë dhe është prezantuar duke i thënë përse i jep informacione për mua Zaganit. Urdhëro i ka thënë ja ku janë tabulatet e telefonatave dhe mesazheve të tua  dërguar atij dhe di se çfarë i ke thënë dhe se kam problem të paguaj edhe dy mijë euro të tjera e të të zhduk edhe ty me gjithë të.


Çfarë bëtë?   
Kur ka ndodhur kjo unë kam kërkuar shpjegime të drejtori nëpërmjet shefit të sektorit, çfarë po bëhet, mos më kërkoni më informacion, po më shiten informacionet dhe për më tepër po më shiten tabulatet më shumë se informacionet. Në një takim që kam pasur me Ervin Hasramën kam kërkuar të di se çfarë po ndodh dhe çfarë po bëhet pasi të kam dërguar dy herë informacion


Dhe çfarë ju tha?
Ai me ka thënë tekstualisht kështu. Zagan, e kam dërguar dy herë te Krimet e Rënda, dhe të dyja herët që e kam dërguar te Prokuroria e Krimeve të Rënda procedimin, pasi e kam mbajtur siç e lejon ligji 15 ditë në procedim paraprak, për të parë dhe për tu bindur nëse ka apo nuk ka element për tu ndjek me proces me metoda special, në të dyja herët që e kam dërguar nuk kam marrë përgjigje dhe nuk e marr vesh nëse ai ka njerëz të fortë në gjykatë, apo në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por te Krimet e Rënda nuk duan ta ndjekin atë zotëri. Nuk di çfarë të të them, do bëjmë përpjekje ta mbajmë 15 ditore siç e kemi ne ligjin dh eta godasim ne vetë.


Po autoritetet italiane mund të kishin dijeni për aktivitetin e këtij subjekti?
Në rrugë zyrtare nga unë s’kanë pasur as nuk kanë për të pasur ndonjëherë asnjë lloj autoriteti i huaj informacion për aktivitetin kriminal të asnjë shtetasi brenda Shqipërisë, as kur isha në punë, as tani që nuk jam në punë. Por duke parë situatën, duke vlerësuar gjendjen kritike, në të cilën ndodhesha unë me këto, se dua të plotësoj diçka, përveç drejtorit unë vajta edhe te nëndrejtori që ishte shefi i linjës direkte të hetimit të krimit, nëndrejtori zoti Arben Janaqi.


Çfarë i thatë?
I vajta në zyrë dhe i thashë nëndrejtor çfarë po bëhet po më shiten informacionet. Nëndrejtori pasi më thirri në zyrë për një veprim të SHKB, se me to merrej jo me luftën kundër drogës dhe pasi më kishin vënë përgjues edhe te makina e punës e kudo tjetër më thirri në zyrë e më tha ..çfarë të thotë vëllai jot dhe ngriti supet. “Je nëndrejtori,- zotëri i them,- si më thua çfarë të të thotë vëllai, unë po të tregoj se më shiten informacionet, duhet të bëjmë diçka apo të punoj unë në kokë time dhe në një situatë të tillë dy duart për një kokë janë.


Dhe çfarë bëtë?
Dhe unë veprova disi në kokën time qoftë dhe administrativisht jo fort korrekt por asnjëherë e jashtëligjshme. Duke parë shitjen e informacioneve, mosveprimin e Krimeve të Rënda, me prokurorinë e Fierit nuk e kapja dot, ndonëse prokuroria pretendon se unë kam kryer veprime jashtë juridiksionit, shefat e mi kanë qenë në dijeni dhe më kanë aprovuar kryerjen e veprimeve, madje nuk kam shkuar asnjëherë me makinën time, por me makinën e shtetit dhe me karburantin e shtetit.


Po autoritetet italiane?
Autoritetet italiane nëpërmjet bisedave, siç kam shpjeguar më herët qe miku kolegu im Giuliani punonte këtu për shtetin shqiptar, nuk punoja unë për shtetin Italian, por punonte ai këtu për shtetin shqiptar. Vazhdimisht komunikoja me të në telefon, për mua Giuliani ka qenë dhe një shkollë profesionale. Në bisedat me të kam diskutuar edhe faktin se po më shiten informacionet dhe nuk dija si të bëja kisha ngelur mes katër rrugëve dhe i thashë jam bërë të lë punën nuk punohet më, pas ndërrimit të pushteteve janë fuqizuar disa kriminelë sa nuk po marr vesh se çfarë bëhet, nuk di kujt ti dërgoj informacionin, që jo vetëm ma shesin por nuk çaj dot përpara por po ngelem në vendnumëro. Keto kanë qenë biseda miqësore me një koleg të besueshëm. Dhe në diskutim e sipër si herë të tjera kur unë kisha nevojë për ta sqaruar ndonjë informacion, Giuliani më ka dhënë ndonjë shpjegim se çfarë mund dihej nga pala italiane për këtë trafikant dhe i kam kërkuar ndihmë nëse mund ta quaj, që nëse unë arrij të marr informacionin që ai është në det me drogë, por që nuk po e kap dot, sepse nuk po më lënë, të të bie në qafë të ma arrestosh ti atje. E kam kërkuar unë se plasa, nuk duroja dot më. Dhe kjo është dijenia, ata interpretojnë bisedat e mia miqësore me kolegun dhe mikun tim Giuliani, sikur janë raportime policore. Në fund të fundit e shkruajnë dhe e deklarojnë diçka të tillë, por deri më sot që flasim edhe përse janë bërë disa séanca edhe përse kam kërkuar direkt edhe nëpërmjet avokatit këto prova që ata kanë për të më provuar këtë fakt, nuk më është paraqit asnjë provë. Vetëm fjalë,  fjalë të stisura nga prokurori Anton Martini dhe nga SHKB-ja nga zoti Arben Skëndo dhe Zamir Shtylla, dy sigurimsa mjeshtra për të bërë intriga.


Përse janë të stisura sipas jush?
Sipas mendimit tim janë dy arsye. Se pari unë nuk jam përzier asnjëherë me politikë  dhe më ka gjet belaja, hip se të vrava e zbrit se të vrava me të dyja palët. Në atë kohë më bënin socialist sot më bëjnë demokrat, thjesht origjina ime e Shkodrës, thonë është ushtar i Sali Berishës. Doli ministri në televizion dhe tha se di nga është nga Shkodra, apo nga Tropoja. Nuk e di ministri nga jam unë, e ka të vështirë të dijë dhe marrë vesh, ministri ka gjithë mundësinë, ka gjithë policinë në dispozicion e se di nga e ka origjinën një oficer???


Ndoshta e kane informuar gabim?
Nuk e kanë informuar aspak gabim, i pëlqen të më lidhë pak më politikën për të mbuluar të tjera gjëra. I pëlqen, i vjen për mbarë.


Përse është e stisur?
Është e stisur sepse unë me dashjen time, kam luftuar dhe kam bërë të pamundurën të godas trafikun e drogës, me sa fuqi kam pasur. Dhe ato që kam bërë me aq mundësi sa kam pasur, flasin faktet dhe inatet e trafikantëve. Madje po të dëgjosh me vëmendje për dikë që njeh profesionin, intervista e kushëririt të 17 ka implikuar më keq ministrin se sa mua, mjafton ta interpretosh ligjërisht. Por të kaloj tek ajo përse? Siç të kam thënë në hetimet e mia kam rastisur që kam verifikuar atë targë, AA 003 GB.


Këtu buron motivi?
Motivi se duhet të zhdukesha patjetër nga policia


Dhe për këtë janë përdorur drejtuesit e SHB, sipas jush?
Për këtë është hedhur SHKB-ja në sulm kundër meje. Për këtë dhe për çfarë ka ndodhur më pas. Inati ka qenë i shpejtë. Që më ndërrimin e qeverive unë kam kërkuar për arsye familjare të transferohem afër familjes në Vlorë sepse vajtje ardhjet e përditshme në Fier nuk ishin të përshtatshme se përveç lodhjes fizike ishin edhe shpenzime sepse unë mbaja familjen me atë rrogë. Me atë rrogë mbaja familjen time prej pesë vjetësh


Mos largohemi nga subjekti A. D., apo Arben Dalipi, a kishte informacione për të dhe të tjerë rreth tij të implikuar, si dhe punonjës policisë së Vlorës, apo Krimeve të Rënda, të lidhur me këto subjekte të trafikut siç dalin edhe nga përgjimet e dosjes?
Qe ky subjekt në Vlorë ishte i garantuar flasin faktet, sepse ky subjekt, është nga ata persona, që ka vite e vite që punon i qetë në trafikun e drogës


E paskan lënë të gjitha qeveritë të punojnë këtë?
Ky punon i qetë. Përse punon i qetë. Nuk ka lidhje qeveria.  Ai punon në drejtim të trafikut të paligjshëm të drogës dhe ky element kontingjent jeton si një zotëri i njohur në Vlorë, mjafton të pyesësh dhe te thonë filani që ka lek boll, filani që ka atë vilën luksoze…


Po a ka të dhëna në sistem për të?
Unë di që ka të dhënë të tjera përveç asaj që kam hedhur vetë. Unë jam provë e gjallë se në sistem kam hedhur informacion, tani janë apo janë pastruar nga sistemi, sistemin e ka në dorë ministria.


Kishte lidhje me subjekte të tjera kontingjenti dhe a kishte lidhje me punonjës policie të implikuar??
Po të them deri në momentin që kam arritur të verifikoj se më shiteshin informacionet, kisha frikën se është i lidhur, kisha të dhëna se ka mbështetje, por thjesht të shkojë me tabulatet e mia të numrit tim të policisë, çfarë tregon kjo se nuk është I lidhur me policinë apo me prokurorinë e krimeve të rënda…??  Sepse tabulatet e mia mund ti jepte, SHKB, Policia dhe prokuroria e krimeve të rënda, nuk mund ti jepte Vodafone Albania. Unë e dija që isha në përgjim, atëherë I janë dhënë nga dikush që I ka pasur në dorë, nga përgjimi që më bëhej mua, pra ai që më përgjonte mua shiste jo vetëm informacionet por ka dhënë edhe tabulatet e mia, pra nuk është kjo mbështetje nga policia…??? Unë nuk e kisha as mundësinë as mbështetjen logjistike që ta mësoja personin direkt, kush e bën këtë punë dhe ku e ka lidhjen ai. Dhe kur ndodhin këto fakte e unë kërkoj shpjegim si drejtorit që me ngre supet, si nëndrejtorit që me ngre supet, si dhe specialistit të drejtorisë së përgjithshme të policisë së Shtetit, zotit Hasrama, shpjegime se po me shiten informacione dhe më thonë se është e kotë nuk çajmë dot me këtë subjekt atëherë nga vijën këto lidhje, ka apo s’ka mbështetje


Atëherë burimi shitjes së informacionit është lart?
Të lutem… Unë nuk mund të vë pikën mbi I se ku, por këto janë fakte që kanë ndodhur.


Lidhjet e tjera me kontingjent të këtij subjekti?
Normal. Ky njihet si një nga skafistët më mjeshtra, si një nga skafistët më të egër me detin që nuk e ka problem me hy edhe me 5 a 6 ballë në det, njihet si një nga ata që në kohën kur unë isha në Vlorë dispononte një mjet shumë të fuqishëm gomone me tre motorë që e mbante në Greqi dhe thjesht duke ndjekur hyrje-daljet e tij në Greqi e kam vërtetuar se këto informacione ishin më se të sakta


A transportonte lëndë narkotike me skaf në sasi të konsiderueshme?
Nuk bënte lëvizje të vogla ai. Në drejtim të Italisë. Magazinohej, përgatitej malli, në vijën bregdetare që nga Llogoraja deri në borsh ku kishin bazat, sepse ai nuk e kishte problem për të gjetur baza sepse ai investon, u jepte leket për punën që bën. Ai kur udhëtonte me mjetin e tij nuk është se udhëtonte me 1000 apo 1200 kile drogën e tij. Ai mund të kishte drogën e tij, 200 apo 300 kile, siç funksionojnë trafiku I drogës në Shqipëri dhe në Vlorë. Nuk funksionon që ti merr gomonen merr 1000 kile dhe i çon, nuk funksionon kështu. Është e organizuar, ti je skafisti ke gomonen, merr mallin për vetë çfarë ke për të çuar vetë por përveç kësaj janë dhe pesë apo gjashtë trafikantë të tjerë që vënë pjesën e tyre dhe të paguajnë për transportin, kështu funksionon trafiku I drogës me gomone. Është ndryshe trafiku I drogës me kamionë, që njëri blen kamionin e modifikon dhe bënë trafikun. Trafiku me gomone kështu ka qenë. Dhe me sa di unë në biseda me lidhjet e mia të vjetra, vazhdon akoma.


Vazhdon ende, ky subjekt?
Ky subjekt është i lirë, nuk është ndjekur asnjëherë, nuk I është nisur asnjëherë procedimi me gjithë këto të dhëna që ka pasur. Pastaj jo vetëm për drogën. Unë kam dhënë edhe të dhëna të tjera.


Çfarë të dhënash të tjera?
Në shtëpinë e tij është mbajtur në dorë nga njerëz çanta me 20 kile kokainë, kokainë e pastër, e kisha informacion dhe unë e kam hedhur në sistem këtë informacion.


E keni hedhur në sistem?
Po pop o. madje nga informacioni që kam hedhur në sistem, ata të qendrës, Prokuroria për krime të Rënda, më akuzojnë se kam dashur të vë mjete special përgjimi, GPS e mjete përgjimi në banesë dhe mjetin e tij, në kokën time që nuk është e vërtetë fare.


I keni vendosur?
Është e vërtetë që donim ti vinim me qendrën dhe nuk u arrit të vihej.


Të dakordësuar?
Me qendrën. Më është dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e policisë së Shtetit, specialist i operacionales, me mundësitë që kam pasur unë është filmuar banesa për të gjetur vendin ku do të vihen, nga operacionalja, jo nga unë me telekamera, që të vendoseshin mjetet e tjera t vëzhgimit dhe ato me atribuohen se I kam bërë unë.


Dhe info ishte se ishin 20 kile kokainë në banesën e tij?
Po.


Dhe këtë informacion e keni hedhur në sistem?
Po.


Ç’ndodhi a pati reagim?
Absolutisht, reagimi ishte ky që zoti Hasrama edhe pasi më dërgoi specialistin për të bërë filmimet dhe fiksimet  ku mund të vendoseshin mjetet e teknikës special për përgjimet e këtij për të zbuluar kokainën, u tërhoq nuk po më thoshte më asgjë. E pyes se çfarë bëhet,,nuk e fillojmë dot procedimin më thotë


Nga vinte kjo kokainë dhe ku shkonte?
Kjo kokainë…ky ka lidhje shumë të fuqishme në Tiranë. Vinte nga Tirana, ky investonte me lekë kesh. Në një informacion që kisha në atë kohë, për lekët.


Çfarë informacioni?
Ky zotëri në banesën e tij zotëronte mbi  3 milionë euro kesh.


Edhe këtë info e keni hedhur në sistem?
E kam hedhur edhe këtë informacion në sistem


Edhe pas këtij informacioni nuk pati asnjë reagim?
Jo vetëm që nuk pati reagim, por kam hedhur edhe tjetrën që ai në një vilë të madhe që ka diku mbi Ujin e ftohtë në Vlorë në mal, disponon edhe një bodrum plot me armë një arsenal armësh, edhe këtë informacion e kam hedhur në sistem, edhe këtë e kam deklaruar tek eprorët e mi.


Edhe këtë e keni hedhur në sistem?
Po.


Nuk pati reagim?
Po ta thashë pra. Të gjitha I kam hedhur në sistem. Dhe më është thënë nga Ervin Hasrama që nuk e procedojmë dot..kush nuk do e pyes, ka mbrojtje të fortë më thotë…!!!


Ky kaluaka dhe ministrin e km ???
E duhet pyetur Saimir Tahiri për këtë


Keni hedhur gjithë këto informacione në sistem dhe veprimet kanë qenë…??
Zero…


Një tjetër deklarim i ministrit Tahiri është se kushërinjtë sipas tij të largët, Habilajt, nuk janë kontingjent i trafiqeve. Sipas jush nga puna juaj, informacionet në sektorin e antidrogës, ju flasin për argument dhe fakte konkrete që implikojnë vëllezërit Habilaj në trafikun e drogës? Dhe cilat janë lidhjet e tyre, me A. D., që sipas dosjes së prokurorisë është Arben Dalipi?
Këta shtetas, siç e kam deklaruar edhe më përpara, kanë qenë të njohur nga ana ime dhe e policisë së shtetit, kohë përpara, si element kontingjent të kësaj veprimtarie kriminale. Pavarësisht se sado që unë kam punuar dhe jam përpjekur, ata kanë pranuar edhe vetë në një intervistë, sado që unë kam punuar dhe i kam ndjekur në maksimum për të zbuluar dhe goditur veprimtarinë e tyre kriminale, nuk ka qenë e mundur, jo çdo gjë është e mundur edhe në policinë e shtetit.


Përse nuk ka qenë e mundur, për çfarë arsyeje?
Për arsye se me kushtet që kisha dhe isha në punë, nuk kam mundur ti godas drejtpërdrejt. Por me informacionet që kam pasur, dhe dijeninë që kam aktivitetin e tyre e kam goditur goxha.


Aktiviteti i tyre i paligjshëm??
Kriminal, i paligjshëm dhe kriminal, si në drejtim të vlerave monetare që ata edhe e pranojnë ku unë kisha informacion dhe dyshoja se një ngarkesë 300 kile që është kapur në portin e Vlorës kur unë isha me detyrë në Vlorë, 360 apo 380 unë kam pasur informacione se ata ishin të implikuar në këtë ngarkesë dhe në atë rast është arrestuar vetëm një shofer.


Implikim të të afërmeve të ministrit?
Për mua ekzistonin dyshimet e bazuara në informacione të sakta nga burime të sakta që më kishin demonstruar dhe herë të tjera saktësinë e të dhënave gjatë punës sime, që malli ishte lidhje e tyre.


Kushërinjtë Habilaj?
Vëllezërit Habilaj, jo kushërinjtë.


Për këto informacione që ju kishit, a keni lënë gjurmë në sistem që të konsiderohet provë se ka diçka, që të mos themi se janë vetëm fjalë?
Po e shpjegoj. Kur investigoja punën në drejtorinë e kufirit të Vlorës, detyra e policisë kufitare ishte deri tek marrja e informacionit për këto vepra penale. Dhe me rregullore të brendshme të policisë së shtetit nuk na takonte ne të hapnim procedime penale për trafikun e drogës. Por kur ne kishim rezultate konkrete të arrestimit me prova konkrete edhe në flagrancë  ne ligjin na detyronte të bllokonim provat dhe ngjarjen dhe të thërrisnim sektorin e krimit të organizuar dhe pikërisht seksionin e antidrogës për veprime të mëtejshme. Dhe unë në titullin e shefit të seksionit kam njoftuar edhe verbalisht edhe zyrtarisht që është ende në detyrë që në atë kohë, zotin Lulaj, Ermal Lulaj, për këta element kontingjent. Dhe kam ngelur keq në këtë mes.


Përse?
Unë i kam dhënë atij informacione me shkrim, dhe me gojë në biseda të ndryshme dhe ditën kur unë jam transferuar nga ajo detyrë  dhe kam kaluar në detyrë tjetër në Fier, kam pasur një dosje me material hetimore dhe informative për këta persona


Del si dosja H e Kadaresë..?
Dhe për të mos e dorëzuar në duar të pasigurta, deri në momentin që jam transferuar Ermal Lulajn e dija polic dhe të rregullt. Gjithë materialet që disponoja kur kam bërë dorëzimet në kartotekë e kam pastruar dosjen e informacioneve me sa kam mundur për të mos lënë shenja sepse e dija që ata kanë kapacitete informative në drejtorinë e qarkut, por nuk e dija që ishte direkt shefi i antidrogës dhe ia kam kaluar këtij shefi të antidrogës, ku ndër të tjera i kam thënë se ke këto materiale për këtë grup, i kam dorëzuar dosjen time të punës, një kolegu të besuar, sepse po të dilnin në shesh isha i sigurtë se do ti kishin zhdukur, ia dorëzova shefit të antidrogës së Vlorës Ermal Lulaj duke i thënë ndiqe se është një punë e bukur dhe unë se përfundova dot nga që u transferova, por ata po punojnë fuqishëm me drogë.


Ishte dosje nga puna juaj operative?
Ishin informacione që kisha unë dhe nuk i kisha hedhur ende në sistem se u transferova në Fier.


Sipas këtyre informacioneve që kishit ju ata ishin të implikuar në trafik droge?
Ata ishin plot në fyt me trafik droge dhe për këtë do të them edhe si verifikohet. Një muaj pasi transferohem, pasi mi merr këto informacione dhe i pranon me kënaqësi të madhe, shefi i antidrogës së Vlorës, mësoi për lidhjet e tij me vëllezërit Habilaj dhe më e bukura që ishte vetë zoti Lula, banonte dhe banon në Vlorë bashkë me familjen e tij, në një apartament pronë e vëllezërve Habilaj dhe kur mora vesh se çfarë ndodhte atëherë kuptova se nga më rridhnin informacionet.


Dhe i thatë?
I thashë dy fjalë, nuk ke bërë mirë së pari me pabesinë njerëzore dhe pastaj se nuk të intereson profesioni është puna jote. Pasi njerëzisht të kam trajtuar si mik dhe koleg të ndershëm. Nuk ke vepruar mirë, mund të më thoshe nuk merrem me këtë trafik, me këtë çështje dhe nuk ka problem dhe unë do ta ndiqja vetë apo do shihja si do veproja por të besova si polic i ndershëm dhe ti më ke bërë këtë lojë.


Dhe reagimi i tij si ishte?
Reagimi i tij, ftohje, largim, heshtje, asgjë më tepër. Dhe habitem se është ndër ata shefa që është fuqizuar dhjetëfish pas ndërrimit të pushteteve për këtë arsye, për mbështetjen që ka nga këta, jo vetëm mbështetje, por ata vendosin edhe për oficerë madhorë atje, vendosin edhe për drejtorin e kufirit


Përveç banesës që mund ta kenë blerë, keni informacion tjetër të kësaj lidhjeje, të këtij implikimi dhe shoqërimi?
Informacion ..mund të pyesësh gjithë Vlorën dhe e di këtë gjë, por me kushtet që jam dhe me atë arrestim që më kanë bërë mua në orën një të natës, e ca gjëra të tjera, përse mendon se janë bërë, thjesht që të mos liheshin prova e para, për të mos lënë gjurmë. Se dyti, po të dojë zoti Ministër, e verifikon shumë thjeshtë që këta shtetas kushërinjtë të shtatëmbëdhjetë, sa ka deklaruar ai, janë apo nuk janë të pastër, e ka shumë të thjeshtë. Mjafton të shihet aktiviteti i tyre meqë janë biznes me çdo lloj malli ashtu siç e ka deklaruar vetë në një intervistë zotëria. Të verifikohen hyrjet dhe daljet monetare për firmën që deklarojnë, vlerësimin e aseteve pronë që ka kjo firmë, të ardhurat që kanë nga biznesi çdo vit, që nga dita kur është krijuar.


Por ndoshta duhet të ketë një kallëzim për të hetuar në këtë mënyrë?
Kallëzimi ka qenë. Informacione në sistem për ta si trafikant të dyshuar të drogës kanë qenë prej kohësh. Nuk janë kontingjent i njohur rishtas në një moment apo në një rast kur unë pashë makinën, ishin kontingjent të njohur, por për fatin e tyre, apo për zotësinë e tyre, për atë periudhë që unë kam punuar nuk kam finalizuar operacionin por me aktivitetin e tyre kam pasur finalizime dhe rezultate konkrete


Ka pasur episode të përdorimit apo implikime të makinës së ministrit nga trafikantë apo në trafiqe, të famshmes AA 003 GB?
Do sqarojmë një detaj, se siç thotë zoti kryeministër, një budalla hedh një targë, faleminderit zoti kryeministër, targa ka qenë në përdorim të trafikantëve dhe është në përdorim të tyre akoma edhe sot, siç e ka pranuar edhe vetë zoti ministër. Në asnjë moment unë nuk kam thënë që me atë mjet është bërë trafik droge, kam thënë që ai mjet i ka hapur rrugë trafikantëve të drogës, për të shkuar dhe vepruar siç duan ata.


Personat që përdorin atë makinë janë aq të lidhur me ministrin sa kanë mundësi të përdorin makinën e tij, emrin e tij, autoritetin e tij, jo vetëm të qarkullojnë me makinën e tij, por edhe të bëjnë emërime në Policinë e Shtetit? Kë kanë emëruar?
Nëse jo direkt se ata nuk firmosin emërimin por me ndikimin e tyre kanë emëruar miqtë e tyre


Kemi parë një foto të komandantit të postës së Dhërmiut me kushërinjtë?
Ta lënë atë, të shohin fotografitë e shefit të këtij komandanti poste me kushërinjtë nëpër lokalet e Vlorës


Dalja në foto nuk është provë apo faj?
Është lidhje krejt e thjeshtë, ca qytetarë të cilët pretendohet se janë kushërinj të 17-të, të ministrit, përse duhet të jenë në kafe e lokale me drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit në Vlorë, çfarë lidhjeje kanë, të jap dhe një fakt tjetër, nëse ministri dyshon se unë jam nga Tropoja i them se nga Tropoja ka drejtorinë e Policisë së Kufirit Vlorë dhe e gjen për çdo ditë me kushëririn e tij


Qenia në një kafe nuk është vepër penale?
Por përbën implikim të drejtuesve të policisë jo sepse ata janë të akuzuar jo vetëm nga unë por janë trafikant. E di gjithë populli i Vlorës dhe mos harrojmë dhe të dhënat në sistem dhe ato që  i ka policia, nëse i ka më ato të dhëna policia..!!!


Kjo makinë AA 003 GB ka dale 31 herë në pikat e kalim kufirit për në Greqi e përdorur nga kushërinjtë, apo pronarët e rinj të mjetit sipas pretendimit të ministrit?
Këto gjëra i kam kontrolluar i pari vetë, kam kontrolluar dhe verifikuar targën dhe dija të gjitha lëvizjet që bënin dhe mora vesh se përse e si lëviznin me atë makinë dhe përse e përdornin atë makinë, se pse ata disponojnë jo vetëm një mjet, mund të verifikohen në sistem, disponojnë sa të duash mjete luksoze, nuk kishte nevojë për A8 sepse kishte dhe Q7 fuoristradë, këta zotërinj disponojnë autovetura luksi sa të duash, por u bë ky mjet, mjeti brilant, që ata gjendeshin kudo, që hapej çdo derë, por prezantoheshin kush ishin këta, kjo ishte ajo që unë them se zoti ministër e ka gabim me mua, kjo ishte ajo që unë them se zoti ministër para se të më akuzojë mua për lidhje më trafikantët, të shohë kujt ia ka dhënë makinën.


Ministri ka thënë e kam shitur?
Unë jam polic, verifikoj sistemin. Nuk shikoj çfarë ka në xhep minisiri apo kushëriri i 17-të. Unë verifikoj sistemin dhe sistemi më thotë , sistemi i targave, thotë se kjo makinë është pronë e Sajmir Bashkim Tahirit.


Policia nuk mund ta ndalojë këtë makinë?
Po kush e ndalon, edhe kur kanë tentuar ta ndalojnë ta kam shpjeguar  ka ardhur urdhëri nga lart, I kanë degjeneruar oficerët e policisë brenda në drejtorinë e Fierit këta kushërinjtë në mes të natës.


Çfarë kishte makina?
Nuk kishte asgjë, ishin në formë siç janë ata.


Çfarë do të thotë në formë?
Në gjendje gjysmë të dehur, mos them të dehur fare.


Ishin vetëm?
Jo, vëllezërit të shoqëruar nga dy femra. Nuk e di nëse femrat ishin familjare të tyre apo njohje e lidhje tjetër, sepse nuk i kam parë dhe nuk i njoh. Por nga ajo që më kanë thënë policët e mi, që ishin të caktuar me shërbim atë natë, në segmentin rrugor, Gjirokastër – Fier, në zonën e Levanit, kanë ndaluar për kontroll, një makinë me xhama të zinj që ecte shpejt . Kur e kanë ndaluar kanë pretenduar me të madhe, kush jeni ju çfarë doni që na ndaloni, e dini kush jemi, e dini se çfarë ju bëjmë. Para këtij presioni, policët edhe duke mos i njohur se kush janë, edhe duke mos arritur të kontrollojnë dokumentet e makinës, sepse ata nuk jua kanë bërë prezent, e kanë shoqëruar mjetin me gjithë katër personat në drejtori. Nuk ka qëndruar në drejtori kjo autoveturë as 10 minuta. Ka ardhur telefonata e zotit Drejtor të lirohen dhe të nxirren përjashta. Dhe gjatë kohës së atij 10 minutëshi që kanë qëndruar në mjediset e drejtorisë dhe gjatë kohës së daljes, këta shtetas nuk kanë lënë gjë pa thënë e fjalor pa përdorur kundër djemve që i kanë shoqëruar në komisariat, deri në kërcënime që do t’ju zhdukim fare, jo vetëm nga puna.


Kanosje ndaj oficerëve të policisë?
Brenda në drejtori.


S’mund të ndaloheshin për kanosje për shkak të detyrës dhe në ushtrim të detyrës?
Unë po të them urdhri i drejtorit me vrap të lirohen e të dalin përjashta e tu kërkohet edhe falje ti thua…ka urdhër atje, ka epror.


Dy prej këtyre agjentëve të policisë janë ndaluar?
Tre prej atyre që kanë qenë atë natë me shërbim dhe dy prej tyre nuk janë më në funksion organik në punë më tani.


Kanë konsumuar ndonjë vepër penale apo janë ndëshkuar?
Nuk jam në dijeni të çështjes së tyre, por jam në dijeni të akuzës ndaj tyre, pasi ata janë arrestuar me datën 1 maj, kur unë kam qenë prezent kur është bërë arresti, akuzoheshin nga një shtetas për mitmarrje, për 8 mijë lekë të reja mos gaboj. Nuk di nëse ka apo jo lidhje por në arrestimin e tyre kam qenë prezent dhe SHKB atë ditë ka ardhur për mua, po mbase u ngopën me arrestime dhe unë deri në ora 17 e 30 isha në zyrë dhe ata njerëz që ishin aty në orën 12 e 30 të natës kanë trokitur te dera e shtëpisë sime jashtë çdo rregulli dhe ligji.


Ju kam pyetur dhe herë tjetër por do të këmbëngul sërish, Fieri dhe Vlora për trafikun e drogave të rënda, heroinë dhe kokainë janë zona të nxehta, sipas informacineve tuaja?
I kam  parë unë! Janë, janë realisht. Këto janë të provuara jo vetëm nga policia shqiptare por edhe nga rezultatet matanë detit në Itali dhe matanë kufirit me Greqinë. Më gjej një arrestim të bujshëm të trafikut të drogës, që nuk ka lidhje me këto zona, qoftë me elementët kontingjent, qoftë me origjinën e mallit, të drogës


Heroinës dhe kokainës?
Mos të flasim më tepër, sepse ata janë problem më të koklavitura, siç të thashë ka shumë gjëra, shumë problem, që mediatikishtt nisur edhe nga profesionale, por edhe nga ana emotive sigurie, nuk më lejohet të jap më tepër detaje.


Po nëse do të kishit më tepër garanci në rrethana më të besueshme edhe sigurie edhe ligjore do ta bënit këtë rrëfim autoriteteve ligjore me informacionet rreth këtyre çështjeve?
Po të bindem për sigurinë po. Po të bindem për sigurinë po. Por fatkeqësisht dhe momentalisht në shtetin tonë nuk mund të bëhet një gjë e tillë (për tu hequr fjalia thithin kokainë drejtuesit..)


Gjykata e Fierit ku po shqyrtohet çështja juaj ka pranuar kërkesën e mbrojtjes që kolegu juaj Alesandro Giuliani të vijë dhe dëshmojë në një seancë gjyqësore, nga komunikimet që ju keni pasur me të, është shprehur ai se do ti përgjigjet pozitivisht një kërkese të tille zyrtare?
Po. Po patjetër, do të zbatohet procedura ligjore. Nëpërmjet avokatit i është kërkuar gjykatës që të prezantohet dhe të merret në pyetje për faktet në fjalë, të fakteve të pretenduara, sepse janë pretenduar disa fakte lidhur me të dhe nuk paraqitet asnjë provë. Unë kam komunikuar me Giulianin dhe kam marrë konfirmimin prej tij për këtë, por duhet zbatuar pikë për pikë procedura ligjore dhe ai të japë dëshminë e tij dhe të shprehë pretendimet e tij për këta që e kanë akuzuar me të padrejtë pasi është keqpërdorur emri i një funksionari Italian, dëshmia vlen sepse ai do të deklarojë të vërtetat që janë të shkruara e zezë mbi të bardhë.


Ju vazhdoni të mos keni besim te drejtësia shqiptare?
Po si të kem besim kur në një seancë avokati im kërkon ndryshimin e masës së sigurisë për motive familjare kur nuk përbëja rrezikshmëri shoqërore dhe mua nuk mu hoq kjo masë arresti për të mundësuar punë për të ushqyer familjen, ndërkohë që prokuroria ishte dakort për të hequr masën e sigurisë, prokuroria është akuza, gjykata më thotë jo, çfarë besimi duhet të kem unë te kjo gjykatë apo kjo prokurori e cila në gjykatë është dakord të hiqet masa e arrestit pastaj më shpall në kërkim ndërkombëtar sepse paskam thyer këtë masë që ajo donte të hiqej..


Si e shikoni bashkëpunimin e prokurorisë me policinë në këtë çështje?
Nuk është mosbesim institucional,  por për njerëzit e korruptuar dhe trafikantë të cilët kanë zënë vende kyçe në institucione për momentin.


Cilat qenkan këto institucione mbushur me trafikantë?
Në polici njëherë, të shprehemi siç duhet, njerëz të lidhur me trafikun, që marrin përfitime, nga trafiku i drogës dhe nga trafikantët.


Si është bashkëpunimi prokurori-polici?
Unë do prezantoj dokumentet. Jam arrestuar për trafik droge. Bëhet një seancë me pesë gjyqtarë te Krimet e Rënda dhe gjyqtari pas insistimit të prokurorit për të mos e ndarë çështjen, e pyet prokurorin në seancë dhe i thotë..keni lidhje për të pandehurin për lidhje me trafikun e drogës,,,jo nuk ka përgjigjet prokurori..keni lidhje lidhur me implikimin ne krimin e organizuar me këtë bandë këtu..?  jo nuk ka thotë prokurori..atëherë zotëri ky nuk është për Krimet e Rënda, unë nuk e gjykoj fare thotë në sallën e gjyqit, gjyqtarja, shpërdorim detyre që nuk shqyrtohet nga Krimet e Rënda siç insiston prokuroria.


Nuk keni besim te Prokuroria për Krime të Rënda?
Në mënyrë absolute jo. Të paktën për atë prokurori për krime të rënda që njoh unë deri në momentin e arrestimit.

Vijon të hënën…

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY