DETAJET/Hajdutët: “Kontroll se ka ndodhur një vrasje në Tiranë”

DETAJET/Hajdutët: “Kontroll se ka ndodhur një vrasje në Tiranë”

77
0
Shares

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasit Halil dhe Shaban Topalli, të dyshuar për veprën penale të “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.

Nga aktet e procedimit penal rezulton se shtetasit e sipërcituar dyshohet nëpërmjet përvetësimit të titullit shtetëror, duke u prezantuar si punonjës policie, kanë kërkuar dokumente dhe para shtetasve të ndryshëm që ishin duke udhëtuar në afërsi të vendit të quajtur rreth rrotullimi i Bathores, në Kamëz, për në drejtim të tregut të gjësë së gjallë në Tapizë.

Vjedhja e parë

Njoftimi i kësaj ngjarjeje është bërë nga shtetasi B.K., i cili rreth orës 03:30 të dt. 19.03.2016, ka qenë duke udhëtuar nga Maminasi Durrës me automjetin e tij, së bashku me vëllanë e tij. Në rrethrrotullimin e Kamzës, në drejtim të Tapizës, i ka dalë në mes të rrugës një person, i cili i ka kërkuar të ndalonte automjetin. Pas ndalimit të mjetit janë afruar dy persona, njëri nga krahu i shoferit dhe tjetri nga krahu i pasagjerit. Këta shtetas janë prezantuar si punonjës të policisë së shtetit, por nuk kanë patur uniformë policie, tabela apo shenja të tjera identifikuese të policisë. Ata kanë kërkuar dokumentacionin e mjetit, por duke qenë se kallëzuesi ka dyshuar në faktin që mund të ishin punonjës policie, nuk i është bindur kësaj kërkese. Ata kanë insistuar, duke u shprehur se ishin punonjës të shërbimit të policisë kriminale dhe për shkak të një ngjarjeje në Tiranë, kërkonin të kontrollonin dokumentet. Njëri prej tyre ka kontrolluar edhe bagazhin e automjetit dhe e ka mbyllur sërish. Pastaj ka insistuar në kërkesën e tij për dokumentacion dhe në këtë moment është afruar një automjet veturë ngjyrë blu në të zezë, ku nga brenda saj ka zbritur një person. Këta shtetas i janë drejtuar atij me fjalët “Komandant bëre mirë që erdhe se personat po kundërshtojnë për të dhënë dokumentet”. Ky person, pasi është shtirur sikur ka kryer një bisedë telefonike për verifikimin e targës, e ka lejuar automjetin e kallëzuesit të largohej. Kallëzuesi shprehet se me vete kishin rreth 200 000 lekë, duke qenë se po shkonin në tregun e bagëtive, por nuk i kanë dhënë personave.

Vjedhja e dytë

Në të njëjtën datë, rreth orës 04:50, ka ndodhur e njëjta situatë me shtetasin H.S, i cili ka qenë duke udhëtuar nga banesa e tij në Paskuqan në drejtim të tregut të Tapizës, me kamionin në ngjyrë të bardhë, së bashku me xhaxhanë e tij. Në të njëjtin vend, (rreth rrotullimi i Bathores Kamëz), u ka prerë rrugën një automjet i markës Ford Focus me targa AA xxx LI, në ngjyrë blu të errët, nga i cili ka dalë një person. Ai është prezantuar “Jemi policia e shtetit dhe do bëjmë kontroll se ka ndodhur një vrasje në Tiranë”. Nën presionin e tij psikik me fjalë, drejtuesi i kamionit është përgjigjur se kishte dokumente të rregullta dhe kamioni ishte bosh. Ai i ka kërkuar të kontrollonte dhe në momentin që kallëzuesi po zgjidhte litarin e kamionit, i ka thënë lëre atë po a keni ndonjë lekë se i do shefi që është përpara në mjetin tonë. Pas kësaj kërkese kallëzuesi ka dyshuar nëse ishin apo jo punonjës policie dhe i është përgjigjur se nuk kishte lekë, ndonëse me vete kishte patur rreth 50 000 lekë. Personi e ka përsëritur kërkesën për para disa herë me ngulm, duke iu afruar edhe me trup fizikisht, por në këto momente personi tjetër që ndodhej në timon, i kërkuar të largohej. Pasi kanë lënë automjetin të largohej, kallëzuesi ka vënë re nëpërmjet pasqyrës, se këta shtetas kanë ndaluar një kamion tjetër.

Lidhur me këto ngjarje, personat e sipërcituar kanë paraqitur kallëzim penal. Gjithashtu kanë theksuar se këta shtetas me vete ata nuk kanë patur armë dhe nuk kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tyre.

Dëshmia e policëve fallco

Në deklarimin e tij Halil Topalli pranon faktin se orën e ngjarjes ka qenë në automjet me kushëririn e tij Shaban Topalli dhe kanë debatuar me një person gjatë rrugës për shkak parakalimi të mjetit të tij. Ai mohon që të kenë ndaluar mjete të tjera me qëllim për t’u kërkuar para dhe prezantuar si punonjës policie.

Në deklarimin e tij shtetasi Shaban Topalli deklaron se gjatë kësaj kohe po ktheheshin nga Tirana dhe ai ishte në gjendje të dehur, nuk mban mend asgjë por i kujtohet se Halili ka bërë debat me një automjet në ngjyrë të bardhë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY