Basha: Asnjë shans për negociata, Qeveria vonoi drejtësinë

Basha: Asnjë shans për negociata, Qeveria vonoi drejtësinë

66
0
Shares

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, në një intervistë ekskluzive për Ora News vetëm pak minuta pas vendimit të grupit parlamentar demokrat për të dorëzuar draftin e opozitës në Komisionin e Posaçëm Parlamentar të reformës në drejtësi jep detajet e përmbajtjes së tij dhe qëndrimin e Partisë Demokratike në vijim mbi këtë proçes të rëndësishëm.
Shefi i selisë blu mendon se reforma në drejtësi nuk ka asnjë shans të zbatohet para zgjedhjeve të vitit 2017 edhe sikur të miratohet sot.
Basha bëri përgjegjëse për këtë vonesë Qeverinë që siç tha ai ja doli ta shtyjë atë për të ruajtur korrupsionin qeveritar.
Propozimet e demokratëve, thotë Kryetari i opozitës në një intervistë me gazetaren Mimoza Picari, shkojnë në të njëjtën linjë me atë të Komisionit të Venecias.

Zoti  Basha, cili është konkluzioni i mbledhjes së grupit parlamentar të PD në një fazë shumë të rëndësishme për ju ku flitet për drejtësinë, diskutimet në Komisionin e Posaçëm për reformën në drejtësi por edhe për një draft të PD?
Basha:

Grupi parlamentar ka mbështetur plotësisht punën e bërë nga anëtarët tanë në Komsionin ad-hoc dhe nga ekspertët e PD, që i kanë dhënë shqiptarëve atë që Qeveria ua ka mohuar për dy vite me radhë, qartësi për një reformë në drejtësi që nuk mbron por lufton krimin dhe korrupsionin në nivele të larta qeveritare. Në këtë kuadër, grupi parlamentar dhe PD kanë qenë të qarta prej fillimit kur Edi Rama çoi draftin e parë për kapjen e drejtësisë me elementë të tillë si Byronë Kombëtare të Hetimit nën kontrollin e Shullazit apo Sajmir Tahirit, që për ne është e njëjta gjë, që Venecia të shprehej,  Venecia u shpreh, drafti u çmontua me turp. Edi Rama për një javë nuk u prononcua dhe pastaj në vend që të dilte të kërkonte falje dhe të ofronte bashkëpunim, prodhoi draftin e dytë po kaq problematik, draft që po kështu u çmontua nga Komisioni i Venecias. Së fundi Komisioni i Venecias me këtë çmontim të dytë, la dy detyra për klasën politike shqiptare, për Qeverinë në radhë të parë dhe për opozitën. Të gjejmë bashkarisht zgjidhje të standartit europian për arkitekturën e sistemit të drejtësisë dhe për mënyrën e emërimit të organeve të reja të sistemit të drejtësisë sepse për komponentin më kryesor të reformës që është lufta kundër korrupsionit, nuk kishte çfarë të thoshte Venecia. PD, unë, ua bëmë të qartë shqiptarëve, faktorit ndërkombëtar dhe Qeverisë që sa i përket luftës kundër korrupsionit, pra Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Byrosë Kombëtare të Hetimit jo nën sqetullën e Tahirit dhe krimit por ashtu siç tha Venecia nën kupolën e  drejtësisë dhe proçesit të pastrimit dhe vetëpastrimit të drejtësisë përmes asj që quhet proçesi i Vetingut, PD e jepte votën e saj që në shkurt apo mars. Propozuam në mars që të ecej me komponentin anti-korrupsion, me amendamenete kushtetuese dhe ligjet përkatëse, të dyja bashkë. Siç ecëm për dekriminalizimin ku bëmë edhe ligjin dhe amendamentin në një seancë dhe në këtë mënyrë ti hapej rruga ndërtimit të institucioneve anti-korrupsion, sepse këto institucione nuk lindin brenda ditës. Ndërtimi i tyre kërkon minimalisht 6 muaj, ndoshta 10-12 muaj. Mesa duket ky ka qenë dhe hesapi i mazhorancës, që të mos kishte prokurorë antikorrupsion nëpër këmbë teksa po afrojnë zgjedhjet, të mos kishte polici gjyqësore antikorrupsion dhe antimafia të pavarur politikisht, të pandikuar politikisht, që nuk merr telefonata nga Kryeministri, Ministri i Brendshëm para zgjedhjeve. Kjo ofertë e jona hasi në njjë vesh të shurdhër dhe u kërkuar të kalojë e gjithë paketa, pjesa antikorrupsion dhe pjesa e institucioneve. Për pjesën e institucioneve Venecia e thotë fare qartë: Duhet vullnet politik i të dy palëve.

