“Duke filluar nga data 1 shkurt, janë miratuar edhe tarifat e reja të vizitave te mjeku specialist dhe të ekzaminimeve të ndryshme shëndetësore për personat që nuk janë të siguruar, por që bëhen pjesë e sistemit të referimit, duke e filluar kontrollin nga mjeku i familjes”, ka bërë ët ditur kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në “Facebook”.
“Ka një ulje shumë të konsiderueshme të tarifave krahasuar me ato të deritanishme. Ndërkohë, është e qartë se tarifat për personat që nuk pranojnë të ndjekin sistemin e referimit, pra përmes mjekut të familjes, do të mbeten të pandryshuara”, ka bërë ët ditur më tej Rama duke publikuar edhe tarifat e reja.
Tarifat e reja të shërbimit shëndetësor nga 1 shkurti 2016
Vizita te mjeku i familjes, nga 1000 lekë bëhet FALAS;
Vizitat ambulatore, kryerja e injeksioneve dhe ndërhyrjeve mikrokirurgjikale, FALAS;
Tarifat për disa ekzaminime, si Mamografia dhe Anti-HIV 1+2, bëhet ZERO për herë të parë;
Vizita tek mjeku specialist në poliklinikë, nga 1500 lekë ulet në 100 lekë;
Vizita tek mjeku specialist në spitalet universitare, nga 3000 lekë ulet në 500 lekë;
Vizita tek mjeku specialist në spitalet rajonale, nga 2000 lekë ulet në 100 lekë;
Vizita tek mjeku specialist në spitalet e rretheve, nga 1500 lekë ulet në 100 lekë.
Tarifat për ekzaminimet endoskopike ulen më shumë se dyfish.
Tarifat për analizat laboratorike kliniko-biokimike ulen nga dy deri në shtatëfish.
Tarifat për analizat laboratorike mikrobiologjike ulen nga tre deri në tetëfish.
Tarifat për shërbimin e allergologji-pneumologjisë ulen nga pesë deri në tetëfish.
Tarifat për shërbimin e kardiologjisë ulen nga pesë deri në dhjetëfish, ndërsa ato të shërbimit ORL, ulen nga katër deri në pesëfish.
Nëse një person i pasiguruar ka të nevojshme kryerjen e një ekografie, ajo kushton 1000 lekë në rastet kur pacienti nuk ndjek sistemin e referimit – pra kur nuk kalon nga mjeku i familjes. Në rast se pacienti kalon fillimisht te mjeku i familjes dhe më pas te specialisti në poliklinikë për kryerjen e kësaj ekografie do të paguajë vetëm 200 lekë.
Çmimet për kryerjen e biopsive të të gjitha llojeve janë ulur nga 3000 lekë në 500 lekë, ose gjashtëfish.
Pjesa më e madhe tarifave të ekzaminimeve radiologjike dhe ato imunologjike janë ulur më shumë se pesëfish.
“Kur pacienti paraqitet te mjeku specialist duhet të jetë i pajisur me kartë identiteti dhe rekomandim nga mjeku i familjes. Kështu ai do të përfitojë nga çmimet e reja, shumë më të ulëta, të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë prej 1 shkurtit.
Ndërkohë, pacientët të cilët janë të siguruar mjafton të paraqesin kartën e shëndetit dhe atë të identifikimit dhe i përfitojnë të gjitha këto ekzaminime FALAS”, saktëson më tej kryeministri Edi Rama.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/