Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në Institucionin e Presidentit të Republikës një grup qytetarësh të angazhuar në mënyrë aktive në denoncimin dhe kundërshtimin e ndërtimit te parku i Liqenit të Tiranës si dhe të procedurave që po ndiqen në brendësi të hapësirës së gjelbër të këtij parku në Tiranë.
Pasi u uroi përzemërsisht mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë e tij për praninë e tyre në Institucion dhe takimin me ta, Kreu i Shtetit theksoi se, “kjo kauzë dhe të gjithë elementët që kanë dalë prej saj duhet të sensibilizojnë e motivojnë të gjithë aktorët e shoqërisë; politikbërës dhe qytetarë, pa dallime.”
Presidenti i Republikës shprehu gjithashtu shqetësimin e tij ndaj mungesës së reagimeve të institucioneve shtetërore por edhe shoqërisë civile, për të marrë përsipër secila palë detyrat e angazhimet përkatëse në raste të tilla. Kreu i Shtetit u kërkoi përfaqësuesve të qytetarëve të angazhuar në këtë kauzë për të vijuar dhe shprehur lirshëm mendimin e tyre në mbrojtje të çështjeve të mjedisit, por edhe për ligjshmërinë e të gjithë procesit të ndjekur për projektin ndërtimor në brendësi të parkut të Liqenit në Tiranë.
Nga ana e tyre, pjesëtarët e grupit gjatë bashkëbisedimit shprehën indinjatën për mungesën e përgjigjeve nga shumë institucione shtetërore ndaj interesimit të tyre, si dhe falënderuan Presidentin e Republikës për mundësinë e krijuar për bashkëbisedimin dhe dëgjimin e detajeve të çdo shqetësimi të hasur në më shumë se tre javë protesta.
Anëtarët e grupimit qytetar ftuan Kreun e Shtetit për të vizituar nga afër vendin ku po zhvillohet projekti ndërtimor në një kohë të përshtatshme.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/