Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, verifikimin paraprak të kryebashkiakut të Krujës Artur Bushi.
Nëpërmjet një njoftimi për mediat Prokuroria e Përgjithshme ka publikuar kërkesën e saj drejtuar KQZ-së për verifikimin paraprak të formularit të vetëdeklarimit për kryetarin e bashkisë Krujë, Artur Bushi. KQZ, institucioni përgjegjës për mbledhjen dhe verifikimin paraprak të formularëve për funksionarët publik të zgjedhur, në bazë të ligjit të dekriminalizimit, është vënë në dijeni mbi disa të dhëna të cilat, sipas Prokurorisë së Përgjithshme kërkojnë verifikim më të thelluar lidhur me të shkuarën e këtij subjekti, jashtë territorit të Shqipërisë.
Pas verifikimit nga KQZ, materiali duhet ti përcillet Prokurorisë e cila do të vijojë procedurat e saj.
Artur Bushi më herët është akuzuar nga opozita për një të kaluar kriminale jashtë Shqipërisë. Sipas PD, e kaluara kriminale e kryebashkiakut të Krujës, lidhet me trafik droge dhe trafik prostitucioni, vepra penale për të cilat ai është dënuar edhe në Itali.
Ndërkohë, Atur Bushi ka deklaruar në formularin e dorëzuar në KQZ se ka qenë dy herë i arrestuar dhe i hetuar në Itali. Sipas Bushit, ai ka qenë i hetuar në vitin 1996 nga Prokuroria e Casertës në Itali për “arsye që nuk i kujtohen” dhe sërish në hetim në vitin 2010 nga Prokuroria e Busto Arsizios, i dyshuar për trafik të lëndëve narkotike.
Sipas Bushit, në vitin 1996, gjykata italiane ka vendosur “lirimin e menjëhershëm” për të, ndërsa në 2010 është liruar pasi ka qëndruar 1 muaj në qeli. Gjithsesi, Bushi deklaron se nuk është dënuar asnjëherë me vendim të ndonjë gjykate.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë
“Dekriminalizimi”, Prokuroria e Përgjithshme i kërkon KQZ verifikimin paraprak të kryetarit të Bashkisë Krujë, Artur Bushi
Struktura “Për Dekriminalizimin” në Prokurorinë e Përgjithshme ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të kryejë verifikimin paraprak të formularit të vetëdeklarimit “Për dekriminalizimin” të kryetarit të Bashkisë së Krujës, Artur Bushi.
Prokuroria e Përgjithshme është vënë në dijeni nga struktura ligj-zbatuese mbi disa të dhëna, të cilat kërkojnë verifikim më të thelluar lidhur me të shkuarën e këtij subjekti jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Në bazë të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, verifikimi paraprak kryhet nga institucioni që i administron formularët, që në rastin konkret është KQZ-ja. Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme i drejtohet këtij institucioni për të kryer verifikimin fillestar. Pas këtij verifikimi, materiali duhet t’i përcillet Prokurorisë, e cila do të vijojë procedurat e saj, sipas përcaktimeve ligjore.
Ndërkohë, Struktura “Për dekriminalizimin” në Prokurorinë e Përgjithshme po kërkon informacione mbi kallëzimin e bërë nga një grup deputetësh, në ngarkim të subjektit Flamur Noka. Kallëzimi është shoqëruar me një material, i cili nuk mund të konsiderohet provë dhe është i paqartë. Për këtë arsye, Prokuroria do të kërkojë materiale shtesë në strukturat e specializuara, për të vlerësuar nëse ka vend ose jo për hetim të mëtejshëm.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/