VENDIMI/ Policët e transferuar përfitojnë financim, rastet e pagesave

VENDIMI/ Policët e transferuar përfitojnë financim, rastet e pagesave

67
0
Shares

Qeveria kaloi sot një vendim që lidhet me kriteret dhe masën e përfitimit të pagesës së qirasë për strehim për punonjësit e policisë së shtetit. “Kur punonjësi i policisë emërohet/transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, brenda dhe jashtë vendit, i paguhet qiraja e banesës, kur nuk i sigurohet ajo”, thuhet në vendim. Punonjësi i policisë që transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, brenda vendit, përfiton kompensim për qira banese, nëse emërohet/transferohet për shkak të detyrës dhe/ose për nevoja pune, në largësi mbi 36 km.

Masa e kompensimit për qira banese, për punonjësin e policisë është: a) Kur punonjësi i policisë nuk merr me vete në vendemërimin e ri të punës pjesëtarët e familjes, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 43.93 m²; b) Kur punonjësi i policisë ka në ngarkim dhe një person dhe e merr në vendemërimin e ri të punës, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 56.47 m²; c) Kur punonjësi i policisë ka në ngarkim dhe dy persona dhe i merr në vendemërimin e ri të punës, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 79.74 m²; ç) Kur punonjësi i policisë, ka në ngarkim dhe tre persona a më shumë dhe i merr në vendemërimin e ri të punës, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 80.50 m². “Përfitimi i kësaj pagese vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit të punonjësit të policisë, që nënkupton sistemimin me banesë në juridiksionin territorial të drejtorisë vendore të policisë apo komisariatit të policisë ku ai bën pjesë”, thuhet në vendim.

Gjithashtu, punonjësit të policisë, i cili për shkak të detyrës ose për nevoja pune transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, jashtë vendit, i paguhet qiraja e banesës, kur nuk i sigurohet ajo. “Përcaktimi i apartamentit të banimit, që punonjësi i policisë do të marrë me qira, dhe i masës së pagesës së qirasë, bëhet nga një komision vlerësimi në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, i cili përzgjedh ofertën më të leverdishme, mbi bazën e shqyrtimit të tre ofertave të marra nga ky punonjës, nga 3 shoqëri imobiliare”, nënvizon qeveria në vendimin e saj. Punonjësi i policisë, pasi merr miratimin për ofertën e përzgjedhur, nënshkruan kontratën e qirasë së apartamentit të banimit për një periudhë 1-vjeçare, me të drejtë ripërtëritjeje me të njëjtat kushte. Kontrata e qirasë, detyrimisht, duhet të bëhet në një zyrë noteriale në shtetin respektiv.

Për përfitimin e pagesës, punonjësi i policisë paraqet në organin ku është transferuar dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Kërkesë me shkrim, pranë njësisë buxhetore ku është i punësuar;

b) Fotokopje të kartës së identitetit, certifikatën e gjendjes familjare;

c) Kontratën e noterizuar të qirasë së banesës ku është i transferuar;

ç) Vërtetim nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme se ai nuk ka banesë në juridiksionin ku është transferuar;

d) Vërtetim nga ALUIZNI se punonjësi i policisë nuk ka aplikuar për legalizim banese në juridiksionin ku është transferuar.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY