Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar arrestimin e Emiljan Burba, i dyshuar si një nga drejtuesit e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Sipas SPAK, arrestimi i Burbës u krye më 6 korrik 2026, në zbatim të masës së sigurisë “arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendim të datës 3 korrik 2026.
Hetimi është pjesë e procedimit penal të regjistruar në janar 2024 për veprat penale të trafikut të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatës kriminale. Sipas organit të akuzës, hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Byroja Kombëtare e Hetimit, Departamentin e Policisë Kriminale, Eurojust dhe Europol.
Nga hetimet ka rezultuar se grupi kriminal dyshohet se organizonte trafikimin e drogës nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë, si dhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të Bashkimit Europian. Një pjesë e provave janë siguruar përmes analizës së komunikimeve në platformën e enkriptuar Sky ECC.
SPAK bën me dije se janë dokumentuar tre episode të trafikut ndërkombëtar të drogës: sekuestrimi i 1,722 kilogramëve marijuanë në Mal të Zi në nëntor 2020, i 236 kilogramëve marijuanë në Turqi në janar 2021 dhe i 475 kilogramëve kokainë në portin e Port of Vlissingen në Holandë, ngarkesë që kishte mbërritur nga Ekuadori.
Sipas prokurorisë, Emiljan Burba dyshohet të ketë pasur rol drejtues, veçanërisht në episodin që lidhet me trafikimin e lëndës narkotike drejt Turqisë.
Më herët, në kuadër të të njëjtit procedim penal, ishin identifikuar dhe vendosur nën masa sigurie 14 persona të tjerë të dyshuar si pjesë e grupit kriminal.
SPAK njofton se hetimet vijojnë për identifikimin dhe dokumentimin e përfshirjes së personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale.
Prokuroria kujton se Emiljan Burba prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.



