Një nga seancat ndaj Koço Kokëdhimës në Gjykatën Kushtetuese
Deputeti i PD-së Eduard Halimi ka ripërsëritur sot apelin ndaj Gjykatës Kushtetuese, për zbardhjen e vendimit për mandatin e deputetit socialist, Koço Kokëdhima. Njëherazi, në emër të PD-së, Halimi ka denoncuar kryeministrin Edi Rama, si përgjegjësin të vonesës së zbardhjes së këtij vendimi.
“Edi Rama vazhdon të mbrojë deputetët e tij nga drejtësia, duke ndërhyrë me çdo mjet për të vonuar zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Koço Kokëdhimës. Kryeministri i Jugut, siç e ka dekretuar vetë Rama, është kapur me 150 shkelje të ligjit themelor te vendit, duke përfituar fonde publike për biznesin e tij. Por drejtësia vonon për të, pasi Koço është ushtar i Ramës dhe i premtoi se do të dërgonte në kongres 3 herë më shumë delegatë të bindur. Jam serish sot këtu, për ti përsëritur kërkesën Gjykatës Kushtetuese që të zbardhë e të bëjë efektiv sa më parë vendimin për rastin e deputetit Koço Kokëdhima”, u shpreh deputeti demokrat.
Duke bërë një kronologji të kësaj përballje në gjykatë, Halimi i ka kërkuar edhe Parlamentit të mos mbyllë sytë ndaj shkeljeve të Kushtetueses, sipas tij, me urdhër të Edi Ramës.
“Kërkesa e Partisë Demokratike për mbarimin e mandatit të Kokëdhimës është bërë në verën e vitit të kaluar. Gjykata e ka marrë në shqyrtim në nëntor të 2015, por ende nuk ka zbardhur vendimin, që e shpalli si antikushtetuese fshehjen dhe mbrojtjen që Edi Rama i bëri ndaj drejtësisë deputetit të tij, oligarkut të jugut Koço Kokëdhima. Me urdhër të Edi Ramës, Parlamenti mbylli sytë para shkeljeve të Kushtetutës dhe doli në mbrojtje të milionave të Kokëdhimës, në mbrojtje të 150 transfertave financiare, fonde publike për biznesin e tij. Vitin e kaluar, Gjykata Kushtetuese e shpalli këtë vendim të parlamentit, si në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, duke kërkuar dërgimin e Kokëdhimës para drejtësisë. Çështja ka mbetur pezull, pasi nën presionin e Edi Ramës, ky vendim ende nuk është zbardhur dhe nuk është bërë efektiv”.
Për Halimin, kjo përpjekje është edhe një precedentë për fshehjen nga drejtësia të të tjerë deputetëve të PS-së.
“Ndaj i kërkojmë Gjykatës Kushtetuese të zbardhë sa më shpejt vendimin, pasi çështja ka të bëjë me korrupsionin shtetëror, me oligarkinë dhe oligarkët, me kapjen e shtetit, ndaj ky rast është e një rëndësie të madhe publike. Prej mbrojtjes që Rama i bën Kokëdhimës po përfitojnë dhe deputetet e tjerë të Ramës, Leskaj e Suli, edhe ata të kapur në flagrancë, pasi familjarët e tyre kanë përfituar miliona nga fondet publike. Fshehja e deputetëve ndaj drejtësisë, ndërhyrjet e presionet ndaj gjyqtareve e prokuroreve, janë modeli që ka Edi Rama për drejtësinë. Gjykatës të kapur, që mbrojnë njerëzit e tij, dhe prokurorë te bindur që urdhërohen lehtë ndaj kundërshtarëve politike. Kjo është drejtësia që kërkon Edi Rama”, vijoi deputeti i PD-së.
Në emër të PD, deputeti Eduard Halimi, e cilësoi këtë sjellje të Ramës si një nevojë për reformën në drejtësi.





