Foto, përmbytje te Don Bosko, në Tiranë
Drejtoria e Emergjencave Civile ka bërë publike të dhënat e fundit për sa i përket situatës së krijuar nga reshjet e shiut. Më problematike situata paraqitet në Tiranë, Vlorë, Shkodër e Lezhë. Po ashtu probleme ka edhe në Durrës, por situata duket se po shkon drejt normalizimit në këtë qytet.
Qarku Tiranë
Në të gjithë qarkun e Tiranës ka pasur reshje intensive shiu të shoqëruara me shtrëngata. Shirat kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen normale të qytetarëve në qytetin e Tiranës. Zonat më problematike që kanë prezencë të rritur të ujit janë tek Muzeu Kombëtar, “Misto Mame”, Qafë Kashar dhe në qytetin e Kamzës.
Qarku Vlorë
Në qytetin e Vlorës ka pasur reshje intensive pas mesnatës dhe deri në orët e para të mëngjesit. Reshjet kanë krijuar probleme në nënstacionin elektrik të Skelës dhe në zonën prapa Universitetit Ismail Qemali.
Në të gjithë rrugët e qytetit ka pasur prezencë të ujit ku situata më problematike ka qenë në rrugën ‘’Transballkanike’’.
Qarku Shkodër
Për shkak të reshjeve intensive që kanë rënë gjatë natës dhe sot në mëngjes në qarkun e Shkodrës ka pasur disa probleme në infrastrukturë. Më problematike ka qenë situata te ura Tamarrë-Koplik (në ndërtim e sipër) dhe Ura e Buklit.Të dy këto ura janë dëmtuar plotësisht. Një banesë në Vukël, Njësia Administrative Tamarrë, është përmbytur dhe familja është evakuuar për shkak të rrezikut nga përmbytja.
Qarku Lezhë
Në shumë rrugë të qytetit të Lezhës për shkak të reshjeve të dendura të shirave kanë pasur prezencë të ujit duke krijuar probleme në katet e para të pallateve, sidomos në disa banesa dhe biznese.
Hidrovoret në të gjithë qarkun punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk kanë pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Në tokat bujqësore të rrethit të Lezhës dhe Kurbinit nuk ka pasur probleme me përmbytjet.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/