Edi Rama prej disa ditësh ka ndërmarrë një fushatë vetëtrimërimi! Shqisa e frikës, pasi ka shkapetur për tokë atë të arsyes, i thotë “po e merr ferra uratën”, “po të rrëshqet dheu nën këmbë”, “e ke humbur toruan”, “ankthi të lexohet në sy dhe sytë rrëfejnë pasiguri”, e plot ngasje kësodore që e bëjnë gjumin lanet dhe lanetit i hapin udhën për t’u dukur ende i gjithëpushtetshëm.
Pasi u përkëdhel në një studio me imagjinatën ngarkuar me pula të pjekura taze në tlyem, u nis duke u çapitur qytet më qytet, fshat më fshat, kanal më kanal, qoshe më qoshe, shesheve dhe zgëqeve, që të sigurohej se mërzia e tij e ka mbështjellë si qefin gjithë Republikën.
Ai para, shpura nga pas, vartës të cilët qeshin dhe pikëllohen me regji e stërmundohen rrakapjekthi të shfletojnë librin e mrekullive të pandodhura. Ata flasin, ai hesht. Ata e shikojnë nga poshtë me frymëzimin që këshillon servilizmi pa skaje, teksa ai sheh nga e ardhmja i pacimbisur nga prania e oborrtarëve vdekatarë. Me krenari mbushur me këtë cilësi titanësh, e cila qëkur Rilindja u end gurrave dhe krojeve tona si kryefjalë e diskursit të përditshëm, na premton një tjetër katërvjeçar si ky që kaluam. Hajde merre vesh, është guxim prej të marri, apo marria e transformuar në transoqeanik për të kaluar detin e krizës plot tallaze të paparashikueshme?!!
Edi Rama, profesionisti i certifikuar në fasada, po rreket mundimshëm të ndërtojë fasadën e normalitetit, atë të demokracisë e të punës me një ligjërim të rrejshëm, i bindur se kësaj ane politika më e hollë është gënjeshtra safi në ditë të mirë e shumë më tepër në të nëmuren dite të keqe.
E bën këtë pasi ndërtoi realitetin e Shqipërisë hambar droge, atë të koncesioneve qindra milionë euro për miqtë e zemrës plot hove dhe ndau qeverisjen me të inkriminuar veshur me kollare “Armani”. Gjuha e shtruar, e cila i rri si shala kalit, si një mundim sizifian në qenien e tij lidhur ngusht me arrogancën, po bën një përpjekje këto ditë të përkëdhelë lëndinave fshatarë plot derte e të ngutshëm për t’u kthyer në punët e arës. Që ata të hambarit dhe kollares të mos duken tani në prag fushate dhe në mesin e një krize, e cila rrezikon sistemin dhe shtetin, Kryeministri arkitekti i saj, si gjest të fundëm zgjedh teatrin dhe gjininë që tenton gazin, komedinë. Zor të ketë sukses kur natën jeton me psherëtimat e dramës dhe pandehmat e panumërta që krijon rreziku i largimit nga zyra me flutura qëndisur.
Ai thotë nuk ka krizë. Opozita, një koalicion prej 27 partish, nuk është regjistruar në KQZ për zgjedhjet e qershorit. Një akt ky i paprecedentë, rrjedhojë e një gjendjeje po kaq të paprecedentë. Aleatët e tij në qeverisje, LSI dhe PDIU, qartë e prerë po i thonë s’ka zgjedhje pa opozitën, s’ka zgjedhje me paratë e drogës, ose po deshe bëji, por pa ne dhe i gëzofsh. Infrastruktura zgjedhore është në kolaps. Procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës ka ngrirë. Reforma në Drejtësi gjithashtu. Dhjetëra tonelata droge në ditë zbulohen e shumë më tepër kalojnë detin. Komisariate të tëra shkrihen e komisarë të pambrojtur vriten me atentate mafioze. Ekonomia, punësimet janë në rënie të lirë, ndërsa xhepat e pushtetit fryhen çmos kurrkush duke konturuar rutinën e luksit.
Nuk ka krizë, përsërit Kryeministri, duke u fshehur brenda dëshirës së tij për të mos lënë një karrige që mbahet veç me një këmbë. Më 18 qershor, edhe formalisht sharrohet. Çfarë duhet të ndodhë tjetër për ta përkufizuar Krizën?! Kjo nuk është një krizë e zakonshme, përkundrazi, krejt e pazakonte vjen ajo deri këtu dhe e paparashikueshme bëhet nëse faktorët politikë, Edi Rama i pari, nuk zëvendëson dëshirën narciziste me arsyen. Shoqëria, opozita, aleatët, prej kohësh Narcizit shef ekzekutivi i kanë thyer pasqyrën. Ai s’ka ku të shihet, ndaj fshihet i pasigurt. Kryeministrit i duhet një pasqyrë.
Sapo të shihet, ai do ta kuptojë që kriza e tejkalon vullnetin e tij. Ai sot ka fuqi ta zgjidhë atë dhe nëse e bën, do i kujtohet si vlerë. Kjo është një mundësi edhe për të, të cilën nëse nuk e shfrytëzon, shkatërron mundësinë e të gjithëve për normalitet për disa vite me radhë. Shpresa vdes e fundit, ndaj sa është ende në jetë, mbase e bën alternimin e frikës me arsyen. Arsyeja nuk i shkakton asnjë kosto vendit, siç thoshte Edi Rama vite më parë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/