Elton Lutaj, kryetar organizatës socialiste numër 4502 dhe drejtues i rinisë në lëvizjen Zgjidhja për rajonin Fier, Vlorë dhe Gjirokastër denoncon shkeljet flagrante që janë bërë tre ditë më parë me seancën e turpshme të shkarkimit nga posti të ish-kryetarit të këshillit të qarkut, Sadrit Danaj. Në një analizë pas shkarkimit të dyshimtë dhe jashtë rendit të ditës dhe me plot parregullsi të tjera, shoqëruar me dhunën fizike të truprojës së ministrit Gjiknuri dhe të policëve bashkiakë, Lutaj argumenton pse është antiligjor shkarkimi i Danajt dhe emërimi i kryetarit të ri.
Argumentet e socialistit vlonjat
Akt kamikaz ndaj votës së lirë!
Elton Lutaj
Skenë live, me zë e me figurë, sesi paturpësisht dhe pa moralisht bëhet kurban ligji për interesa të paqarta të Maliqit. Shkarkohet përdhunshëm, në shkelje të plotë të procedurës ligjore Sadrit Danaj, Kryetari i Këshillit te Qarkut Vlorë. Motivacioni: Sepse ai mbështet tezat e lëvizjes “Zgjidhja”! Sepse Sadriti, si mijëra socialistë të tjerë, mendon se deputetët duhet t’i zgjedhë populli, jo kryetari i partisë; se duhet të ketë primare për zgjedhjen e përfaqësuesve brenda partive politike; se është ligji ai që duhet të drejtojë punën publike e të qeverisë etj…
Mirëpo kryetarët e mendojnë ndryshe dhe kësisoj në “Olimp” është vendosur se Sadriti duhet të shkarkohet. I vetëm përballë një tufe qehallarësh të pushtetit që sot vetëquhen Partia Socialiste, nuk i lejohet të ketë komisionerë, nuk i lejohet të shohë votat, madje dhe kur kamerat fokusojnë një votë të pavlefshme dhe Kryetari i Komisionit e pranon pavlefshmërinë e saj, cënohet fizikisht nga truproja i ministrit Gjiknuri.
Për më tepër emërimi i Kryetarit të ri Ervis Moçka është haptazi antiligjor pasi neni 74 i Ligjit për Vetëqeverisjen vendore të miratuar nga kjo qeveri në vitin 2015 thotë: “Në rastin e krijimit të vendit vakant, që lidhet me humbjen e mandatit të anëtarit të këshillit të qarkut nga një anëtar i këshillit të një bashkie, ai zëvendësohet nga këshilli bashkiak përkatës, duke respektuar ligjin për barazinë gjinore”.
Neni 76 i Ligjit për Vetqeverisjen vendore të miratuar nga kjo qeveri ne vitin 2015 thotë: “Pika 5. Thirrja e mbledhjes së këshillit bëhet nga kryetari. Pika 6. Njoftimi për mbledhjen e këshillit bëhet, si rregull, jo më pak se 10 ditë para datës së zhvillimit të mbledhjes. Njoftimi përmban datën e mbledhjes, orën, vendin dhe rendin e ditës”.
Vendi vakant, të cilin Ervis Moçka mori në këshillin e Qarkut është krijuar nga largimi i Xhuljeta Naqo nga Këshilli Bashkiak i Vlorës. Të gjitha sa më sipër nuk janë veçse mishërimi i problematikave të rënda të lidershipit të PS, të cilat lëvizja Zgjidhja i ka denoncuar me forcë gjithë këtë kohë.
Dhunimi i socialistëve të thjeshtë sepse ata nuk mendojnë si kryetarët; dhunimi i parimeve kushtetuese të të drejtës për një proces të rregullt; dhunimi i votimeve dhe tjetërsimi i tyre në një klimë terrori, thjesht se ashtu kanë dëshirë kryetarët duhet të marrin fund përpara se Partia Socialiste nga kapitali më i çmuar politik i popullit tonë të kthehet në një ngrehinë të braktisur, të përçmuar e të pamundur për t’u rikuperuar. Ftoj të gjithë socialistët dhe të gjithë shqiptarët të solidarizohen kundër këtij atentati që i bëhet votës së lirë pikërisht në një kohë në të cilën kjo temë dhe episode si ky po rrezikojnë mbajtjen e zgjedhjeve dhe fatin e te gjithë shqiptarëve.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/