Çfarë kuptoni ju si kryetar i opozitës me vullnet politik, një tërheqje absolute të shumicës? Nga se, nga cilat pjesë duhet të tërhiqet shumica?
Basha:

Jo absolutisht. Ner kërkojmë instrumenta të natyrës europiane. Pra institucione europiane dhe jo institucione të shpikura për të krijuar vende pune për veten e tyre me nga 6 milion lekë në muaj, se kjo ka qenë ideja. Taksapaguesit duhet ta dinë që klientët  e Qeverisë, të vetëquajturit ekspertë të nivelit të lartë, s ëbashku dhe me mbështetje qeveritare krijuan institucione me pagesa dy-tre fish Kryeministri apo Presidenti që do të punësoheshin vetë dhe ku do të caktonin vetë se cili nga gjyqtarët bënte dhe cili nuk bënte.

Ne flasim për arkitekturën apo për buxhetin e arkitekturës?
Basha:

Po flasim për arkitekturën. Parimi i arkitekturës duhet të jetë parim europian jo parim allashullaz.Se Shullazi është një fenomen edhe i korrupsionit moral, politik, është produkt i korrupsionit politik të kësaj qeverisje. Jo formulë allashullaz dhe allakokëdhimë por një formulë europiane të institucioneve të reja.

E keni ju këtë formulë sot?
Basha:

I takonte Qeverisë trë ulet dhe të negocianote, nuk e bëri. Prandaj e kemi bërë ne.

Cila është formula juaj?
Basha:

Është një formulë e cila paraqet 7 institucione të drejtësisë, ekspertët e kanë shpjeguar në detaje dhe unë nuk marr përsipër të bëj ekspertin sot. Por mund tu them se në diskutimin e grupit kjo formulë është gjetur plotësisht në përputhje me atë që dëshirojmë ne, një standart europian të menaxhimit të sistemit të drejtësisë. Ndërkohë për pjesën tjetër të luftës kundër korrupsionit, pra për Prokurorinë e Posaçme, Njësinë e Posaçme Hetimore siç është riquajtur Byroja Kombëtare e Hetimit dhe për proçesin e kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, PD ka thënë po që prej marsit zyrtarisht. Për proçesin e vendimarrjes dhe ky është komponenti i tretë, partnerët ndërkombëtarë kanë ofruar disa formula, kanë garantuar PD se do të mbështesin cilindo formulë që PD do ta gjykojë të pranueshme në kuptimin e balancimit të interesave politike. Dhe ne kemi vënë gishtin tek formula e vendeve të rezervuara, sigurisht duke i njohur primatin, pra duke i dhënë mazhorancës mundësinë që të emërojë në përputhje me përgjegjësitë e saj para elektoratit dhe opozitës në përputhje me përgjegjësitë e saj para elektoratit. Për ne çështja e vendiamrrjes sipas kësaj formule konsiderohet e zgjidhur.Për ne çështja e luftës kundër korrupsionit përmes institucioneve të reja antikorrupsion konsiderohet e zgjidhur. Ajo që mbetet pa zgjidhur është mundësia që ky Kryeministër apo cilido Kryeministër në të nesërmen të fusë duart në arkitekturën e drejtësisë. Që kjo mos të ndodhë dhe që Shqipërisë ti garantohet një sistem drejtësie njësoj si europianëve ku Kryeministri nuk merr në telefon dhe kërcënon prokurorë e gjyqtarë për të mbrojtur Kokëdhimën, për të shpëtuar deputetët e tij, por një drejtësi të standartit europian që garantohet nga një arkitekturë institucionesh të standartit europian. Për këto jemi të gatshëm të dialogojmë me mazhorancën, nuk themi që kemi monopolin e të vërtetës, por ne kemi ofruar zgjidhje, zgjidhje të standartit europian. Mazhoranca është e ftuar, paradoksalisht u takon atyre të na ftojnë ne por se kanë bërë,e kam bërë unë dhe e përsëris..

Kam përshtypjen që jeni gjithë kohën të ftuar në Komision parlamentar apo kërkohet një tryezë e një niveli politik?
Basha:

Komisioni ka funksionuar si teatër kukullash, nuk ka funksionuar si një Komision i vërtetë ku rrihen mendimet dhe ku ka një teknikë negociimi për hir të parimeve.

E qartë, atëherë ku është teatri i njerëzve, nëse do e quajmë kështu?
Basha:

Bashkëkryetarët e Komisionit apo çfarëdo formati tjetër të ndihen komodë kundërshtarët tanë politikë, ne jemi gati të angazhohemi.

A mund të bëni diferencën e arkitekturës së opozitës me atë të shumicës, ku është diferenca që ndan PD dhe Qeverinë?
Basha:

Është parimi. Parimi i arkitekturës së propozuar nga shumica është shpërndarja e kompetencave në 5-6 institucione të reja të cilat që nesër mund të krijojnë pakte mossubjimi me njëra-tjetrën sepse ndërvaren nga njëra-tjetra. Ky është një problem i vjetër i drejtësisë shqiptare që pesëfishohet me këtë arkitekturë. Ndërsa propozimi ynë është thjeshtimi i arkitekturës dhe vendosja e përegjegjësisve të qarta para institucioneve dhe qytetarëve. Ta dinë qytetarët cili institucion ka përgjegjësinë për kontrollin e integritetit të gjyqtarëve, po e bën apo nuk po e bën si duhet dhe çfarë mekanizmash ka qytetari për të kontrolluar dhe disiplinuar atë institucion që nuk e bën punën si duhet. Ne ofrojmë një skemë të standartit europian të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë europiane dhe jo një pyll përgjegjësish të koklavitura, të ndërthurura, në konflikt interesi me njëra-tjetrën, ku nuk shquhet dot e mira nga e keqja dhe përgjegjësi apo fajtori nga viktima.

Çfarë duan të zgjidhin Ambasadorët kur bënë një ecejake nga njëra seli tek tjetra, çfarë synojnë të zgjidhin në këtë ngërç?
Basha:

Në rrafshin e përgjithshëm është një pyetje për Ambasadorët dhe studiuesit e shkencave politike.

Edhe për ju, ju e dini çfarë nuk shkon.
Basha:

Në PD vinë dhe marrin nga PD jo vetëm vullnetin tonë politik që prej ditës së parë për reformën në drejtësi, por edhe vendosmërinë tonë për tu qëndruar parimeve mbi të cilat funskionon drejtësia në vendet e tyre.

A mundet ndërkombëtarët që në një moment kaq të rëndësishëm, ku jemi drejt finalizimit të një reforme shumë të rëndësishme për shqiptarët, që tu lënë në dorë palëve politike dy elementë kryesorë për të cilat nuk kanë rënë dakort gjatë gjithë kohës, siç është arkitektura dhe vendimarrja, për ti zgjidhur ata pa ndërhyrë dhe pa ju dhënë një model? A kemi sot një model të tyre për dy çështjet?
Basha:

Po, në rastin e vendimarrjes na është ofruar një model, vendimin do ta marrë legjislatura, parlamenti shqiptar jo Ambasadorët. Dhe pse Parlamentit i mbaron mandati dhe Ambasadorëve u mbaron mandati, po Parlamenti aty është dhe me një mandat të rinovuar është përfaqësues i vullnetit të popullit. Prandaj kërkohet që mbi këtë model të ofruar, në rastin e vendimarrjes, të ketë një dialog politik. Ne kemi marrë vendimin tonë në mbështetje të një prej modeleve të ofruara nga ndërkombëtarët që është modeli i vendeve të rezervuara.

Po thoni që paketa që është sot nuk e ka mbështetjen absolute të ndërkombëtarëve, Venecias, OBDAT, EURALIUS?
Basha:
Në këtë paketë reflektohen dilemat që Venecia përcolli në Tiranë për dy çështje, arkitekturën dhe vendimarrjen. Tha qartë, këto të dyja duhet ti vendosin palët politike në Shqipëri përmes dialogut gjithëpërfshirës. Derisa Venecia e tha këtë, tellalli nuk mund të mos e japë. Ata që bënë draftin e kanë reflektuar të kuqe mbi të bardhë, pjesë që janë shënuar me të kuqe në draft janë pjesët ku pritet dialogu politik. Dhe çdokush që pretendon të kundërtën, që pretendon se drafti kështu siç erdhi ishte i përfunduar dhe gati për votim, ose është i keqinformuar ose gënjeshtar.


Keni folur për reformën zgjedhore, e keni nxjerrë në një moment të rëndësishëm ku diskutohet edhe për reformën në drejtësi. Është një manovër politike që opozita të ngulmojë fort në dy reforma të rëndësishme që kushtëzojnë njëra-tjetrën? A është koha e mjaftueshme që ju të keni sukses tek të dyja, apo njëra kushtëzon tjetrën që të mos miratohen të dyja?
Basha:
Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme reforma në drejtësi ka zero shans të përmirësojë jetën e shqiptarëve, pa zgjedhje të lira dhe të ndershme asgjë tjetër në këtë vend nuk mund dhe nuk do të funksionojë. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë parakusht i çdo parakushti. Reforma zgjedhore është e vonuar, nuk ka kohë sepse zgjedhjet janë vitin e ardhshëm. Gjithçka tjetër është në funksion të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.


Po nëse nuk mjafton as koha për reformën në drejtësi?
Basha:
Nuk ka asnjë shans që BE ti hapë negociatat me një vend që nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk ka asnjë shans që BE ti hapë negociatat një vendi kaq problematik me krimin dhe drogën. Ditë për ditë po bëhemi lajm në mediat europiane sepse nuk zbatohen ligjet ekzistuese. Edhe kur të miratohet reforma në drejtësi, që uroj të miratohet me vullnetin e të dyja palëve, por që i garantoj shqiptarët që nëse kjo palë nuk e ka vullnetin, pala ime e ka vullnetin dhe do ta miratojë si qeverisje e ardhshme. Urimi im është të gjejmë gjuhën e përbashkët, por dhe nëse e gjejmë, implementimi i kësaj reforme do kërkojë të paktën 10 muaj. Pa monitoruar zbatimin e kësaj refrome harrojeni se ka një europian të vendit më të parëndësishëm që do të votojë pro hapjes së negociatave për Shqipërinë.Kjo sa i përket reformës në drejtësi, por ndërkohë Shqipëria po monitorohet për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këtë treshe ajo për të cilën vërtet nuk ka kohë është të krijojmë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. PD dhe unë i kemi mëshuar kësaj që prej fillimit, nuk është një proçes pazari me reformën në drejtësi. Reforma zgjedhore, kushtet për zgjedhje të lira dghe të ndershme qëndrojnë në vetëvete si imperative dhe kërkesa më urgjete jo thjesht e opozitës, por çdo qytetari, edhe votuesve të kundërshtarëve tanë politikë. Shqipëtarët duan të lënë pas periudhën e manipulimit zgjedhor. Ajo që ofrojmë ne është votimi elektronik dhe bioemtrik që nënkupton dhe numërimin elektronik.Nënkupton që horrat dhe zuzarët të dalin pa punë ditën e zgjedhjeve.


Është koha për një votim të sigurt elektronik?
Basha:
Koha është tani për të bërë ndryshimet zgjedhore, për të ndarë financat, prokuruar sistemet moderne që ekzistojnë, për ti mbikqyrur sëbashku në mënyrë që të funksionojnë.


Projekti pilot i zgjedhjeve të shkuara dështoi me sukses, çështja është në Prokurori.
Basha:
Shikoni çfarë celulari kishit vitin e shkuar dhe çfarë celulari keni sot. Teknologjia ka avancuar me hapa të jashtëzakonshëm, ofron sot dhe është provuar që garanton përmes përmirësimeve elektronike, zgjedhje elektronike, zgjedhje biometrike. Shqipëria e ka bazën e të dhënave biometrike, çdo qytetar disponon kartë dhe pasaportë biometrike.Të dhënat janë të regjistruara dhe kjo mundëson që çdo qytetar të votojë thjesht dhe vetëm me shenjën e tij të gishtit.


Për cilën kohë flasin Ambasadorët kur thonë se nuk ka kohë për të miratuar reformën në drejtësi?
Basha:
Flasin për një kohë ku Shqipërinë e zotërojnë bandat kriminale, korrupsioni ka arritur në nivele të paimagjinueshme. Nëse në 2004 BB thoshte Shqipëria ka nivel korrupsioni në kapje shteti, e bazonte sepse prokurimet e drejtëpërdrejta ishin 25%, sot kanë shkuar 71% vetëm katër mujorin e parë të këtij viti. Në këtë kuptim Shqipëria ka një nevojë rë ngutshme për një drejtësi të pavarur, të fortë dhe profesionale që të ndëshkojë krimin dhe korrupsionin dhe që tu japë qytetarëve drejtësi në mosmarrëveshjet e tyre të natyrës civile. Por çdokush që thotë se po u miratua kjo copë letër nesër Shqipëria do të jetë ndryshe, gënjen, është naivitet. Ky është një proçes të cilit i hapim rrugë me një reformë të standartit europian, por është implementimi, zbatimi dhe mënyra si do i zbatojmë rregullat ajo që do të provojë nëse drejtësia me të vërtetë do reformohet.Një draft i bazuar mbi standartin europian, i miratuar me konsensus e hap këtë rrugë dhe shans për Shqipërinë.Por kjo nuk do të ndodhë brenda natës, asnjë shqiptar nuk duhet të mashtrohet, të gjithë duhet ta dinë se proçesi i reformës nuk mbaron me votimin në Parlament, fillon me votën në Parlament dhe zbatimi i asaj që do votojmë si Prokuroria e Posaçme, Njësia e Posaçme Hetimore apo procesi i kontrollit dhe verifikimi i figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në vetëvete do të zgjasë me vite.


Duket sikur PD nuk i intereson koha e miratimit.
Basha:
Atyre që nuk u intereson koha e miratimit, janë PS dhe LSI.Atyre nuk u interesojnë gjyqtarë dhe prokurorë të pavarur para zgjedhjeve dhe ja kanë dalë kësaj.


Ata thonë se e keni kapur ju?
Basha: Po e kemi kapur ne me Shullazin, Koço Kokëdhimën, Fatmir Xhafaj, ne e kemi kapur sistemin. Të gjithë e dinë që drejtësia është e kapur nga Edi Rama, që merr në telefon gjyqtarë dhe prokurorë, i kërcënon dhe merr atë që do nga ata në kundërshtim me ligjin. E bëri herën e fundit me Koço Kokëdhimën, nuk ka asnjë pikë dyshimi që kjo drejtësi është e kapur nga kjo qeverisje dhe Venecia na e ka thënë të zezë mbi të bardhë. Na thotë që duhet të ndalë çimentimi i kapjes politike sepse ashtu si dhe ne e dimë që kjo drejtësi është e kapur politikisht. Presidenti i Vencias i thotë Shqipërisë të mos çimentohet kapja politike, prezumon që ka një kapje politike dhe si mund të mos prezumojë që ka kapje politike kur anëtarët e KLD zëvendësohen në mënyrë antikushtetuese, ligji për gjykatën administrative ndryshohet kundër konsensusit politik, ligji për gjykatën e lartë ndryshohet kundër konsensusit politik. Mazhoranca pasi bëri këto lëvizje humbi çdo interes për reformën në drejtësi. Për një vit këta që bërtisnin reformë, reformë, nuk u ndien. Në dreka dhe darka e hapën barkun me Ambasadorët dhe u thanë reforma u bë, i skandalizuan Ambasadorët, u shfaqën të vërtetë siç janë. Për ta reforma ishte kapja e drejtësisë. Kemi insistuar që nga fillimi për një reformë të vërtetë që lufton korrupsionin, këta kanë pasur tjetër axhendë dhe kanë tjetër axhendë. Kjo është arsyeja pse u shty dhe u shty. Edhe sot po të miratohet, efektet e saj nuk do të ndjehen para zgjedhjeve. Edi Rama dhe Ilir Meta ia dolën të pamundësojnë që para zgjedhje parlamentare të kemi një korpus gjyqtarësh dhe prokurorësh me integritet, të pacënuar, të pacënueshëm, të pashantazhueshëm që do të hetonin chek-upin e Ilir Beqaj dhe Vilma Nushit, prokurimet e drejtëpërdrejta për Carapulin.


