Protesta para Kryeministrisë vijoi edhe në ditën e saj të 37-të, ku një prej protestuesve deklaroi se lëvizja qytetare po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje nga faktori ndërkombëtar.
Gjatë fjalës së mbajtur nga podiumi, ai iu referua deklaratave të ambasadorit të Gjermanisë në Shqipëri, duke theksuar se protestat paqësore janë vlerësuar si pjesë e parimeve evropiane.
“Sot kemi një mbështetje të jashtëzakonshme nga ambasadori i Gjermanisë. Ai i cilësoi protestat si pjesë e vlerave evropiane. ‘Duhet të vlerësojmë ata që zbatojnë vlerat e BE-së në përditshmëri, ata që qëndrojnë për mbrojtjen e ligjit, natyrës etj. Çdo aktivitet i shoqërisë civile në përputhje me vlerat e BE-së është i mirëpritur. Protestat e dhunshme nuk janë pjesë e BE-së’, tha ai,” u shpreh protestuesi.
Sipas tij, këto qëndrime tregojnë se komuniteti ndërkombëtar e konsideron protestën si një lëvizje legjitime qytetare, e cila ka ruajtur karakterin e saj paqësor.
Në vijim të fjalës, protestuesi përmendi edhe nismën e një kongresmeni amerikan për hetimin e lidhjeve të mundshme të qeverisë shqiptare me trafikun e drogës, duke e cilësuar këtë si një tjetër zhvillim që, sipas tij, rëndon pozitën ndërkombëtare të kryeministrit Edi Rama.
“Një kongresmen amerikan ka kërkuar hetim për qeverinë shqiptare dhe Edi Ramën për lidhjet e pretenduara me drogën. Para një muaji ai ishte një mbret i plotfuqishëm, sot është i diskredituar në sytë e shqiptarëve dhe të botës demokratike. Sot është një kufomë politike, ndërsa nesër do të jetë një hiç politik”, deklaroi ai.
Në përfundim, protestuesi u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë pjesëmarrjen në protestë, duke shprehur bindjen se, sipas tij, ndryshimi politik është i pashmangshëm.m.k





