Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet në stadiumin ku pritet të zhvillohet koncerti i Kanye West në Tiranë, duke e shfrytëzuar daljen publike edhe për të sulmuar protestuesit që prej 38 ditësh kërkojnë dorëheqjen e tij.
Gjatë deklaratës, Rama i cilësoi protestuesit si “sorra dhe korba bulevardi” ndërsa hodhi poshtë pretendimet e protestës se qeveria ka financuar koncertin me dhjetëra milionë euro. Sipas tij, shteti shqiptar ka kontribuar me vetëm 4 milionë euro për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit.
Ndërkaq Protesta ka hedhur dyshime se po jepen bileta falas.
Kreu i qeverisë tha se koncerti është organizuar nga një grup privat me partnerë shqiptarë, gjermanë dhe turq, ndërsa theksoi se ndërhyrja financiare e shtetit synon të sigurojë zhvillimin e eventit, për të cilin, sipas tij, janë prerë bileta nga qytetarë të mbi 80 shteteve.
Rama argumentoi se aktivitete të kësaj natyre sjellin përfitime të menjëhershme dhe afatgjata për ekonominë e vendit, veçanërisht për kryeqytetin, duke i cilësuar ato si investime dhe jo shpenzime.
“Ky është një event i organizuar nga grupi privat, partnerë shqiptarë, gjermanë e turq. Shteti shqiptar është detyruar të ndërhyjë vetëm me 4 milionë euro për të garantuar realizimin e tij. Ata mijëra njerëz që kanë prerë bileta nga mbi 80 shtete sjellin një impakt ekonomik të menjëhershëm, por edhe të vazhdueshëm. Këto nuk janë shpenzime, por investime për një Shqipëri tjetër që nuk ndalet dhe nuk kthehet prapa”, u shpreh kryeministri.a.b
DEKLARATA E RAMËS/ “Ky është një event i organizuar nga grupi privat, partnerë shqiptarë, gjermanë, turq, që kanë marrë përsipër këtë ndërmarrje kolosale. Shteti shqiptar është detyruar të ndërhyjë vetëm dje për të dhënë jo dhjetëra e miliona euro, siç thonë sorrat dhe korbat e bulevardit, por 4 milionë euro që ne të garantojmë që ata mijëra e mijëra njerëz që kanë prerë bileta nga Evropa, Amerika, Australia, nga 80 shtete, dhe janë më shumë sesa ata që blenë biletat që erdhën për finalen e Konferencë Ligës.
Ky event, nëse do të mbetej i parealizuar, do të ishte një mundësi më pak për ekonominë e kryeqytetit. Ata mijëra njerëz sjellin një impakt ekonomik të menjëhershëm, por edhe hap pas hapi.
Këto janë evente, sepse bota nuk janë budallenj që organizojnë evente të tilla, të cilat kërkojnë një shpenzim në fillim, por janë investime. Investime për një Shqipëri tjetër që nuk ndalet dhe nuk kthehet prapa. Të hidhen përpjetë ata që nuk duan.”