Edhe për ish-Ministrat e PD.
Basha: Të marrim njëherë këto, flasim dhe për të djeshmet.Por të marrim njëherë të sotmet që po u marrin frymën shqiptarëve, merremi dhe me të djeshmet nuk kemi asnjë kompleks.Pra sterilizimin, koncesionet, fëmijët e tyre që bredhin me syze 60 mijë euro kur deklarohen të papunë. Të gjitha këto hetohen në një vend europian, qeveritarët janë gjatë gjithë kohës në lupë. Këtyre nuk u intereson ky hetim, prandaj e kanë shtyrë drejtësinë dhe duan të lajnë duart sikur nuk e do PD. Çfarë interesi ka opozita më themelor se transparencën, vendosjen para drejtësisë së pavarur të aferave që ne i denoncojmë ditë për ditë? Pra e kundërta është e vërtetë. Çdo qytetar e kupton që motivi për të shtyrë reformën u takon atyre që janë kapur me presh në duar dhe të siguroj që nuk janë presh, janë 2.2 miliard euro në dy vite. Janë bandat e Shullazit që bëjnë kërdinë nga jugu në veri, e kanë mbushur Shqipërinë me kanabis. Këto janë të vërtetat. Apo ai tjetri që donte të bënte kokainë në qendër të Europës, këto janë mynzyrat e kësaj qeverisje. Natyrisht nuk duan skaner, nuk duan drejësi të pavarur. Bëjnë gjithçka dhe sot falë tyre edhe drejtësia e pavarur po të jetë realitet, do të jetë realitete pas qershorit të 2017. Eleminuan çdo mundësi për një hetim të pavarur dhe vendosjen para përgjegjësisë të Sajmir Tahirit, Arben Ahmetaj, Ilir Beqaj, të Shullazit, Koço Kokëdhimës, Habilajve dhe qindra skandaleve të tjera që nuk na del koha ti rreshtojmë. Siç thotë dhe populli “ditë e re, skandal i ri”.


Janë i gjithë grupi parlamentar i PD në të njëjtën linjë për reformën në drejtësi?
Basha: PD një qëndrim ka, që reforma duhet të miratohet, nuk ka asnjë diskutim për këtë. Nëse sot apo nesër mazhoranca është gati të ulet me ne dhe të diskutojë mbi meritat e saj propozimet tona, ne jemi mendjehapur, jemi gati të pranojmë dhe propozimet e tyre. Kemi vetëm një kusht, standart europian, moskapje politike.Po të kishte qenë për ne, reforma do të kishte mbaruar një vit më parë. Sot do kishim SPAK, BKH, Ministra dhe banditë prapa hekurave, jo tu bëjnë karshillëk qytetarëve.


Në qershor nuk ka asnjë shans që të propozohet rekomandimi për hapjen e negociatave?
Basha: Hapja e negociatave ne vlerësimin tim si kryetar i opozitës ka zero shans nëse Shqipëria nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, nëse Shqipëria nuk zbaton ligjin e dekriminalizimit, nëse Shqipëria nuk zbaton reformën në drejtësi, që lufton dhe nuk mbron krimin në nivele të larta.Këto tre kushte janë numëruar me dhjetra herë këtij kryetari opozite dhe atij Kryeministri. I di ai, i di dhe unë, nuk ka vend për hipokrizi.Shqipëtarët nuk janë fëmijë të vegjël të gënjehen me karamele.Nuk ka karamele, Shqipëria duhet të zbatojë ligjin për dekriminalizimin, duhet të garantojë zgjedhje të lirea dhe të ndershme, të zbatojë një reformë në drejtësi që nuk mbron por lufton korrupsionin dhe krimin. Po u plotësuan këto tre kushte atëherë do të hapen negociatat. Nuk plotësohen këto tre kushte, nuk ka negociata për Shqipërinë, ka izolim për Shqipërinë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY