LSI është e vendosur të kundërshtojë projektin turk të ndërtimit të hidrocentralit të Katundit të Ri, një projekt që tashmë ka marrë edhe aprovimin e qeverisë përmes një vendimi të saj para vitit të ri.
Sherri për Skavicën apo Katundin e Ri do të jetë ai i rradhës mes dy partive kryesore, kësaj here sherri është për një investim të madh dhe shumë para, gjë që do të shtojë këmbënguljen e LSI për devijimin e vendimit aktual të qeverisë.
Në një koment të sekretarit të Përgjithshëm, Petrit Vasili me titull “Skavica si një problem kombëtar e jo lokal” theksohet se LSI do të rezistojë për të ndryshuar projektin aktual të qeverisë.
“Motivimi për të shkruar këto radhë ishte mjaft i fortë, pasi u njoha me shqetësimet e specialistëve të energjetikës për problemin, që lidhet me domosdoshmërinë strategjike të ndërtimit të HEC Skavicës shumë më parë se sa ndërtimi i HEC Katundi i ri, që do të dëmtonte sipas mendimit të tyre në mënyrë të pakthyeshme të gjithë zhvillimin afatgjatë të kaskadës mbi lumin Drin.
Në Shqipëri shpesh herë, për fat të keq qëndrimet ndaj zgjidhjeve afatgjata kanë qenë sipërfaqësore, të motivuara nga vlerësime të çastit dhe jo të perspektivës dhe për pasojë vendi është ndeshur më pas me pasojat e tyre negative e të pakthyeshme.
Çështja e qëndrimit ndaj sistemit energjetik shqiptar dhe kaskadës së Drinit në veçanti është prova direkte e një qëndrimi të tillë.
Pyetja shtrohet:A do trajtohet kaskada e Drinit si një çështje kombëtare apo si një problem i vogël lokal?”, shkruan Vasili.
Në vijim Vasili argumenton rreth nevojës që Skavica të ndërtohet para Katundit të Ri.
“Së pari realizimi i një projekti të tillë do bënte rregullimin shumëvjeçar të liqenit të Fierzës.
Së dyti, realizimi i një projekti të tillë strategjik do të bënte pra një rregullim shumëvjeçar të kaskadës së Drinit dhe do të optimizonte prodhimin e energjisë në të gjithë kaskadën”, thotë zyrtari i lartë i LSI-së.
Në vijim ai thekson se “argumentet shteruese të specialistëve kërkojnë një reflektim të thellë dhe një konsultim të gjerë, që do të mundësonte vendimmarrje afatgjata dhe në dobi të ekonomisë së vendit, por edhe të shfrytëzimit maksimal dhe efektiv të risurseve energjetike të vendit, pasi propozimi i ndërtimit te psh.i HEC Katundi i ri me kuota maksimale mjaft më të ulëta deri në 400 metër, do të bënte të pamundur ndërtimin e Kompleksit Hidroenergjetik Skavicë me kuota shfrytëzimi 445 metër dhe kuotë maksimale 485 metër, duke sjellë për pasojë humbje të mëdha në kapacitetet e shfrytëzimit si dhe pamundësinë e rregullimit shumëvjeçar të liqenit të Fierzës me të gjithë pasojat e rënda ekonomiko-sociale që ajo sjell”.
Ai kërkon nga qeevria vizion, transparencë, debat dhe trajtim si problem realisht kombëtar dhe aspak si një problem lokal, pavarësisht nga çdo qëllim i mirë i momentit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/