HISTORI/ Shqipëria në 25 vjet përmes 50 ngjarjeve më të rëndësishme

HISTORI/ Shqipëria në 25 vjet përmes 50 ngjarjeve më të rëndësishme

101
0
Shares

Gazetari Roland Qafoku, sjell 50 ngjarjet më të rëndësishme që kanë ndodhur në Shqipëri, në çerek shekullin  fundit, që nga vendosja e pluralizmit e deri më sot…
Përzgjedhja dhe renditja e tyre është bërë sipas rëndësisë dhe impaktit që kanë pasur.

NGA ROLAND QAFOKU

1.
12 DHJETOR 1990.

Themelohet Partia Demokratike e Shqipërisë, partia e parë opozitare në vend pas më shumë se gjysmë shekulli. Një ditë më parë Plenumi i 13-të të Komitetit Qendror të PPSH mori vendimin për shpalljen e pluralizmit politik në vend.

2.
20 SHKURT 1991.

Rrëzohet nga mijëra protestues shtatorja e diktatorit Enver Hoxha në qendër të Tiranës. Edhe pse policia u përpoq disa herë të ndalonte sulmet ndaj saj, protestuesit arritën nëpërmjet një kavo ta rrëzojnë dhe më pas ta tërheqin zvarrë nëpër kryeqytet. Në mënyrë simbolike kjo cilësohet edhe si dita e rrëzimit të diktaturës.

2.
15 MARS 1991.

Vendosen marrëdhënie diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA pas 52 vitesh ndërprerjeje dhe vetëm pas 3 muajsh më 22 qershor 1991 sekretari i Shtetit James Becker viziton Shqipërinë.

3.
20-30 MARS 1991.

Pas shumë e shumë presionesh nga ndërkombëtarët dhe qytetarë vendas lirohen 277 të burgosurit e parë politikë. Më pas ky proces vijoi deri në lirimin e të gjithë të dënuarve për krime politike.

4.
2 PRILL 1991.

Vriten në Shkodër 4 protestues dhe rreth 100 të tjerë plagosen në një protestë ndaj fitores së PPSH të zgjedhjeve të para pluraliste më 31 mars në të cilin PPSH fitoi 67.7 për qind të votave kundrejt 38.71 për qind të votave të PD, ose PPSH mori 170 deputetë, PD mori 75 deputetë dhe organizata e minoritetit grek “Omonia”, 5 deputetë në një kuvend me 250 deputetë.

6.
10 QERSHOR 1991.

Mbahet kongresi i 10-të i PPSH që u konvertua në Parti Socialiste. Fatos Nano zgjidhet kryetari i parë i PS.

7.
4 PRILL 1992.

Presidenti Ramiz Alia jep dorëheqjen dhe pesë ditë më vonë më 9 prill zgjidhet President i Republikës Sali Berisha. Pas 4 muajsh Ramiz Alia bashkë me disa anëtarë të Byrosë politike arrestohet dhe dënohet për genocid.
 
8.
3 MAJ 1992.

Qeveria merr vendimin dhe zhvarros kufomat e Enver Hoxhës dhe 10 ish-zyrtarëve të komunizmit, si Josif Pashko nga varrezat e dëshmorëve

9.
24  QERSHOR  1992.

Patriarkana Ikumenike e Kostandinopojës emëron mitropolitin grek Anastasios Janullatos, në krye të kishës Ortodokse Shqiptare.

10.
31 KORRIK 1993.

Arrestohet ish-kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano dhe më 3 prill 1994 u dënua me 10 vjet burg për përvetësimin e pasurisë shtetërore me anë të shpërdorimit të detyrës në favor të të tretëve në përpjesëtime të mëdha në shumën 73.573.000 lekë.

11.
31 JANAR 1994.

Arrestohen gazetarët e gazetës “Koha Jonë”, Martin Leka dhe Aleksandër Frangaj për botimin e një urdhri të cilësuar sekret shtetëror të ministrit të Mbrojtjes, Safet Zhulali që detyronin ushtarakët të linin armët personale në kazermë. Përplasje  pushtetit me gazetën Koha Jonë kulmon më 3 mars 1997 kur redaksia e saj digjet.

12.
10 PRILL 1994.

Një skuadër komando terroriste greke prej 8 personash sulmon në mesnatë një repart kufitar në Peshkëpi të Gjirokastrës dhe vrasin dy ushtarë shqiptarë e plagosin tre të tjerë. Sulmi u krye nga “MAVI”, organizatë e  Frontit Çlirimtar të Epirit. Pas kësaj arrestuan 5 anëtarë të ”Omonias” për spiunazh, nxitje të separatizmit, dhe armëmbajtje pa leje. Si kundërpërgjigje më 15 gusht deri më 20 shtator 1994 përmes operacionit “Fshesa”, Greqia kthen 70 mijë refugjatë të paligjshëm shqiptarë.

13.
10 MARS 1995.

Ekzekutohet me varje personi i fundit i dënuar me vdekje në historinë e shtetit shqiptar. Ruzhdi Çela u shpall fajtor me akuzën e vrasjes. Pas ngrirjes për 2 vjet të ekzekutimeve me ndryshimet në kushtetutë dënimi me vdekje u hoq nga legjislacioni shqiptar.

14.
29 QERSHOR 1995.

Asambleja Parlamentare pranon Shqipërinë anëtare të Këshillit të Europës.

15.
28 MAJ 1996.

Policë civilë të shërbimit Informativ Kombëtar rrahin disa deputetë të opozitës dhe disa gazetarë të gazetave dhe agjencive të huaja në sheshin “Skënderbej” në Tiranë pas protestës së tyre se zgjedhjet e dy ditëve më parë të fituar nga Partia Demokratike ishin manipuluar. Pamjet bëjnë xhiron e botës dhe u shoqëruan me reagime të ashpra të komunitetit evropian. 

16.
2 MARS 1997.

Pas rrëzimit të skemave piramidale dhe revoltave masive në disa qytete, parlamenti shpall gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Të gjitha institucionet e vendit nuk funksionojnë. Më 13 mars largohen nga burgjet të gjithë të burgosurit. Njerëzit sulmojnë depot e armatimit dhe institucionet shtetërore duke sjellë një rast të pa precedentë në historinë e Shqipërisë dhe botës. Më 3 mars 1997 kuvendi zgjedh për një mandat të dytë si President Sali Berishën.
 
17.
28 MARS 1997.

84 shqiptarë gjejnë vdekjen teksa anija me të cilën po udhëtonin klandestinë nga Vlora në Itali u fundos nga goditja që i bëri një anije ushtarake italiane.

18.
29 QERSHOR 1997.

PS dhe koalicioni i majtë fiton zgjedhjet parlamentare me 65 për qind të votave kundrejt 20.37 për qind të votave të PD dhe koalicionit të djathtë. Fatos Nano mandatorët të krijojë qeverinë. Njëkohësisht me zgjedhjet parlamentare mbahet referendumi për formën e shtetit. Republika fitoi 66.74 për qind kundrejt monarkisë me 33.26 për qind.

19.
3 KORRIK 1997.

Rreth 300 persona, mes tyre 30 të pajisur me kallashnikov që qëllojnë në ajër, të drejtuar nga pretendenti i fronit mbretëror Leka Zogu protestojnë në sheshin “Skënderbej” kundër rezultatit të KQZ për referendumin. Zogu i veshur më uniformë ushtarake angleze bën thirrje për të sulmuar KQZ-në. Ndërhyn policia dhe shmanget një tragjedi. Nga përdorimi i armëve përpara Pallatit të Kongreseve ku ndodhet KQZ mbetet i vrarë i riu Agim Gjipali dhe plagosen tre persona të tjerë.

20.
23 KORRIK 1997.

Sali Berisha jep dorëheqjen si President i Republikës. Në vend të tij zgjidhet Rexhep Meidani.

21.
23 GUSHT 1998.

Arrestohen në Tiranë si përgjegjës për ngjarjet e vitit 1997 Safet Zhulali, ish-ministër i Mbrojtjes, ish-ministri i Brendshëm, Halit Shamata, ish-nënkryetari i SHIK-ut, Bujar Rama, ish-kryetari i KLSH, Blerim Çela, ish-shefi i komisariatit të Vlorës, Sokol Mulosmani, ish-komandanti i forcave kundërajrore në ushtri, Kreshnik Luzha. Pas 4 ditësh, hetohen në arrest shtëpie dhe pas 6 muajsh të 6-të lihen të lirë dhe çështja pushohet.

22.
22 SHKURT 1998.

Për 24 orë Shkodra përjeton terror. Rreth 200 persona sulmojnë me armë dhe granata godinën e drejtorisë së policisë. Hapen qelitë dhe lirohen 50 të arrestuar, shkatërrohet zyra e drejtorit të policisë Mit’hat Havari. Sulmohet bashkia, bankat dhe të gjitha godinat qeveritare. Vetëm pas ndërhyrjes së forcave speciale normalizohet situata në qytet.

23.
12 SHTATOR 1998.

Ekzekutohet në Tiranë Azem Hajdari, deputet dhe ish-kryetari i parë i Partisë Demokratike. Mbetet i vrarë edhe truproja i tij, Besim Çerja, dhe plagoset truproja tjetër Zenel Neza. Më 14 shtator turma të irrituara dhe mbështetës të PD sulmojnë me armë godinat e qeverisë duke mbajtur në krahë arkivolin me trupin e vdekur të Azem Hajdarit dhe duke u drejtuar për nga kryeministria duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Fatos Nano. Shkatërrohen pothuajse të gjitha godinat qeveritare dhe godina e kryeministrisë. Kryeministri Nano largohet për në Maqedoni.

24.
18 SHTATOR 1998.

Me 108 vota pro, kuvendi i heq imunitetin kryetarit të PD Sali Berisha pas kërkesës së kryeprokurorit Arben Rakipi duke i dhënë leje prokurorisë për ta arrestuar. Pas 3 vjetësh pa imunitet,më 18 shtator 2001 çështja mbyllet. Më 29 nëntor 2000, për rreth 4 orë Berisha u ndalua në policinë e Tiranës si organizator i protestave me dhunë të opozitës.

25.
2 KORRIK 1998.

Agjentët e CIA-s rrëmbejnë në Tiranë egjiptianët Moget Moustafa dhe Muhamet Fonda dhe i dërgojnë me avion të posaçëm në Kajro ku ekzekutohen pas një vendimi gjykate për vrasjen e kryetarit të parlamentit të Egjiptit. Dy egjiptianët jetonin në Tiranë si punonjës të një fondacioni bamirësie dhe ishin arrestuar në Tiranë për falsifikim por gjykata i kishte liruar.

26.
14 GUSHT 1998.

Departamenti i Shtetit mbyll Ambasadën Amerikane në Tiranë pas informacioneve për sulme terroriste. Më  21 gusht 1998. Agjentë të CIA-s arrestojnë në Tiranë 10 islamikë si besnikë të kryeterroristit Osama Bin Laden.

27.
22 NËNTOR 1998.

Miratohet Kushtetuta e re në një referendum popullor.  Por Kushtetua pësoi ndryshime drastike në vitin 2010 pas një marrëveshje mes PS dhe PD.

28.
24 MARS 1999.

Forcat e NATO-s nisin sulmet ajrore në Serbi. Shqipëria në gjendje lufte. 6 ditë më parë në Rambuje të Francës ishte firmosur marrëveshja e paqes për Kosovën. Vetëm një ditë më pas Ushtarë serbë sulmojnë disa fshatra në kufi me vendin tonë në Kukës, Has dhe Tropojë.

29.
26 MARS 1999.

Nis spastrimi i popullatës së Kosovës nga ana e ushtrisë serbe. Rreth 1 milionë kosovarë mbërrijnë në Shqipëri dhe strehoen nga familje vendase dhe nën ndihmën e qeverisë shqiptare.

30.
30 PRILL 2000.

Policia zbulon se në thesarin e shtetit në vitin 1997 dhe në 1998 ishin vjedhur sasi të mëdha ari në vlerën 2.8 milionë dollarë. Arrestohen disa persona, banorë të Kërrabës, që kishin kryer vjedhjen.

31.
16 MAJ 2000.

Kryetari i PD, Sali Berisha, zhvillon një miting në Vlorë me pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Ky është i pari miting i këtyre përmasave të PD, pas ngjarjeve të vitit 1997.

32.
26 SHTATOR 2000.

Vizita e kryeministrit Meta në Tropojë u shoqërua me disa incidente. Më 18 nëntor 2000. Grupe protestuesish të PD sulmojnë me shishe benzine godinën  e ministrisë së Rendit Publik dhe më pas, kryeministrinë. I vihet flaka dhe digjet porta e jashtme kryesore e kryeministrisë. Më 28 nëntor 2000. Sulmohet me armë komisariati dhe gjykata e Tropojës. Nga përplasja me armë vritet një person dhe plagosen disa të tjerë nga Tropoja.

33.
26 TETOR 2001.

Kryetari i PS, Fatos Nano nis turin në bazë duke e quajtur lëvizjen katarsis për të pastruar politikën. Ai hedh akuza të rënda ndaj kryeministrit Meta dhe anëtarëve të kabinetit dhe drejtuesve të partisë dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

34.
31 JANAR 2002.

Kryeministri Fatos Nano shtrëngon duart me Sali Berishën pas 11 vjetësh sherre, përplasje e debate të pandërprera. Në studion e emisionit “Opinion”  të Blendi Fevziut. Për 2 orë u zhvillua debati i parë mes dy politikanëve që dominuan politikën shqiptare.

35.
28 QERSHOR 2002.

Mbërrin, pas 63 vitesh në ekzil, mbretëresha Geraldina Apony, i biri Leka Zogu dhe e gjithë familja mbretërore. Në 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, në 2012 u sollën nga Parisi në Tiranë edhe eshtrat e Ahmet Zogut.

36.
5 SHTATOR 2004.

Një tifoz grek vret me thikë në ishullin Zakinthos, Gramos Palushin, tifozin shqiptar që po festonte fitoren e kombëtares së Shqipërisë me Greqinë në Tiranë 2-1. Reagime të forta në Tiranë.

37.
10 QERSHOR 2007.

George W. Bush, presidenti i SHBA, është i pari president amerikan që viziton Shqipërinë. Deklaron nga Shqipëria që Kosova do jetë shtet i pavarur.

38.
17 SHKURT 2008.

Shpallet në Kuvendin e Kosovës Pavarësia e Kosovës. Pas 85 vjet shkëputje nga Shqiëpria, komunuiteti ndërkombëtar njeh pavarësinë ndaj Serbisë. Një proces që nisi me njohjen e shumë shteteve të Evropës dhe në botë.

39.
15 MARS 2008.

Shpërthen një fabrikë e demontimit të municioneve në Gërdec, pak kilometra nga Tirana. Si pasojë, vdesin 26 persona, plagosen mbi 100 të tjerë si dhe u shkatërruan qindra shtëpi dhe biznese në të dy anët e autostradës Tiranë-Durrës.  Qeveria shpalli ditë zie më 18 mars, ndërkohë ministrii Mbrojtjes, Fatmir Mehdiu, jep dorëheqjen.  Opozita, media shqiptare por edhe e huaj hodhën akuza të rënda ndaj qeverisë dhe kryeministrit për afera korruptive, por kryeministri Berisha i ka hedhur gjithnjë poshtë.

40.
1 PRILL 2009.

Shqipëria bëhet anëtare e NATO-s. Ishte vendi i parë i Lindjes Komuniste që paraqiti kërkesën në vitin 1993 për tu bërë anëtar i NATO-s dhe ndër vendet e fundit që u anëtarësua.

41.
27 QERSHOR 2009.

Inaugurohet autostrada Durrës-Kukës, vepra më e madhe infrastrukturore në historinë e shtetit shqiptar. Kushtoi 1 miliardë Euro dhe ndërtimi u shoqërua edhe me një proces penal të prokurorisë ndaj ministrit të Transporteve Lulzim Basha në të cilin doli i pafajshëm.

42.
11 JANAR 2011.

Në emisionin Fiks Fare në “Top Channel” transmetohet një video e regjistruar  nga një kamera e fshehtë në të cilën shfaqej ministri I Ekonomisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti, dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta në një bisedë, në të cilën pretendohej se Meta kërkonte favorizimin e një subjekti në këmbim të 700 mijë eurove.  Pas 3 ditësh Ilir Meta jep dorëheqjen si ministër dhe zëvendëskryeministër për t’i lënë rrugë hetimeve. Më 16 janar 2012, Gjykata e Lartë e shpalli Ilir Metën të pafajshëm.

43.
21 JANAR 2011.

Vriten 4 protestues përpara kryeministrisë pas një proteste nga mbështetës të opozitës.  Një pjesë e protestuesve më parë kishin përdorur dhunë ndaj policisë duke tentuar të futen edhe në godinën e kryeministrisë.

44.
23 QERSHOR 2013.

Koalicioni i majtë, PS-LSI dhe parti të tjera fitojnë zgjedhjet parlamentare me 56.73 për qind të votave ose 83 mandate kundrejt koalicionit të PD me forca te tjera me 39.46 për qind të votave ose 57 mandate. Sipas KQZ koalicioni i majtë ka marrë afro 1 milion vota (PS 713 mijë vota-LSI 180 mijë vota), koalicioni i djathtë PD 528 mijë vota. Edi Rama dekretohet të formojë qeverinë e re.

45.
15 QERSHOR 2014.

Në një operacion special, policia e Shtetit çliron Lazaratin që prej kohësh mbahej peng nga trafikantët dhe kultivuesit e kanabisit. Pas përleshjeve me armë, arrestohen 30 persona.

46.
26 QERSHOR 2013.

Nëpërmjet një fjalimi nga selia e PD, Sali Berisha deklaron dorëheqjen nga kryetar i Partisë Demokratike duke e cilësuar veten përgjegjës për humbjen në zgjedhje. Më 23 korrik kryetar i ri i PD zgjidhet Lulzim Basha.

47.
7 NËNTOR-15 NËNTOR 2013.

Qytetarë në të gjithë vendin, shoqata ambientaliste dhe nxënës dhe studentë shkollash zhvillojnë çdo ditë protesta kundër ardhjes së armëve kimike nga Siria në Shqipëri.

48.
24 QERSHOR 2014.

Shqipëria merr statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. 28 anëtarë të BE votuan unanimisht pro këtij statusi.

49.
22 KORRIK 2014.

Zbulohet skandali më i madh i ndodhur ndonjëherë në historinë e Bankës së Shtetit Shqiptar. Përmes një mekanizmi janë vjedhur 723 milionë lekë të rinj dhe të implikuar rezultojnë punonjës dhe zyrtarë të kësaj banke. Arrestohet guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dhe 20 zyrtarë dhe drejtues të Bankës.

50.
14 TETOR 2014.

Ndërpritet në minutën e 43 ndeshja mes kombëtareve të futbollit Serbi-Shqipëri. Një dron me flamurin etnik shqiptar i ngritur mbi stadiumin e Beogradit u shoqërua me dhunë ndaj futbollistëve shqiptarë nga tifozët serbë që hynë në fushë. Komisioni Disiplinor i UEFA vendos që Shqipëria të humbasë në tavolinë 0 me 3 dhe Serbisë i hiqen 3 pikë. Këtë vendim lë në fuqi edhe Apeli, ndërkohë më 10 korrik 2015 KAS vendos që Shqipëria të marrë 3 pikë në tavolinë dhe Serbisë t’i hiqen 3 pikë.

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY