Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi sonte në përfundim të seancës plenare se palët kanë arritur konsensusin dhe se Parlamenti miraton nesër aktet nënligjore për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin.
Meta u shpreh midis të tjerave, se nëse ka ndonjë çështje për të cilën nuk është rënë dakord, ka kohë deri nesër paradite për përmbylljen e procesit.
“Konsensusi pothuajse është arritur mes palëve, nesër do të miratojmë në parlament aktet nënligjore. Kemi dhe një afat kohor, ky ligj duhet të hyjë në fuqi dhe të fillojë zbatimin e tij në mënyrë të plotë. Do t’i ftoja të gjithë të bashkojmë forcat për të ecur më shpejt në të gjitha reformat kryesore, sidomos atë të drejtësisë dhe njëkohësisht, për të pasur një frymë me konstruktive, respekt ndaj njëri-tjetrit. Por duke vënë në plan të parë interesat e qytetarëve tanë. Të mos zhvendosim debatin nga një detyrim imediate, që kuvendi ka në çështje të tjera. Kuvendi ka për detyrë të respektojë afatet dhe detyrimet e tij në zbatim të këtij ligji. Unë besoj se konsensusi është arritur dhe nëse ka ndonjë vendim të ndryshëm për ndonjë çështje që nuk është aspak thelbësore, unë besoj se kemi kohë deri nesër paradite për përmbylljen e këtij procesi”. tha Meta.
“Kemi një zakon që mirëkuptimin dhe konsensusin e lemë për në minutat e fundit. Padyshim që edhe vizita e përfaqësues së lartë të Be-së shpresoj të ketë sjellë impulse me pozitive”, u shpreh më tej kryeparlamentari, i pyetur nëse vizita e përfaqësueses së lartë të BE-së, Mogherini, ndikoi në arritjen e konsensusit.





