Basha: Të djathtë e të majtë të shporrim me votë këtë kastë...

Basha: Të djathtë e të majtë të shporrim me votë këtë kastë oligarkike

57
0
Shares

Banorët e Dumresë janë jo vetëm të zhgënjyer nga qeveria “Rama” por dhe në situatë ekonomike tepër të vështirë. Shqetësimin e tyre ata ia kanë bërë prezent edhe kryetarit ët PD-së, Luzim Basha, gjatë vizitës dhe takimit të tij me ata.
Sipas Bashës, fermerët, jo vetëm nuk kanë përfituar asnjë subvencion nga qeveria por rritja e çmimeve të imputeve bujqësore, energjisë etj, si dhe rënia e fuqisë blerëse e pamundësia e eksportit i ka zhytur në borxhe duke ua pamundësuar punimin e tokës këtë vit.

Bashkëbisedimi i Bashës me fermerët e Dumresë


Fermer: Paratë e duhanit s’po na i japin.
Basha: Paratë e vitit të kaluar?
Fermer: Po
Basha: Me sa e shitët vitin e kaluar?
Fermer: Pak më, me 2500. Çmim shumë i ulët. Qeveria na kishte premtuar 6 mijë lekë për kile.
Fermer: Të gjithë këta sera janë në borxhe, në borxhe komplet. Komplet në borxhe, komplet të falimentum. Kur të vish në korrik ti, do të llafosim bashkë. Sa sera do të gjesh të mbjella? Sepse nuk do të kenë më lekë të marrin fidanë. Nuk ia jep ai, bjeri lekët i e vjetra të jap të rejat.
Basha: Problemi këtu është korrupsioni sepse në qoftë se taksat merren dhe kthehen në rrugë të reja, në ujësjellës, në kanalizime, në vaditje, në kullim apo subvencione për bujqësinë ju do t’ia shihni hajrin. Ne kemi vendosur të investojmë në fshatin shqiptar 150 milionë euro në vit. Si do të investohen? 50 milionë në vit do të investohen për infrastrukturën. Rrugë janë bërë por s’kanë përfunduar. Vaditja, kullimi, ka zona ku nuk është vënë dorë në këto 2 vite e gjysmë, ka zona ku nuk është vënë dorë 10 vjet. Ne do të ndërtojmë një skemë subvencionimi që t’i vijë çdo familje fermeri në ndihmë. I vetmi kriter do të jetë, e punon apo se punon tokën? Ke apo nuk ke blegtori ? Ju do të jeni në gjendje të shisni pa NIPT, por me kartë identiteti dhe pa kartë fermeri. Sepse karta e fermerit dhe NIPT-i janë instrumente të fshehta për të shkatërruar tregun.

Zoti Basha ka bashkëbiseduar me banorë të Belshit. Në shtëpinë e Aqif Merko, Basha u njoh me problemet që ka zona, ku kryesisht ishte papunësia.
Në takim me banorët e Belshit  ata shprehën shqetësimin për korrupsionin e madh në polici, në OSHEE e kudo. Pa dhënë ryshfet s’baron dot punë, thanë banorët.

Bashkëbisedimi i Bashës me banorët e Belshit


Fermer: Marrin asistencë 3-4 vetë në një familje. Një që është nevojtar nuk merr, ai që s’ka gjë fare.
Banor: E dinë të gjithë këta burra që unë kam 26-vjet që kur ka dalë Partia Socialiste mbrapa, mbrapa, mbrapa. Sot njerëzit nuk kanë bukë të hanë, o zotëri! Ka mbi tre javë ai kamioni që nuk është nis. Hera e para që po niset sot. Kam  përzënë mbi 20 veta, vijnë njerëzit duan pllaka për të shtruar, të shkretit. E kemi keq me policinë, dun këtë, dun atë. Tjetri i jep 500 mijë lekë, 200 mijë lekë, 300 mijë lekë. Vendi më i korruptum.
Banor: Më vijnë dy burra me një palë gërshërë, vijnë të prisnin dritat. Ku vini ju? Do të presim dritat. I kam paguar unë ore, i kam paguar 69 mijë lekë dy muaj. E s’kam qenë këtu, kam qenë të çunat në Itali. Po megjithatë meqenëse është shkrujt, se ata nuk e shkrujnë kot, shif sahatin. Kemi urdhër me thanë. Si ore urdhër të më prisni dritat që i kam pagu.

Ndonëse politikat sociale zënë një vend të rëndësishëm në programin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se kjo nuk është zgjidhje për varfërinë. Sipas tij, zgjidhja është nxitja e investimeve, lehtësive për biznesin që  të hapen vende pune.
“Ta shporrim me votë këtë kastë oligarkike që e provoi, jo vetëm që s’mbante premtimet por kishte vetëm një qëllim, të pasurohej për vete”, theksoi zoti Basha.
“Ne do të shpenzojmë para për shtresat në nevojë. Sasia e energjisë elektrike deri në 200 kilovat dhe uji i përdorur nga familjet në nevojë do të financohet plotësisht nga buxheti i shtetit. E njëjta gjë për medikamentet, jo vetëm për familjet në nevojë por edhe ata me status invaliditeti. Por kjo nuk është zgjidhja, të jemi të sinqertë. Shteti nuk mund të vazhdoj të rrisë faturën sociale, shteti duhet të punojë që të krijohen vende pune, që ekonomia të fillojë të xhirojë, që leku të fillojë të xhirojë dhe për këtë duhen masa radikale. Ulje taksash, investime publike të vërteta, jo falso, jo palma. Subvencionim të bujqësisë, ulje të energjisë elektrike dhe ky është propozimi për të cilin iu themi sot të gjithë shqiptarëve hajde të bashkohemi, dita e votimit nuk është larg. Ta shporrim me votë këtë kastë oligarkike që e provoi, jo vetëm që s’mbante premtimet por kishte vetëm një qëllim, të pasuroheshe për vete e të kthejmë  edhe një herë shanset për punësim, për mirëqenie, për prodhim në ekonominë shqiptare. Pra, në xhepat, në tavolinat dhe në familjet e Belshit, Dumresë dhe gjithë Shqipërisë”, u shpreh Basha. 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY