Pas një pushimi për rreth dy orë i grupit të ekspertëve, ka rinisur sërish mbledhja për reformën në drejtësi.
Rreth orës 15:20 janë rikthyer eskpertët e nivelit të lartë dhe ata të Partisë Demokratike në Kryesine e Kuvendit pas një dreke reflektimi për të vendusur dhe rakorduar qëndrimet sa i përket reformës në drejtësi.
Por vetëm 5 minuta më pas, ekspertët e PD kanë lënë mbledhjen. Shkak ka qenë mosdakordësia për të disatën ditë me radhë e ekspertëve demokratë sa i përket zgjedhjes së krerëve të institucioneve të drejtësisë, Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Gjykatës Kushtetuese.
Ekspertët e PD edhe njëherë kanë këmbëngulur në qëndrimin e tyre se votimi në Kuvend duhet të bëhet me 93 vota, ndërsa propozimi i ardhur nga ekspertët e nivelit të lartë parashikon përzgjedhjen e tyre me 84 vota.
Ekspertët e opozitës takim me kryetarin Basha
Pas braktisjes së mbledhjes për reformën në drejtësi, grupi i ekspertëve të Partisë Demokratike po zhvillojnë një takim me kreun e demokratëve Lulzim Basha.
Ende asnjë dakordësi për pikat e draftit
Gjetja e një dakordësie mes ekspertëve të nivelit të lartë dhe atyre të PD për reformën në drejtësi, duket ende i largët.
Afro 3 orë debate të kësaj të diele, nuk prodhuan mbështetjen unanime për asnjë nga nenet e Kushtetutës, që deri më tani i ka ndarë palët.
Burime pranë grupit të ekspertëve thanë se përballja më e fortë mes tyre ka qenë për formulën e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit.
Në amendamentet e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, propozohet që Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi nga radhët e juristëve jo gjyqtarë.
Opozita ka këmbëngulur që këto kandidatura të miratohen në Kuvend, me shumicë kushtetuese prej 93 votash. Ndërsa ekspertët e nivelit të lartë propozojnë që të zgjidhen me shumicë të cilësuar prej 84 votash.
Diskutimet e ashpra detyruan ndërprerjen e mbledhjes dhe ekspertët iu drejtuan një dreke reflektimi.
Mësohet se deri më tani ekspertët kanë rënë dakord që për nenet ku nuk bien dakord t’i drejtohen Komisionit të Posaçëm me dy variante.
I gjithë dokumenti mbi të cilin kanë punuar ekspertët duhet t’i vihet në dispozicion Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi që duhet të mblidhet në 13 janar, ditë në të cilën burime pranë këtij Komisioni thanë se drafti final do t’i dërgohet edhe Komisionit të Posaçëm.
Para 20 janarit ekspertë të Venecias do të vijnë në Tiranë për diskutuar mbi draftin e reformimit të drejtësisë shqiptare.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/